PS:Kolegji të urdhërojë KQZ-në për pavlefshmërinë
Kolegji Zgjedhor ka nisur shqyrtimin e ankimimit të Partisë Socialiste, të dorëzuar në datën 2 korrik nga ana e kësaj force politike.
Në kërkesën e depozituar në 2 korrik, Partia Socialiste kërkon nga Kolegji që të urdhërojë Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve që të marrë në shqyrtim kërkesën e bërë prej saj ku kërkohet të shpallet i pavlefshëm vendimi i cili shpalli fitues kandidatit demokrat Lulzim Basha me 93 vota.
Në fjalën e tij përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në Kolegj, Damian Gjiknuri e cilësoi si antiligjor vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të mos marrë në shqyrtim ankimimin e PS-së. Sipas tij vendimi i marrë nga KQZ-ja në lidhje me kërkesën e PS-së është arbitrar ndërsa ka shtuar se forca politike që ai përfaqëson kërkon pavlefshmëri në 284 qendrat e votimit në Tiranë.
Gjiknuri gjithashtu ka akuzuar Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve se ka deformuar rezultatet e tabelave të 284 qendrave të votimit ndërsa shtoi se anëtarët e saj mbyllni sytë para fakteve të cilat tregon manipulimet. “KQZ-ja ka ndryshuar bazën ligjore sipas rastit dhe kjo është bërë për të konfonduar procesin” theksoi Gjiknuri.
Gjithashtu Gjiknuri i bëri thirrje Kolegjit Zgjedhor të urdhërojë KQZ-në të marrë në shqyrtim pavlefshmërinë e vendimit të saj të datës 25 qershor, duke e argumentuar këtë rrëzim me problemet e vërejtura në tabelat e 284 qendrave të votimit, apo edhe me mospërputhjen e numrit të votuesve me fletët e votimit të gjetura apo të munguara në qendrat respektive. Gjiknuri theksoi se kërkesa e PS-së iu dorëzua KQZ-së brenda afatit ligjor të ankimimit të vendimit.
Partia Socialiste gjithashtu ka paraqitur në Kolegj edhe pamjet filmike që sipas saj tregojnë provat e manipulimit të votave. Përfaqësuesit e PS-së kanë paraqitur pamjet filmike të qendrës 1941 ku PS-ja pretendon se janë manipuluar votat pasi sipas saj ka më shumë vota sesa votues.
Ndërkohë në fjalën e saj përfaqësuesja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ka deklaruar se kërkesa ankimore e Partisë Socialiste është rrëzuar nga ky institucion për mungesë kompetencash.
Ndërkohë në seancën e djeshme të Kolegjit në momentin e fundit Partia Socialiste hoqi dorë nga ankimimi i bërë në 30 qershor, në bazë të të cilit ishte pavlefshmëria e zgjedhjeve, duke kërkuar më parë shqyrtimin e ankimimit të 2 korrikut.