PS,Gjiknuri: Qeveria të mos pengojë procesin e Kartave
TIRANE- Partia Socialiste ka hedhur akuza mbi qeverinë për pengesë të qëllimshme të procesit të pajisjes me karta identiteti.
Zv-Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Damian Gjiknuri, ka deklaruar se maxhoranca po refuzon ngritjen e një komisioni Ad Hoc duke u përpjekur të pengojë procesin.
“Mungesa e tranparencës dhe mos bërja publike e një grafiku të qartë të shpërndarjes në territor, po shoqërohet edhe me refuzimin sistematik të mazhorancës për ngritjen e një komisioni monitorues parlamentar, të përfaqësuar në shumicë nga opozita. Pikërisht kjo vendosmëri në refuzimin e ngritjes dhe krijimit të aksesit të nevojshëm të opozitën në këtë proces , të bën të mendosh që vonesat më tepër se paaftësi janë një proces i mirëmenduar për të sabotuar këtë ndërmarrje”- ka thënë Gjiknuri gjatë një deklarate nga selia rozë.
Partia Socialiste është shprehur e shqetësuar për pajisjen e shqiptarëve me letërnjoftime dhe për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore.
“Kanë kalur mbi 1 muaj nga fillimi i procesit të aplikimit dhe akoma asnjë shtetas nuk është paisur me një të tillë, përvec shtetasit fatlum që e mori nga dora e kryeministrit”-u shpreh Gjiknuri për gazetarët.
Ndërkohë PS ka i ka bërë thirrje qeverisë për transparencë dhe për informim të vazhdueshëm në lidhje me shpërndarjen e sistemit të aplikimit në të gjithë territorin e vendit.
(e.n/Balkanweb)