E Diel, 1 Nëntor 2026

PS zgjedh kryesinë, mban Blushin e Malajn, sjell Canin, Dakon e katër deputetë të rinj

Share

Gramoz Ruçi- emri më i votuar në Asamble, kryesia ndryshon pjesërisht duke mbajtur dy kritikët e Ramës, Malajn e Blushin. Ruçi merr më shumë vota në kryesi, ndiqet nga Kodheli e Ben Blushi

Kryesia e re e Partisë Socialiste nuk ka sjellë ndonjë ndryshim radikal në përbërje pavarësisht se lista e kandidatëve kishte emra të rinj, kryesisht kryetarë të bashkive kryesore të PS-së. Nga votimi kanë arritur të ruajnë pozicionet e tyre emra të vjetër të kësaj partie, veteranë si anëtarë të kryesisë, por dhe kritikët e fortë të Edi Ramës, si Ben Blushi dhe Arben Malaj. Ndërkohë duke se e vetmja surprizë ka qenë rikthimi në drejtimin e kësaj partie pas një kohe të gjatë shkëputje e ish-themeluesit të saj, Shkëlqim Cani dhe kuotimi i katër deputetëve të rinj si Saimir Tahiri, Ditmir Bushati, Besnik Baraj e Eglantina Gjermeni. I vetmi që arriti të futej në kryesi nga kryebashkiakët e propozuar nga Rama ishte ai i Durrësit Vangjush Dako edhe pse në listë ishte Niko Peleshi i Korçës, Qazim Sejdini i Elbasanit dhe Adelina Farriçi, kryetare e bashkisë Burrel. Nga kryesia e vjetër vihet re largimi i pesë grave, Ledi Shamku, aktualisht deputete, Ermelinda Meksi, e cila u zgjodh anëtare e Këshillit Mbikqyrës të BSH-së, dhe i Saimira Pinos, Eva Alushit e Mimoza Hafizit te treja të pakënaqura që nga mosfutja në listat e deputetëve të 2009-ës dhe kritike ndaj Ramës.

Nga votimi, i cili dhe pse me probleme për shkak të përdorimit për herë të parë të një aparature elektronike, metodë të cilin PS e propozon edhe për zgjedhjet parlamentare, duket se Gramoz Ruçi vazhdon të jetë njeriu më i votuar në PS pas kryetarit të partisë. Ai ka arritur me një numër maksimal votash 190 nga 230 gjithsej të ruajë postin e numrit të dy të partisë, atë të Kryetarit të Asamblesë e gjithashtu të kryesojë me vota listën e kryesisë. Ndërsa në bordin e sekretarëve të rinj siç pritej nuk janë më kundërshtarët e Ramës, Andis Harasani, Kastriot Islami, Edlira Haxhiymeri, por në vend të tyre ka marrë të parin post në PS- Erjon Veliaj, Damian Gjiknuri i cili ka zëvendësuar Islamin për problemet zgjedhore, rikthehet në partinë e tij të vjetër Ndre Legisi me një detyrë si sekretar për koalicionin. Ndërkohë sekretarët më të rëndësishëm Bashkim Fino, Fatmir Xhafaj e Blendi Klosi kanë rimarrë besimin e Ramës që i kandidoi dhe të Asamblesë që i votoi. Ilir Beqja do të ketë mundësinë të përgjigjet për programin e partisë si sekretar pasi humbi mandatin e deputetit në një betejë ligjore në Kushtetuese.

Kryesia e re sipas votave, Ruçi më i votuari, i ndjekur nga Mimi Kodheli e Ben Blushi

Gramoz Ruci (177 vota)

Mimi Kodheli (147 vota)

Ben Blushi (144 vota)

Ditmir Bushati (139 vota)

Vangjush Dako (125 vota)

Arben Isaraj (116 vota)

Pandeli Majko (136 vota)

Sajmir Tahiri (130 vota)

Arben Malaj (132 vota)

Namik Dolke (132 vota)

Shkëlqim Cani (133 vota)

Erion Brace (150 vota)

Besnik Bare (140 vota)

Eglantina Gjermeni (134 vota)

Lindita Nikolla (114 vota)

Valentina Leskaj (112 vota)

Arta Dade (111 vota)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›