E Diel, 1 Nëntor 2026

Zafir Berisha kërkon zgjedhje të parakohshme në Prizren

Prizren, 17 gusht - Ministria e Pushtetit Lokal, si autoritet për monitorimin e zbatimit të ligjit për vetëqeverisje lokale, të njoftojë Presidentin e Kosovës dhe KQZ-në se shkeljet e rënda ligjore i obligojnë organet e lartpërmendura që të shpallin zgjedhje te parakohshme në Prizren, ka kërkuar partia Bashkimi Demokratik, e formuar para ca kohësh nga Zafir Berisha.

Me anë të një kumtese dërguar medieve, BD shpreh shqetësimet e veta publike edhe rreth neglizhencës së Presidencës për marrje të vendimit komfor ligjit dhe Kushtetutës lidhur me rastin e kryetarit të dorëhequr të Rahovecit. “Njëherësh, BD shpreh dyshimin se servilizmi i LDK-së si partner i koalicionit qeveritar do të rrezikojë proceset demokratike edhe ne Prizren, sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Prizren, pasi që më shumë se gjashtë muaj KK i Prizrenit nuk funksionon sa i përket menaxhimit të pushtetit lokal”. BD është e befasuar me mashtrimin e opinionit nga Ramadan Muja gjatë dhënies së deklaratave lidhur me letrën e fundit të ministrit të Pushtetit Lokal, thuhet më tutje në kumtesë, ku shprehet shqetësimi edhe rreth “gjendjes kaotike ne shëndetësinë primare, ku  përdoren metodat titiste për ndëshkimin e anëtarëve dhe simpatizantëve të BD-së, si dhe avancimet e njerëzve pa përvojë vetëm se janë të afërm të kryetarit Muja”.
BD-ja shton se papastërtia dhe mbeturinat, që kanë  kapluar qytetin, ia prishin mazhin e dikurshëm Prizrenit, si dhe kritikon pushtetin për qeverisje me njerëz të paaftë e të korruptuar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›