E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa Lumëbardhin Peja do të përmbytej në ujëra të zeza

Pejë, 17 gusht -  Komuna e Pejës ka qenë e para në Kosovë që ka projektuar Planin Gjeneral e Zhvillimor Komunal, por në asnjë faqe të këtyre planeve nuk përmendet ndonjë hapësirë tokësore për ndërtimin e një impianti akumulues për trajtimin e ujërave të zeza. Dhe kjo e metë në këto plane pasqyron edhe mungesën e kuadrove profesionale për hartimin e një projekti konkurrues në fondet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit, ka raportuar KosovaLive.
Peja ka trashëguar një plan gjeneral zhvillimor të hartuar në vitin 1963 dhe i reviduar në vitin 1983. Me këtë plan, nga i cili 20 për qind është realizuar në praktikë në vitet e pasluftës, ishte paraparë ndërtimi i një impianti mes fshatrave Ramun e Zahaq, për trajtimin e ujërave industrial, por jo edhe të atyre fekale.
Meqenëse vetëm birraria funksion me gjitha kapacitetet nga ish-fabrikat ekzistuese më parë në zonën industriale, Komuna e Pejës ka dështuar që t’ia ndërrojë qëllimin e planifikuar dekada më parë për ujëra industrial në impiant për trajtimin e ujërave të zeza.
“Ujërat e zeza dhe ndërtimi i një impianti duhet të trajtohet me një projekt të veçantë, por Komuna nuk ka ekip për planifikim dhe hartim të projekteve konkurruese në fondet e Bashkësisë Evropiane, e cila ka fonde të caktuara për investime në Evropën Juglindore për zhvillimin ekonomik, e sidomos për mbrojtjen e mjedisit. Kurse impianti është pothuajse kryesori për mbrojtjen e ambientit. Por të fitohen ato fonde kërkohen projekte profesionale, se për fjalë të mira s’të jep pare askush”, pranon për KosovaLive, drejtori i Urbanizmit në Pejë, Gazmend Muhaxheri, mungesën e njerëzve të aftë në këtë komunë për hartimin e këtyre projekteve.
Sa herë që zyrtarët komunal janë përballur më herët me pyetjen pse komuna nuk ndërton një impiant, ata janë arsyetuar me mungesë të mjeteve, duke fshehur kështu në fakt paaftësitë e tyre, pasi ata një herë kanë pësuar disfatë në vitin 2003 kur kanë konkurruar me një projekt të hartuar për ndërtimin e këtij impianti të kushtueshëm rreth 40 milionë euro.
Mungesa e impiantit ka sjellë para problemeve edhe Ujësjellësin e Pejës, i cili menaxhon me sistemin e kanaleve të ujërave të zeza, në të cilat, komuna kur ndërton rrugë, i kyç korrektorët e ujërave atmosferik.
Agron Tigani, drejtor i Ujësjellësit Rajonal të Pejës, thotë për KosovaLive se derdhja e ujërave atmosferik po bllokon kanalet e ujërave të zeza me rërën dhe baltën që bartin me vete.
Ndërkohë, derisa komuna të mësohet si shkruhen projektet që i përmbushin kërkesat e donatorëve ndërkombëtarë, Lumëbardhi po e “shpëton” Pejën nga katastrofa e ndotjes, duke akumuluar të gjitha ujërat e zeza që lirohen nga Bogët e Rugovës e deri te fshati i fundit në rrafshin e kësaj komune.
Nga derdhja e ujërave të zeza, Lumëbardhi ka mbërri shkallën e dytë të ndotjes dhe nëse vazhdon me këtë ritëm nuk do zgjasë shumë dhe Lumëbardhi do të kalojë në shkallën e tretë të ndotjes, kur do të zhduket edhe fauna e lumit, në shtratin e të cilit tash e disa vite kanë “lulëzuar” myshqet.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›