E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE, Olli Rehn: Zgjedhjet, kusht për afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me BE

Statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Europian vazhdon të mbetet një moment i rëndësishëm, i cili do të varet drejtpërdrejt edhe nga zgjedhjet që do të zhvillohen në 28 Qershor 2009. Ndërkombëtarët kanë kërkuar si kriter për statusin e vendit kandidat zhvillimin e zgjedhjeve transparente, të ndershme nga të gjithë faktorët politikë. Në rast se këto zgjedhje do të kurorëzohen me falsifikime, mashtrime dhe jo transparencë të plotë nga KQZ do të cenohet e drejta e Shqipërisë, por edhe gjithë qytetarëve shqiptarë për të fituar statusin e vendit kandidat në BE.  Sipas ndërkombëtarëve, e mira është që fitimi i këtij statusi për Shqipërinë të vinte pas pjekjes së kushteve të vendit. Statusi i vendit kandidat vijon të mbetet në pikëpyetje edhe pas publikimit të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka pasqyruar kritikat për Shqipërinë. Në kuadër të këtij raporti, vihen në dukje të qeverisë aktuale Berisha korrupsioni, tragjedia e Gërdecit, ndërhyrja e qeverisë në institucionet e sistemit të drejtësisë, duke mos e lënë të jetë e pavarur në punën e saj. Edhe komisioneri evropian për zgjerimin e Bashkimit Evropian ka përsëritur në Bruksel se zgjedhjet në Shqipëri janë kusht kritik për gadishmërinë e vendit për afrimin e mëtejshëm me BE-n. Në lidhje me deklaratën e kryeministrit shqiptar se aplikimi për statusin kandidat do të dorëzohet gjatë Presidencës çeke, Rehn përsëriti qëndrimin e njohur të Komisionit. Zgjedhjet në Shqipëri janë kushti kritik kur ti vijë koha vlerësimit se sa i gatshëm është vendi për ti dhënë statusin kandidat. Shqipëria gëzon perspektivën evropiane me qëllimin përfundimtar të anëtarësimit, gjë që kërkon që në një moment të jetë llogjike dhe e natyrshme që Shqipëria të aplikojë për anëtarësim në BE. Por ne kemi kritere shumë të qarta për këtë dhe njësoj si në rastin e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë vendi duhet të plotësojë kriteret politike, dhe numri një i këtyre është mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme sipas standarteve ndërkombëtare. Konkluzionin nga kjo mund ta nxirrni ju tha Rehn. Siç e konfirmon Komisioneri Evropian Olli Rehn, vlerësimi për dorëzimin e aplikimit nga Shqipëria do të vijë vetëm pas plotësimit të kushtit të zgjedhjeve, të kritereve politike dhe reformave të tjera në vend. Këtë moment të krizës ekonomike në Bashkimin Evropian, por edhe të problemeve të tjera në gjirin e Unionit Olli Rehn këshillon që vende si Shqipëria ta shfrytëzojnë për të plotësuar të gjitha kushtet në mënyrë që në një kohë më të mirë në të ardhmen të hedhin të sigurtë hapin tjetër drejt Bashkimit Evropian. Ne mund të kemi disa sfida kontemporane si recesioni ekonomik, kriza financiare dhe ratifikimi i traktatit të Lisbonës etj.  Por jeta vazhdon dhe ne do të kemi kohë më të mira në një moment tjetër dhe është e këshillueshme që vendet të bëjnë progres të mirë në reformat e tyre dhe që të bëhen edhe më të gatshëm për të marrë përsipër detyrimet për anëtarësimin evropian duke iu afruar më shumë qëllimit të tyre për të hyrë në Bashkimin Evropian tha Rehn. Deklarata e Ren u bë gjatë konferencës që zhvillohej në Bruksel nga EU-Observer dhe qeveria kroate mbi perspektivën e anëtarësimit të këtij vendi në BE. Edhe gjate takimit që ministri i Jashtëm Basha ka pasur me komisionarin Rehn, ky i fundit ka përsëritur faktin se Shqiperia duhet të gjejë momentin e përshtatshëm për ta bërë këtë hap të rëndësishëm për afrimin në BE. Ndërkohë që Basha ka përcaktuar presidencën çeke kohë optimale për aplikim, ndërsa ka reaguar në deklaratën e Komisionit Evropian mbi konkluzionet e takimit me komisionerin Olli Rehn në Bruksel se Shqipëria nuk demonstron ngerc, as stanjacion, as nervozitet për të përshpejtuar në mënyrë të panatyrshme një proces, baza e të cilit është suksesi i reformave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›