E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna shtyn AKP-në ta tërheqë një pjesë të Gërmisë nga vala e privatizimit

Prishtinë 17 gusht – Ndonëse para një muaji Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte vënë në shitje një parcelë toke të parkut “Gërmia” me sipërfaqe prej 231 metrash katrorë, ajo të hënën ka hequr dorë nga shitja e paralajmëruar, ngase Komuna e Prishtinës i ka dorëzuar këtij institucioni një grumbull dokumentesh në bazë të të cilave ka arritur t’i bindë udhëheqësit e AKP-së që të tërhiqen nga shitja e paralajmëruar. Në një njoftim shtypi të AKP-së thuhet se tërhiqet nga shitja përmes likuidimit tre, njësia 13 “Ramiz Sadiku” toka në Gërmi, Prishtinë, shkruan Koha Ditore. Gjatë gjithë ditës së hënë ka qenë e pamundur të kontaktohej me zyrtarët e kësaj agjencie për të mësuar më shumë në lidhje me arsyet e tërheqjes nga oferta të shitjes së parcelës në Gërmi, e cila kishte zgjuar kundërshtime dhe reagime të ndryshme, në radhë të parë nga Komuna e Prishtinës, por edhe nga institucioni me i lartë legjislativ në vend, Kuvendi i Kosovës. Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi, ka thënë se zyrtarët e Komunës së Prishtinës kanë zhvilluar konsultime intensive me përfaqësuesit e AKP-së, me qellim që t’i bindnin ata për tërheqjen e ofertës për shitjen e një parcele toke në Gërmi.
“Kemi bërë evidencimet e nevojshme dhe kemi dorëzuar dokumentacionin e domosdoshëm në lidhje me parcelat e tokës në Gërmi dhe gjithë kjo ka rezultuar me pajtimin nga AKP-ja që ata të tërheqin ofertën e tyre”, ka pohuar Gashi. Sipas tij, ligjet në fuqi e mbrojnë Gërminë nga tjetërsimi, shpronësimi apo privatizimi. “Komuna e Prishtinës është institucion kompetent për të mbikëqyrur dhe ruajtur Gërminë dhe në bazë të legjislacionit në fuqi ai park nuk mund të dedikohet për qëllime të tjera, përveç funksionit rekreativ”, ka potencuar Gashi. Ndryshe, seanca e fundit në Kuvend të Kosovës, para pushimit, e mbajtur më 23 korrik, ka kaluar me kritika të ashpra në adresë të AKP-së, veçmas nga deputetët e opozitës, të cilët e kanë kundërshtuar ashpër “tendencën e AKP-së për t’i privatizuar pronat shoqërore, madje edhe në vendbanimet të cilat mbrohen dhe sigurohen me ligj”.
“Nuk e kam të qartë se si është e munduar që AKP-ja të privatizojë parcela toke të Gërmisë”, ka pyetur deputetja e LDD-së në Kuvend, Besa Gaxherri, e cila pati kërkuar nga institucionet qendrore që të parandalojnë çfarëdo shitjeje të tokave në parqet nacionale. “Përgjegjëse është në radhë të parë Qeveria e Kosovës, e cila nuk kërkon llogari në AKP për hapat e saj. Askund në botë nuk shiten parcela toke të një parku nacional”, ka pohuar Gaxherri. Mendim të ngjashëm ka shfaqur edhe shefi i Grupit parlamentar të AKR-së,  Ibrahim Makolli. “Pretendimi për të shitur pjesë të tokës në Gërmi nga AKP-ja është dëshmia më e qartë që tregon se sa i gabueshëm është në koncept dhe në përmbajtje privatizimi në vend”, është shprehur Makolli. Ndryshe, vendimi për t’u shitur parcela e tokës në Germi është marrë në muajin qershor nga Bordi i Drejtorëve të AKP-së. Në atë kohë, zyrtarët e kësaj agjencie kishin thënë se AKP-ja ka mandat t’i shesë të gjitha pronat shoqërore në vend.
“AKP-ja në bazë të ligjit ka mandate dhe të drejtë që t’i privatizojë të gjitha pronat shoqërore në territorin e Kosovës, pa marrë parasysh zonat se ku ndodhen ato”, ka thënë Arta Gosalci zyrtare e informimit në AKP.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›