E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pabarazia politike e qytetarëve gjatë zgjedhjeve

09/03/2005  -Në zgjedhjet e ardhshme, kandidatët për deputetë, që gëzojnë aktualisht statusin e nëpunësit të lartë të administratës civile, do të jenë politikisht shumë më të privilegjuar se kandidatët për deputetë që janë qytetarë të thjeshtë.

-Avantazhet e nëpunësit të lartë janë faktorë sociologjikë, që priren ta kthejnë postin e tij administrativ nga një detyrë në shërbim të shoqërisë në një trampolin për të bërë karrierë politike personale. Demokracia do të kthehej kështu në burokraci, duke ripërtëritur mandatin e të njëjtëve individë dhe grupe pushtetarësh të palëvizshëm dhe duke rrezikuar të krijojë kasta të privilegjuara politikisht.

-Kodi ynë zgjedhor nuk parashikon ta pengojë këtë prirje dhe është larg standardeve të kodeve zgjedhore të vendeve të tjera demokratike që realizojnë një shkallë shumë më të lartë barazie për qytetarët, pavarësisht pozitës së tyre zyrtare.

Edhe Kushtetuta, por edhe kodi zgjedhor në fuqi, shprehin hapur dhe qartë parimin se të gjithë qytetarët janë politikisht të barabartë. Përpara ligjit, ata kanë të drejta dhe detyra të barabarta. Në fund të fundit, ky është edhe një nga tiparet më të rëndësishme dhe thelbësore të një shoqërie dhe shteti demokratik. Hiqni ose cënoni sadopak këtë parim bazë dhe, sigurisht që, do të ndikoni për të shkaktuar çekuilibrime të rënda të marrëdhënieve politike në shoqëri, të para këto edhe si marrëdhënie të qytetarit me shtetin dhe si marrëdhënie horizontale midis vetë qytetarëve. Po të ndodhte një diçka e tillë, do të hapeshin të gjitha shtigjet që në shoqëri të lindnin pabarazi politike midis shtetasve, çka do të sillte si pasojë edhe lindjen e pamerituar të diferencimeve të rënda shoqërore, ekonomike dhe kulturore. Disa grupe qytetarësh do të bëheshin kështu të privilegjuar dhe shumica tjetër do të privohej verbërisht nga shumë të drejta reale politike.

Brenda demokracisë do të lindte sistemi i privilegjeve, që do të riprodhoheshin, duke u bërë të qëndrueshme dhe të ripërtëritshme nga njëra dekadë në tjetrën, duke e tërhequr demokracinë drejt një aristokracie pa aristokratë.

Përse e ngrejmë tani këtë problem?

Kjo ndodh sepse, për disa arsye të caktuara, kodi zgjedhor ndërsa realizon në përgjithësi barazinë politike të shtetasve përpara kutisë së votimit, duke siguruar zgjedhje demokratike, të lira, të drejtpërdrejta e të fshehta, pasi njeh se të gjithë qytetarët kanë të drejta politike dhe juridike të barabarta për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, nga ana tjetër, lë shumë shtigje ligjore që këto barazi të cënohen.

Problemi që ngremë, na duket shumë i rëndësishëm, sepse kemi të bëjmë me aspekte të cënimit të barazive politike të shtetasve jo nëpërmjet falsifikimeve antiligjore që mund të kenë bërë njerëz të papërgjegjshëm, as për manipulime votash që s’kanë munguar, as për parregullsi të qëllimta, ose të paqëllimta në listat e zgjedhësve - të gjitha këto janë sigurisht akte që vijnë në kundërshtim me ligjin - por bëhet fjalë për pabarazi politike, që i lejon vetë gërma dhe fryma e ndonjë neni, apo paragrafi të vetë kodit zgjedhor.

Zgjedhjet po afrojnë. Qytetari shqiptar, pas një fushate parazgjedhore, do të shkojë për të votuar lirisht për kandidatin për deputet dhe forcën politike që i beson. Nga kjo pikëpamje, është një fitore e shoqërisë shqiptare, që pushteti ligjërisht del nga vullneti i përgjithshëm popullor. Në nenin 3, artikulli 4, i kodit zgjedhor, thuhet shprehimisht: «Zgjedhësit janë të barabartë në ushtrimin e të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur».

Por, pasi lexohet kjo formulë juridike shumë e rëndësishme, që buron nga të drejtat politike kushtetuese të qytetarëve, lind pyetja:

Në fakt, a realizon dhe a e siguron gjithmonë, sa duhet, si duhet dhe konkretisht ligja e kodit zgjedhor këtë barazi të zgjedhësve përpara procesit të votimit?

A janë vërtet të barabartë politikisht qytetarët kur zgjedhin dhe kur zgjidhen?

Dhe mbi të gjitha, kur krahasohemi edhe me shoqëri të përparuara, ose edhe fqinje me ne, a mund të themi se këto barazi politike i kemi të zhvilluara në atë masë sa të shpresojmë se i përmbushim standardet e sotme demokratike evropiane?

Përgjigjen që kam po e jap menjëherë: Në këndvështrimin tim, mendoj se jemi ende shumë larg për t’i dhënë një dalje të lumtur pozitive pyetjeve të mësipërme. Edhe një herë dëshiroj të theksoj se nuk është fjala për zbatimin konkret në jetën praktike të ligjit. Në këtë prizëm, as që mund të shpresohet një situatë e përkryer dhe brenda të gjitha normave. Nga ligji te zbatimi i tij praktik ka një hapësirë të gjerë ndarëse. Por këtu e kemi fjalën për diçka më serioze, që ka të bëjë me vetë formulimin e ligjit.

Në fakt, një analizë krahasuese e neneve të kodit zgjedhor dëshmon se edhe midis kandidatëve, që rivalizojnë për t’u zgjedhur si deputetë, por edhe midis vetë zgjedhësve, ka ende pabarazi politike që i toleron, i lejon dhe i nxit vetë kodi zgjedhor.

1.Pabarazia e kandidatëve

Kandidatët që do të rivalizojnë midis tyre për t’i fituar votat zgjedhësve do të jenë të shumtë, të ngjyrave politike nga më të ndryshme dhe do të përfaqësojnë individë me personalitete të ndryshme, me formim të ndryshëm kulturor, me karrierë të ndryshme profesionale, me nivel arsimor të ndryshëm, si edhe me status social dhe ekonomik shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri.

Në këtë plan të statusit shoqëror, ekonomik, kulturor të kandidatëve nuk duhet kërkuar barazi. Si një shoqëri e mbështetur në pabarazi ekonomike, shoqërore dhe kulturore, shoqëri e zgjedhjeve dhe e iniciativave të lira, pabarazia në planin shoqëror, ekonomik dhe kulturor e kandidatëve është fare normale dhe e pranueshme. Ajo është një karakteristikë pothuajse natyrore e individëve në kohën që jetojmë. Në filozofinë politike bashkëkohore, kur flitet për barazinë politike të kandidatëve që kërkojnë votën e zgjedhësve nuk kihet parasysh të kërkohet një barazi sociale e tyre. Aspak. Kërkohet që ata të jenë të barabartë politikisht, domethënë të barabartë për nga statusi i tyre politik, nga të drejtat dhe detyrat politike dhe juridike që iu vë ligja si edhe nga pikëpamja e barazive ligjore e politike në ushtrimin e veprimtarisë së tyre si kandidatë për deputetë.

Pavarësisht se në teoritë e sotme politike nuk kërkohet të vendoset dhe të respektohet barazia sociale e kandidatëve, përsëri propozohen masa që kandidatët edhe nga pikëpamja e kushteve materiale të mos e ndjejnë shumë peshën e pabarazive që rrjedh vetiu prej statusit shoqëror dhe ekonomik të tyre. Këtë e zbatojnë në praktikë demokracitë e përparuara, kur kërkojnë që të ketë një barazi në kohën që mediat iu vënë në dispozicion kandidatëve, pavarësisht se bie fjala njëri prej tyre mund të jetë shumë i pasur dhe të ketë kompanitë e veta mediatike dhe tjetri të jetë relativisht dikushi, me të ardhura relativisht modeste dhe pa mundësi financiare për të marrë hapësira mediatike me qira. Kjo përpjekje shihet edhe kur kontrollohen disi shpenzimet që bëhen për fushatat elektorale apo në aspekte të tjera. Edhe kodi ynë zgjedhor ka prirje, ndonëse ende fare të pazhvilluara dhe të cekta, që të marrë parasysh këto kërkesa dhe praktika të demokracive moderne.

Ndërsa dallimet sociale midis kandidatëve ligja synon t’i zbusë gjatë procesit paraelektoral, kur është fjala për dallime politike dhe pabarazi politike, për privilegje, kuadri juridik i demokracive perëndimore është shumë vigjilent, tepër kërkues dhe shumë i prerë. Privilegjet politike në favor të disa kandidatëve dhe diskriminimi i kandidatëve të tjerë është fare i papranueshëm dhe i patolerueshëm.

Po të shohim kodin tonë zgjedhor, atë që është aktualisht në fuqi, dhe siç duken «bathët e priftit» me të cilin do të shkojmë në zgjedhjet parlamentare që po afrojnë, do të konstatojmë se vetë ligja lejon që midis kandidatëve të ketë pabarazira politike jo të vogla.

Pabarazia kryesore politike do të jetë midis dy lloj tipe kandidatësh. Nga njëra anë do të jenë kandidatët që gëzojnë status politik dhe administrativ të caktuar dhe nga ana tjetër kandidatët që nuk kanë asnjë lloj statusi administrativ dhe politik. Te të parët bëjnë pjesë nëpunës të lartë të shtetit, drejtues të ndërmarrjeve kombëtare publike, administratorë të lartë të institucioneve shtetërore, apo të pushtetit lokal, si edhe deputetë të pozitës, por edhe të opozitës, njerëz me funksione në shërbime të rendit, të policisë apo të forcave të armatosura, që kanë vendosur të kandidojnë për deputetë. Në grupin e dytë, bëjnë pjesë kandidatë për deputetë që, ndofta, mund t’i takojnë partisë apo grupimeve politike qeveritare, apo edhe opozitës, por që nuk kanë asnjë pozitë administrative në shtet apo në administratë.

Në fakt ligja, kodi zgjedhor, pengon disa persona me status pushteti, si për shembull kryetarë bashkish, si edhe vendos kufizime për disa të tjerë, kur është fjala për të vënë kandidaturat e tyre për deputetë.

Por, problemi është shumë më i gjerë dhe shumë më i ndërlikuar sesa kaq.

Duke analizuar kodin zgjedhor, mund të vësh re, pa shumë vështirësi, se kandidatët që kanë një status politiko-administrativ të caktuar kanë mundësi të gjejnë shtigje boll të gjera për ta përdorur pozitën e tyre politike në favor të krijimit të pabarazive në shanset për t’u zgjedhur, në krahasim me rivalët e tyre, që vijnë në procesin zgjedhor si kandidatë, duke qenë qytetarë të thjeshtë.

Në fakt, këto lloj pabarazish janë pabarazi të mirëfillta politike, ose siç i quajnë në gjuhën e filozofisë politike bashkëkohore përbëjnë privilegje të pamerituara, pra jashtëkushtetuese.

Statusi politik dhe administrativ në asnjë rast nuk mund të trajtohet si pabarazitë e tjera sociale dhe ekonomike midis kandidatëve. Pozita zyrtare dhe administrative është marrë për t’i shërbyer qytetarit dhe shoqërisë dhe nuk mund të bëhet një trampolinë për t’i dhënë individit shanse suplementare për t’u rizgjedhur në elitën politike të vendit. Po të ndodhte kjo, atëherë do të krijohej një cikël i mbyllur tepër dëmsjellës. Dikush do të kishte një pozitë zyrtare dhe duke e përdorur atë për t’u zgjedhur apo rizgjedhur si deputet do të riciklonte pafundësisht pozitën e tij, duke cënuar barazitë qytetare përpara ligjit dhe në shtet. Statusi politik dhe administrativ nuk është meritë personale, as edhe një post privat, që mund të përdoret për të përforcuar karrierën personale. Ai është i lidhur me një post dhe funksion administrativ apo politik, që nënkupton vetëm shërbime ndaj bashkësisë dhe kompetenca ekskluzivisht në shërbim të interesit të përgjithshëm. Kuptohet se sa e rrezikshme do të ishte për demokracinë e një vendi nëse klasa e administratorëve do të kishte mundësinë që kompetencat e marra, për t’i shërbyer qytetarëve, t’i përdorte për të siguruar dhe garantuar rizgjedhjen e saj në pushtet. Sunduesit do të krijonin një cikël të mbyllur ripërtëritës, duke u shndërruar në një plutokraci të përhershme. Me këtë, nuk duam të themi se një zyrtar që ka punuar mirë dhe ka reputacion në shoqëri nuk ka të drejtë ta përdorë emrin e tij të mirë për të marrë apo rimarrë votat e zgjedhësve të tij. Por, kjo është një çështje krejt tjetër.

Në fakt ky shqetësim e ka cikur disi fare pak edhe përmbajtjen e kodit tonë zgjedhor. Në nenin 5 të tij, ai shprehet: «Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj nuk mund të përdoren dhe të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose koalicioneve në zgjedhje burime të ministrive, ose të institucioneve të tjera të administratës publike në nivel qendror ose vendor».

Duket sikur edhe kodi i ynë zgjedhor i ka dalë përballë rrezikut të shndërrimit të demokracisë në burokraci, domethënë në një formë ripërtëritëse sundimi të zyrtarëve apo të kthimit të shërbëtorëve të shtetit në mbajtës të përhershëm të autoritetit politik të tij. Por, në të vërtetë formulimi në kodin aktual zgjedhor i kësaj ndalese është krejt abstrakt, i pakonkretizuar dhe lë shtigje të gjera për ta anashkaluar dhe kapërcyer me lehtësi gati fluturake.

Së pari, një zyrtar apo përgjegjës i një administrate të caktuar shpallet zyrtarisht kandidat për t’u zgjedhur në një periudhë relativisht fare të shkurtër përpara zgjedhjeve. Por, kjo nuk do të thotë që në kokën e tij të mos kenë qenë shumë më përpara ideja, synimi dhe qëllimi për t’u paraqitur si kandidat në një zonë të caktuar zgjedhore. Në këtë mënyrë askush dhe asnjë ligj nuk ka mundësi ta ndalojë atë që shumë kohë më parë sesa të fillojë zyrtarisht fushata zgjedhore të kryejë trafik influencash politike dhe opinioni, duke drejtuar flukse financimesh, të mirash materiale, privilegjesh, investime në zonën dhe në dobi të aktorëve lokalë ekonomikë të krahinës, ku synon të kandidojë për deputet. Nga kjo pikëpamje, formulimi i mësipërm i kodit zgjedhor është farë joveprues dhe i kotë.

Së dyti, kur dikush është punonjës i lartë i administratës dhe njëkohësisht kandidat për deputet në një zonë zgjedhore, ai mund ta privilegjojë këtë zonë dhe askush nuk do të ishte në gjendje të vërtetonte se këtë e kishte bërë për qëllime elektoraliste. I interesuari mund të mbrohej, duke thënë se në fakt kishte bërë vetëm detyrën e tij si administrator kur për shembull do të kishte emëruar njerëz të tij në poste lokale për t’i pasur si mbështetje në opinionin publik. Edhe në këtë pikë, formulimi i cituar i kodit zgjedhor është fare joefikas pikërisht se ai s’përmban asnjë element juridik që do ta lejonte një instancë të caktuar të shtetit që të gjykonte dhe të provonte se veprimi ose mosveprimi i një administratori të lartë në krye të detyrës do të kishte qenë bërë për qëllime elektoraliste, apo ushtruar në mënyrë korrekte, si pjesë e mirëfilltë e ushtrimit të detyrave të tij si funksionar i administratës së shtetit.

Së treti, askush nuk e pengon një zyrtar të lartë të administratës, apo që mund të ndodhet në një post të lartë administrativo-politik që të përdorë veturat e shtetit, të bëjë inaugurime të caktuara në zonat e interesit të tij elektoral, me mjetet dhe investimet e shtetit. Dikujt që ligjërisht do t’i thoshte se jeni duke abuzuar me postin për qëllime elektorale! – i akuzuari do të mund t’i përgjigjet se e keni gabim, zotëri i nderuar, unë nuk jam duke bërë veçse detyrën time si administrator.

Pra, duket qartë se punonjësit dhe zyrtarët e shtetit hyjnë në zgjedhje, duke zotëruar si kandidatë për deputetë një sërë privilegjesh politike. Nuk është fjala të akuzohen ata apriori se këto privilegje politike do t’i vënë në çdo rast në shërbim të karrierës së tyre politike personale. Kjo s’ka fare rëndësi të përmendet. Në gjykimin e filozofisë politike mjafton të konstatohet se ligja i lejon këto pabarazi politike të papranueshme për demokracinë dhe që rrezikojnë ta kthejë atë në burokraci, apo në sundim të administratorëve, për të arysetuar në mënyrë kritike.

Lexuesi mund të pyesi me të drejtë: «Epo, si t’ia bëjmë atëherë. S’ka rrugë tjetër. Edhe demokracia ka të metat e saj». Ndonjë më i ditur do të thotë atë që ka në majë të gjuhës a të penës për të justifikuar çdo lloj perversiteti: «Edhe në shtetin e Togos kështu ndodh!!!».

Por, le të mos bëjmë shaka.

Sigurisht që nuk ka sistem politik të përsosur. Në këtë këndvështrim edhe demokracia nuk mund të realizojë një barazi politike krejt të paqortueshme dhe pa problemet e veta. Por, lidhur me këtë vërejtje të mundshme, që mund të formulohet nga lexuesi ynë kritik, ne kemi dy përgjigje paraprake.

E para, është se edhe vetë fakti i njohjes së ndërgjegjshme të pikave dhe shtigjeve të tjetërsimit të demokracisë në burokraci, apo në aristokraci pa aristokratë, ku shërbëtori politik i shoqërisë ka rrezik të kthehet dhe të bëhet zot i saj, është një hap i rëndësishëm për të zbritur nga bota ideologjike e iluzioneve në terrenin praktik të politikës empirike. S’është, sidoqoftë, edhe aq pak në një kohë kur sloganet politike dhe formulat boshe ideologjike kanë mbështjellë horizontin e debatit tonë publik.

Së dyti, njohja e këtij fakti do të na bëjë të shkojmë në mënyrë më të ndërgjegjshme dhe të shpejtë drejt ngushtimit sa më të madh të këtyre shtigjeve dredharake, që prodhojnë tinëz privilegje politike kastash administrative dhe politike, duke na çuar drejt përvojave demokratike më të përparuara sesa kjo e jona, së paku për çështjen për të cilën po flasim.

Duke studiuar për këtë çështje lexova me kujdes kodin zgjedhor që është në fuqi në Greqinë fqinje. Sigurisht që nuk jam partizan i krahasimeve që s’qëndrojnë më këmbë, as nuk jam ndonjë tifoz i modelit politik të shtetit fqinjë, por u ndala në këtë përvojë konkrete, thjesht duke u nisur nga fakti se Greqia është një vend fqinjë, se herë pas here përvoja greke merret si argument për të bërë ndryshime në ligjet tona nga politikanë të ndryshëm dhe se qysh në hartimin e Kushtetutës sonë në vitin 1998, më kujtohet se përgjegjësit e shtetit ftuan edhe konstitucionalistë grekë për të dhënë përvojën e tyre për mënyrën se si do të ndërtohej sistemi ynë politik. Parë në këtë vështrim, ndofta lexuesit mund t’i interesojë se si përpiqet kodi zgjedhor grek, atje në vendin e tij, për të ngushtuar, me sa mundet, riciklimin e privilegjuar të zyrtarëve të administratës dhe katapultimin e tyre nga administratorë në deputetë, pra nga shërbëtorë të shtetit në bartës të deleguar të sovranitetit shtetëror, duke spekuluar me detyrën shtetërore parimisht të vënë në shërbim të shoqërisë dhe duke e kthyer atë në një trampolin të karrierës politike personale.

Në kodin zgjedhor grek vë re se funksionarëve civilë iu vihen ndalesa konkrete, praktikte, efikase për t’i penguar ata që statusin zyrtar të tyre ta shndërrojnë në privilegj politik sundimi. Sigurisht që edhe funksionarët e lartë të administratës, zyrtarë të shërbimeve të rendit, ushtarakë etj., janë qytetarë dhe si të tillë nuk mund të privohen nga të drejtat e tyre politike. Kushtetuta iu lejon atyre që, si të gjithë qytetarët e tjerë, të zgjidhen dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në pushtetin qendror dhe atë vendor. Kjo s’ka vend që të diskutohet më tepër. Por, si kandidatë për deputetë, ata duhet të mos e përdorin pozitën dhe statusin e tyre administrativ për të krijuar pabarazi politike në krahasim me kandidatët e tjerë. Përndryshe, barazia e qytetarëve përpara ligjit do të komprometohej rëndë. Nëse dëshirojnë vërtet t’i shërbejnë shoqërisë si të zgjedhur në Parlament, apo në pushtetin vendor, në fillim ata duhet të pranojnë t’i «zbresin kalit», të lëshojnë postet e tyre administrative, të japin dorëheqjen prej tyre, dhe pastaj të kandidojnë duke qenë në të njëjtin status, sikurse edhe qytetarët e tjerë, që kanë vendosur kandidaturat e tyre përpara elektoratit. Dhe të mos kujtojmë se kjo dorëheqje mund të bëhet sa për sy e faqe, domethënë vetëm tre apo katër ditë përpara fillimit të fushatës elektorale dhe posti zyrtar mund të rimerret në rast moszgjedhjeje në dekikën e parë pas shpalljes së rezultateve zgjedhore. Askush nuk e lë zyrtarin të luajë «me qarrin». Po doli deputet mirë, po nuk doli, punë e madhe, s’prish punë, e rimerr menjëherë postin, nga i cili kishte dhënë dorëheqjen dhe që miqtë e tij politikë e kishin lënë vakant për të në rast dështimi. Krejt në kundërshtim me këto praktika, që i kemi ndeshur te ne në mënyra tepër butaforike, kodi zgjedhor grek e ndalon për një vit kthimin e funksionarëve publikë në postet prej nga kishin dhënë dorëheqjen me qëllim që të kandidonin për deputetë, ose për këshilltarë në pushtetin lokal. Ligja, pra, i këput urat e trafikimit të influencës dhe e shprish privilegjin e zyrtarit si kandidat në zgjedhje, çka në fakt është thjesht një privilegj politik, aspak demokratik.

Po ky kod zgjedhor grek shkon edhe më thellë në kërkimin e një barazie politike të qytetarëve, që kandidojnë për t’u zgjedhur. Funksionarë të caktuar të lartë të administratës publike, sikurse janë për shembull sekretarët e ministrive dhe dikastereve qendrore të shtetit, nuk kanë të drejtë të kandidojnë, nëse kanë qenë në një post të tillë ose ekuivalent me të përgjatë gjashtë muajve të fundit të katër vjetëve të legjislaturës që është duke u mbyllur. Po kështu, përfaqësuesit kryesorë të pushtetit lokal apo zyrtarë të lartë të administratës lokale, mjafton të kenë qenë tre muaj gjatë tre vjetëve të fundit në postin e tyre, dhe automatikisht iu hiqet e drejta të kandidojnë në zonën ku e kanë ushtruar funksionin përkatës. Nëse do të dëshironin të kandidonin mund ta bënin këtë si të gjithë qytetarët e tjerë, por në një zonë tjetër, duke u privuar nga një privilegj politik antidemokratik, siç do të kishte qenë abuzimi me postin e dhënë për t’i shërbyer kolektivitetit.

Dhe të mos harrojmë se këto përvoja nuk janë specifike për shtetin fqinj. Vende të tjera i zhvillojnë ato në forma të tjera dhe në kushte të tjera. Ajo që është e përgjithshme lidhet me synimin për ta penguar zyrtarin të përdorë statusin e tij për të riprodhuar pafundësisht një pushtet të kthyer në një status sundimtari, në një kastë burokratike.

Mjafton të bëjmë këto krahasime për t’u vënë në mendime, duke medituar se sa larg këtyre standardeve është ende kodi ynë zgjedhor, se sa shtigje pabarazish politike lejon të mbeten ende hapur ai.

2.Pabarazia e zgjedhësve

Por, mund të thuhet gjithashtu se kodi ynë zgjedhor nuk arrin që të vendosë barazi politike që duhet edhe midis grupeve të ndryshme të zgjedhësve, dhe kryesisht të atyre zgjedhësve që jetojnë, banojnë e punojnë në emigracion.

Duke mos parashikuar të drejtën për emigrantin që të votojë në vendet përkatëse pritës, kodi zgjedhor thekson në nenin e vet të 11 se: «Zgjedhësit, që banojnë në një shtet tjetër kanë të drejtë të votojnë vetëm në territorin e Republikës së Shqipërisë».

Le ta lemë mënjanë faktin se ky formulim i ligjit shkakton një pabarazi shumë të madhe midis shtetasve shqiptarë, që banojnë në territorin shqiptar dhe shtetasve shqiptarë që banojnë apo punojnë në emigracion, ta zemë në Itali apo në Greqi. Këto nuk janë thjesht pabarazi sociale, por pabarazi të mirëfillta politike. E themi këtë se ato mbështillen rreth një koncepti administrativo-juridik, që është ai i «qendrës së banimit». Për shtetasin-zgjedhës, që banon në territorin shqiptar, krijohet e drejta që ai të votojë në zonën zgjedhore që përkon me vendin e tij të banimit. Ndërsa për shtetasin shqiptar–zgjedhës që banon në emigracion, ta zemë në Greqi, nuk njihet e drejta që edhe ai të regjistrohet dhe të votojë pranë qendrës së tij të banimit. Atij i duhet të ngrihet e të vijë në Shqipëri, nëse do që të shprehë vullnetin e tij politik nëpërmjet votës.

Por, siç thamë më lart, le ta lemë mënjanë këtë aspekt, që është disi i diskutueshëm. Ta shohim problemin në një aspekt logjik dhe juridik. Kodi zgjedhor thekson se shtetasit shqiptarë me banim në vende të huaja mund të votojnë vetëm në territorin shqiptar. Por, në territorin shqiptar ku ekzaktësisht do të mund të votojnë ? Ligja e thotë shprehimisht se zgjedhësit regjistrohen pranë zonave të tyre të banimit ose të qendrimit. Pra, nga njera anë emigrantët konsiderohen se banojnë jashtë shtetit, pra nuk banojnë në territorin shqiptar, dhe pastaj prezumohet se ata mund të regjistrohen në zonat e banimit të tyre në Shqipëri!!!

Kontradiksioni logjik është fare i dukshëm.

Edhe konsiderohen me vendbanim jashtë Atdheut dhe thuhet se mund të votojnë në vendbanimin e tyre në Shqipëri!!!

Por, duke dalë përtej lojës logjike me konceptet, problemi mbetet real.

Ku do të regjistrohen dhe votojnë emigrantët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës?

Supozohet se ata do të regjistrohen dhe votojnë në ato zona ku kanë pas banuar përpara se të kenë ikur në mërgim a kurbet.

Mirëpo kush i ka regjistruar atje se?

Mirë disa që i ruajnë shtëpitë e dikurshme në zonat nga janë nisur për kurbet dhe kanë mbetur të regjistruar në lista të vjetra, mund të vazhdojnë të jenë të regjistruar. Mirë ata që i regjistrojnë prindërit e tyre. Por çfarë do të bëhet me ata mijëra dhe dhjetra mijëra emigrantë, që kanë ikur në mërgim dhe nuk kanë më shtëpi banimi në zonat e dikurshme nga janë nisur.

Ku do të regjistrohen këta të fundit?

Kush do t’i regjistrojë?

Ku do të votojnë?

Ata janë megjithatë qytetarë shqiptarë dhe e kanë si gjithë të tjerët të drejtën e votës.

Mund të ndodhë që në kohë vere ata të jenë në Shqipëri, të kërkojnë të votojnë dhe askush të mos i ketë regjistruar nëpër lista zgjedhore. Pabarazia politike do të qendronte pikërisht këtu. Një shtetas shqiptar emigrant në Greqi – ta zemë – që ka të afërm në Shqipëri dhe shtëpi banimi në Atdhe – ka mundësi të ushtrojë të drejtën e tij të votës, ndërsa një emigrant që s’ka të afërt në krahinën e tij, që është larguar nga vendlindja e tij me gjithë familje, me gjithë shtëpi, atë rrezik se askush nuk e regjistron si votues të mundshëm.

Ku është pra zona që mund të regjistrohet ai në listat zgjedhore?

Ku do të quhet vendbanimi i tij?

Edhe nëse caktohet një status i veçantë për emigrantin zgjedhës, pyetja bëhet cfilitëse: Kush do të quhet emigrant? Si do të njihet dhe kategorizohet ligjërisht një emigrant?

Pabarazia politike do ta bëjë shpesh këtë të fundit të sillet vërdallë pa mundur ta hedhë gjëkundi votën si verdiktin e tij qytetar për fatet e vendit të tij.

Ankesat s’do të rreshtin, duke mos munguar të hedhin ndonjë hije të pakëndshme mbi vetë procesin zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›