Universiteti i Bolonjës, shërbime për 11 universitete shqiptare
Cineca, konsorciumi ndëruniversitar me seli në Bolonjë, që merret me menaxhimin e qendrës së llogaritjeve elektronike, do të angazhohet për dhënien e shërbimeve në 11 universitete shtetërore shqiptare. Lajmi u dha nga rektori i “Alma Mater”, Ivano Dionigi, gjatë vizitës në këtë universitet të Presidentit shqiptar Bamir Topi. Fjala është për shërbime të ngjashme me ato që Cineca jep për universitetet që bëjnë pjesë në konsorcium. Emilio Ferrari, presidenti i qendrës dhe zëvendësrektor i Universitetit të Bolonjës, shpjegon se është nënshkruar një kontratë me një vlerë prej 1.4 milionë eurosh. “Do t’u afrojmë një variant të u-gov”, - tha ai. Bëhet fjalë për sistemin informativ të integruar për administrimin e universiteteve dhe të enteve të kërkimeve, për administrimin e objektivave, strategjive dhe burimeve. Ky sistem merret me portalet në internet, por edhe me mbajtjen e llogarive, me planifikimin e ofertës didaktike dhe me aspekte të tjera. Në kuadrin e të njëjtit projekt, Universiteti i Bolonjës, nëpërmjet sektorit të marrëdhënieve ndërkombëtare ka krijuar edhe lidhje të tjera më Shqipërinë.