PSD: Apostoli të iki si deputet
02/02/2005 Grupi parlamentar socialdemokrat i ka kërkuar deputetit Gaqo Apostoli të dorëzojë mandatin e deputetit, pasi nuk ka pranuar të jetë pjesë. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të PSD-së, Pandeli Angjeli, "Grupi parlamentar i PSD-së e cilëson të pamoralshëm faktin që Apostoli mban një mandat të fituar nga PSD-ja, në një kohë që këtë mandat nuk e ushtron dot". Sipas Angjelit, "këto veprime janë në vazhdën e trafikut të mandateve që Apostoli është futur në Kuvendin e Shqipërisë, ku dhe shumë deputetë të tjerë e konsiderojnë mandatin si personalo-familjar dhe jo partiako-elektoral". Trafiku me mandatet personale dhe depersonalizimi i deputetëve të veçantë ka çuar në shumë kriza të panevojshme dhe në çarjen e pamotivuar të së majtës. Nga socialdemokratët është kritikuar edhe një herë rregullorja e re e Kuvendit për problemin e përbërjes së grupeve parlamentare. Angjeli tha se, "PSD-ja tashmë e ka krijuar grupin e saj pavarësisht largimit të Apostolit". Duket se ky do të jetë largimi i radhës nga PSD-ja. Tashmë Apostoli ka vazhduar reaksionin e përçarjes në këtë parti. Kërkesa e bërë nga drejtuesit e PSD për të dorëzuar mandatin si deputet aktualisht është vetëm atribut i Apostolit.