E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa efekte presioni mbi mandatet

Gjatë këtyre muajve të fundit, në vendin tonë tensioni politik i rritur ndjeshëm po shoqërohet vazhdimisht jo vetëm me deklarata përbuzëse, përçmuese dhe të paarsyeshme nga liderë që qeverisin, por edhe me kërcënime të kota dhe pa efekte për stabilizimin e gjendjes së rëndë që po përjetohet. Një ndër to është edhe ajo që ka të bëjë me përjashtimin një herë e mirë nga Parlamenti të deputetëve të Partisë Socialiste dhe me zëvendësimin e tyre me kandidatë të kësaj force më të madhe të opozitës, emrat e të cilëve figuronin në lista pas atyre të shpallur si të zgjedhur nga elektorati në votimet e 28 qershorit.

Në këtë arenë dramatike, kjo tezë u publikua më së pari prej kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, e cila njihet ashtu sikurse për arrogancën tipike të femrave pa edukatë, edhe për injorancën e pashembullt të postit që mban këtu e afro pesë vjet rresht. Pas saj, radha i erdhi liderit të vet partiak, që është kreu i pushtetit ekzekutiv, gjithashtu për afro pesë vjet rresht. Në vazhdën e etheve plot konvulsion për sharje apo shpifje neveritëse ndaj atyre që kanë bojkotuar Parlamentin, atij i duhej të shprehej të dielën që shkoi edhe se, në rast të mungesës së mëtejshme të deputetëve socialistë, do të zbatohej Kushtetuta, sepse na paska: “shumë të tjerë që duan të hyjnë në Parlament” dhe gjoja: “Duke qenë tërësisht të hapur, duke mos dashur aspak të ndikojmë në përbërjen e grupit parlamentar të ardhshëm të PS–së, ne do të zbatojmë ligjet dhe Kushtetutën e vendit”.

Mirëpo, edhe ky presion me tonalitete kërcënimi duket që nuk jep efekte te asnjë deputet i majtë. Madje, as te ata të pestë të ‘Lëvizjes së Mendimit Ndryshe’, që të paktën hë për hë nuk kanë ndërmend të hedhin këmbët brenda Kuvendit për të bërë fillimisht betimin. Sepse, po të ndodhte kjo, natyrshëm që emrat do t’u fshiheshin menjëherë nga lista e Partisë së tyre (çka justifikohet prej sistemit proporcional të këtyre zgjedhjeve), për të krijuar ndoshta një grup tjetër parlamentar ose për t’u shpallur secili si deputet i pavarur. Sidoqoftë, Parlamenti ynë do të mbetej përsëri pa opozitë, dhe kështu, pa debate konstruktive për së paku përmirësimin dhe miratimin e ligjeve organike të domosdoshme në arritjen e reformave, për plotësimin e kritereve të përcaktuara nga Brukseli.

***
E pra, i gjithë kërcënimi ndaj mandateve të parlamentarëve opozitarë të munguar në Kuvend nis me bërjen prej tyre të betimit të deputetit. Kjo procedurë solemnike dhe simbolike, që në disa raste ndikon në ushtrimin konkret të mandatit të deputetit, në të vërtet ka qenë e parashikuar në Kushtetutat e Republikës Shqiptare (1925) dhe të Monarkisë (1928), por jo në ato të 1946-s dhe 1976-s. Madje, as në Ligjin për Dispozitat Kryesore Kushtetuese të vitit 1991, i cili nuk bënte fjalë as për heqjen e mandatit të deputetit. Përkundrazi, në Kushtetutën e vitit 1998, ‘betimi’ u rivendos në tekstin e dispozitave të saj dhe vazhdon të jetë një normë urdhëruese. Në një kohë që, pothuajse të gjitha kushtetutat e vendeve anëtare të Bashkimit Europian (përveç Greqisë dhe ndonjë tjetri), atë nuk e përmbajnë.
Nejse, në kushtet tona, neni 72 i Kushtetutës në fuqi parashikon që: “Para fillimit të ushtrimit të mandatit, deputetët bëjnë betimin në Kuvend”. Ndërsa, heqja e mandatit trajtohet me hollësi në paragrafin 2 të nenit 71, ku mund të lexohet veç të tjerash: “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
a) kur ai nuk bën betimin...
d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend...”
Tani mbeten edhe vetëm 3 muaj dhe, në bazë të përcaktimeve të kësaj dispozite kushtetuese, opozitarët duhet t’i thërrasin mendjes – sipas Berishës - për t’u futur në Parlament. Ndryshe, do të përjashtohen. Mirë, ai ndoshta kaq di dhe kështu i pëlqen të thotë. Por, duke qenë që nën vete apo rreth vetes ka edhe ekspertë konstitucionalistë, përse nuk i dëgjon dhe të marrë mendimin e tyre?

Sidoqoftë, kjo pyetje mbase është e tepërt, po të marrim si shembull një rast të fundit, atë të hartimit të Projektligjit për konfiskimin e pasurive me origjinë kriminale, i quajtur nga media si Projektligji ‘Antimafia’, për të cilin kryeministri përfshiu në grupin e parë të punës prokurorë me përvojë dhe kulturë të mjaftueshme në këtë fushë. Por, shumë shpejt u mor vesh qartë që ai u vuri vizë argumenteve të tyre, dhe jo vetëm që paraqiti në Kuvend një variant sipas ‘muzës’ berishiane, por edhe nxori atje një deputet – vasal të tij, që të qesëndiste përfaqësuesit e Prokurorisë.

***
Atëherë, le të përpiqemi të shpjegojmë shkurtimisht që përse ky ‘zotim’ i Berishës nuk ka edhe asnjë vlerë juridike dhe që as Kushtetuta, as ligjet nuk e ndihmojnë atë në realizimin e tij. Vërtet që neni 72 i Ligjit tonë Themelor, të cilin e cituam më lart, urdhëron deputetët që duhet të bëjnë betimin përpara se të fillojnë të ushtrojnë mandatin, por nuk parashikon kohën se kur duhet ta bëjnë domosdoshmërisht këtë. Në zbatim dhe në zbërthim të këtij neni është Rregullorja e Parlamentit, për veprimtarinë dhe organizimin e të cilit ka vlerën, autoritetin e një ligji të rëndësishëm, ajo që shprehet se, deputeti që mungon në fillim të punimeve të legjislaturës, duhet ta bëjë betimin ditën kur hyn në Kuvend, pa u përcaktuar se cilit muaj apo viti i takon kjo ditë.
Në këtë kuptim, nuk ka vlerë llogaritja e muajve që nga shtatori i këtij vitit, pra që nga fillimi i Legjislaturës XVIII, gjatë të cilëve deputetët opozitarë kanë munguar në Kuvend. Nuk ka vlerë, sepse ata ende nuk e kanë bërë betimin dhe mund ‘t’u mbushet mendja’ vetëm kur ta gjykojë secili të arsyeshme të kryejë këtë veprim. Secili, ngaqë – sipas nenit 164 të Kodit Zgjedhor - mosbërja e betimit duhet të shprehet në mënyrë publike dhe individuale. E pra, deri tani asnjë prej parlamentarëve që mban emblemën e PS–së nuk është shprehur kundër betimit, sikurse s’është parë e dëgjuar të shqipërojë formulën standarde. Dhe, me sa po kuptohet, as nuk pritet të shfaqet në sallën e Kuvendit, për sa kohë që nuk plotësohen kërkesat e opozitës dhe të një mase të gjerë popullore, të një numri gjithnjë e më të madh votuesish të disa shtresave dhe kaheve, që ndoshta për plot javë, për disa muaj do të vazhdojnë, sidomos të pyesin të grumbulluar shesheve të Shqipërisë: “Ku është vota ime?”.

***
Këta deputetë, që sikurse ata të krahut të djathtë e kanë fituar mandatin (bashkë me imunitetin) qysh kur janë shpallur si të tillë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri më sot nuk përfitojnë pagën e parlamentarit. Ky bllokim material elementar që u bëhet nga Qeveria e Sali Berishës përbën gjithashtu një presion, një kërcënim, për t’i detyruar që të ndërrojnë rrugë: nga sheshet qendrore te hyrja e Kuvendit.

Por, në këtë ambient, në këtë hapësirë të vërejtur përhapet edhe një zë tjetër, sipas të cilit s’ka përse të paguhet tjetri, kur s’bën asnjë punë për funksionin që ka. Pavarësisht motiveve që e shtyjnë ta formulojnë atë pikërisht tani, arsyetimi i shprehur nëpërmjet tij nuk ka se si të injorohet. Veçse, gjithashtu, nuk mund të mos bëhen përpjekje për të freskuar kujtesën, për të përmendur precedentët e krijuar në dy legjislatura të mëparshme. Fjala është te pas-zgjedhjet e vitit 1997 dhe pas atyre të vitit 2001, kur maxhoranca aktuale e dyshimtë përbënte opozitën e padyshimtë. Asokohe, megjithëse unikalisht deputetët e saj edhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës e braktisën Kuvendin për muaj e muaj të tërë, rrogat u jepeshin atyre lek më lek.

Ndërsa, kundërshtarëve parlamentarë të sotëm të Sali Berishës u tregohet prej këtij të fundit në mënyrë të përmbysur dhe hipokrite Kushtetuta, ligjet. Në një kohë që ata, edhe sikur të kishin bërë betimin e pastaj të largoheshin nga Kuvendi, nuk u drejtohen kazinove ose pikave turistike, për ta cilësuar mungesën e tyre pa arsye. Jo, veprimtaria e këtyre deputetëve mbështet kërkesat e votuesve dhe nevojat elementare të tyre për të përmirësuar nivelin e jetesës, çka në sistemin demokratik, tek e fundit, buron fillimisht prej zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›