E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serialgrabitësi i kazinove, mbrëmë sulmi i dytë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Një serial grabitës ka vënë në shënjestër kazinotë e kryeqytetit. Një person i armatosur me maskë pret orarin e mbylljes së llogarive dhe rrëmben xhiron e ditës.
Me të njëjtin skenar, një person i armatosur dhe me maskë rreth 1 e 80 centimetër i gjatë hyn në sallën e lojërave të fatit dhe, pasi detyron të mbyllen në tualet punonjësit, grabit lekët nga arka dhe largohet me shpejtësi. Sipas këtij skenari, janë grabitur dy kazino brenda një muaji në Tiranë. Ndërsa, grabitja e fundit ka ndodhur dy netë më parë në rrugën “Bardhyl”. Lajmi bëhet i ditur nga burime të policisë, sipas të cilave, mësohet se ngjarja ka ndodhur në të gdhirë të ditës së djeshme. Menjëherë kanë nisur hetimet, të cilat kanë çuar në zbardhjen e skemës së vjedhjes dhe lidhjen e grabitjes rreth një muaj më parë në afërsi të 21 Dhjetorit. Grupi i hetimit ka mundur të zbardhë se grabitja është kryer nga i njëjti person, por nuk është identifikuar i dyshuari.
Grabitja
Ka qenë ora 4:00 e mëngjesit të djeshëm kur një person i armatosur ka hyrë në një sallë të lojërave të fatit në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl” me atë “Hoxha Tahsim”. Dy punonjësit e kazinosë kanë deklaruar në polici se një person rreth 1 e 80 centimetra i gjatë, i dobët dhe, sipas dialektit, identifikohet si nga zona e Veriut, ka detyruar dy personat të qëndrojnë në tualetin e sallës së lojërave të fatit, derisa ai ka marrë xhiron e ditës dhe është larguar. Garabitësi është larguar me shpejtësi me një makinë, ndërsa punonjësit e kazinosë kanë njoftuar uniformat blu. Burimet nga policia bëjnë të ditur se është denoncuar grabitja e 3 milionë lekëve.
Hetimet
Grabitësi është treguar mjaft i kujdesshëm duke mos lënë pas asnjë gjurmë identifikuese përveç skenarit të grabitjes dhe mënyrës së maskimit, të cilat çojnë grupin e hetimit të dyshojë për të njëjtin autor vjedhjeje me atë të rreth një muaji më parë në zonën e 21 Dhjetorit. Dosja ka kaluar për hetime të mëtejshme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe sektorin e hetimeve për grabitjet. Ndërkohë, përveç denoncimit të punonjësve të kazinosë dhe deklaratave të tyre në lidhje me rrëmbimin, punonjësit e uniformave blu kanë fotografuar vendin e ngjarjes dhe kanë mbledhur shenjat e gishtave që pritet të çojnë në identifkimin e grabitësit.

Dëshmitë
Ja si u grabit kazinoja

Rreth orës 4:00 të mëngjesit, kur ne po mbyllnim kazinonë, ka hyrë në derë një djalë i gjatë rreth 1 e 80 centimetra, me maskë të zezë dhe me një armë në dorë dhe na urdhëroi të hynim në tualet. Ne u bindëm. Ndërsa ai grabiti lekët që ishin në arkë dhe u largua me shpejtësi, ne dolën shpejt, por ai lëzivi me një makinë, të cilën për shkak të shpejtësisë, nuk e dalluam. Në arkë në atë kohë ishin 3 milionë lekë të vjetra. Ne njoftuam menjëherë policinë.
Ky lajm është publikuar: 29/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›