E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mot i pazakontë në botë

Shkup, 17 gusht  - Derisa në Evropën Qendrore vërshimet marrin jetën e njerëzve, në jug të kontinentit dhe në Rusi zjarrfikësit edhe më tej po luftojnë me zjarret dhe temperaturat tropikale.
Pas temperaturave të larta, të reshurat kanë arritur edhe në jug të Spanjës, në provincën Kordoba, ku veçmë kanë shkaktuar vdekjen e tre personave.
Që të shmangen viktimat e reja, në disa provinca spanjolle është shpallur shkallë e rritur e gatishmërisë, posaçërisht që reshjet, të përcjella nga era e fuqishme, edhe më tej bvazhdojnë të bien.
Sipas meteorologëve, sot pritet mot i keq në Malagë, Granadë, Kordobë dhe provinca të tjera në këtë pjesë të vendit, njoftuan mediat lokale, ka raportuar agjencia MIA.
Në verilindje të Hungarisë më shumë se 400 persona gjatë natës kanë mbetur pa rrymë. Vërshimet dje i kanë përfshirë pjesët qendrore dhe lindore të Hungarisë dhe shërbimet për gjendje të jashtëzakonshme kanë pasur shumë punë sepse disa shtëpi janë përmbytur, ndërsa disa të tjerave erërat e fuqishme ua kanë rrënuar çatitë dhe kanë çrrënjosur drunj.
Të reshurat e mëdha, të përcjellura me erëra të fuqishme kanë përfshirë edhe disa pjesë të Gjermanisë. Meteorologët druajnë se moti i keq do të vazhdojë edhe gjatë disë ditëve të ardhshme, që mund të sjell deri te derdhja e disa lumenjve.
Në çeki, në Boheminë veriore dje duhej të evakuohen rreth 2.000 persona, ndërsa të paktën pesë persona e kanë humbur jetën. Disa rrugë, ura dhe hekurudha një kohë të caktuar do të jenë jashtë përdorimit, ndërsa 500 amvisëri kanë mbetur pa energji elektrike dhe gaz, transmetuan mediat lokale. Dëmet endo po vlerësohen, por besohet se do të jenë të mëdha.
Në të njëjtën kohë, temperaturat tropikale që ditëve të fundit kanë përfshirë disa pjesë të Evropës juglindore, kanë shkaktuar zjarre pyjore në disa vende në Greqi, ku temperatura e ajrit disa ditë është mbi 35 gradë Celsius.
Tym i dendur nga zjarret pyjore në rrethinën e Moskës sot sërish u lëshua në disa pjesë të kryeqytetit rus edhe krahas sukseseve të arritura në luftën me katastrofën natyrore. Ministria ruse e Gjendjeve të Jashtëzakonshme njoftoi se ekipet e saj në 23 orët e kaluara i kanë zvogëluar spipërfaqet të përfshira me zjarr në rajonin e qytetit për më shumë se një të katërtën. Dyzet zjarre pyjore megjithatë vazhdojnë të digjen në lindje dhe juglindje të Moskës. Si rezultat i kësaj, një numër i madh i rajoneve në kryeqytetin rus janë mbuluar me tym.
Moti i keq i fuqishëm në Poloni ka marrë jetën e një personi dhe ka shkaktuar evakuimin e 900 personave nga miniera për krypë "Veliçka", e njohur si atraksion afër Krakovit, kumtuan mediat botërore, duke iu referuar mediave lokale.
Autoritetet kanë evakuuar 900 turistë nga miniera për krypë, derisa rrufeja kishte goditur nëtransformator dhe pa rrymë ka lënë përafërsisht 50.000 banorë në rajon. Turistët gjendeshin në mbrendinë e minierës, kur kishte ardhur deri te ndërprerja e rrymës elektrike. Polonia pësoi nga përmbytjet e mëdha, tre herë nga maji e deri tani, ndërsa para pak kohe ishte kapluar nga stuhitë e fuqishme verore.

Në Greqi, më saktë në kryeqytetin Athinë dhe pjesën qendrore të Peloponezit, sot priten temperaturat më të larta për këtë verë-41 gradë, njoftojnë agjencitë, duke iu referuar shërbimeve meteorologjike. Autoritetet shëndetësore i paralajmërojnë njerëzit e rritur dhe njerëzit me probleme shëndetësore ta evitojnë daljen e panevojshme nga shtëpitë.
Në Japoni është regjistruar numër rekord i rasteve të vdekjes si rezultat i goditjes së nxehtë. Në periudhën prej 31 majit deri me 15 gusht nga temperaturat e larta kanë humbur jetën 132 persona, ndërsa në spitale janë pranuar 31.600 persona të cilët kanë kërkuar ndihmë për shkak të goditjes së nxehtë. Gjysma e viktimave janë persona më të vjetër se 65 vjet. Ajo paraqet rekord për këtë periudhë, prej kur mbahet një statistikë e tillë.
Në Japoni vala e nxehtë vazhdon. Mbrëmë temperatura kaloi 38-gradë celsiuz. Në qendrën e Tokios edhe gjatë natës janë matur 28,9 shkallë celsius.
Edhe 39 persona e kanë humbur jetën gjatë përmbytjeve dhe rëshqitjes së tokës në Kinën veriperëndimore, të shkaktuara nga shirat e rëmbyeshëm, pasi që para dy jave në atë pjesë të vendit jetën e kanë humbur mbi një mijë persona. Njëzet e tre persona llogariten si të humbur.
Gjatë motit të keq në qarkun Lonan, në provincën e largët dhe të varfër Gansu, janë lënduar 295 persona, ndërsa autoritetet ishin të detyruar të evakuojnë mbi 120 mijë banorë për shkak të rrezikut nga rëshqitjet dhe ardhja e lumenjve.
Qarku fqinj Xhoucju ishte goditur këtë muaj nga lava e baltës, e shkaktuar nga reshjet e rëmbyeshme. Numri i të vdekurve sipas të dhënave më të reja arrin 1.254 persona, ndërsa qindra janë shpallur për të zhdukur.
Rrufeja ka vrarë shtatë fëmijë në rajonin perendimor sudanez Darfur. Rrufeja ka goditur një shkollë në të cilën gjendeshin 560 nxënës, deklaroi një përfaqësues i autoriteteve lokale. Fëmijët e vdekur janë të moshës midis 10 dhe 13 vjeç. Ende nuk dihet se nëse rrufeja ka goditur drejtëpërdrejtë fëmijët ose ata kanë vdekur gjatë zjarrit, të cilin rrufeja e ka shkaktuar në shkollë, kulmi i të cilës ishte prej kashtës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›