E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacientët e QSUT, 50 % të ilaçeve të rimbursuara i blejnë në farmaci

Spitali nuk disponon barnat më të domosdoshme 
Me gjithë zhurmën dhe ankesat intensive të bëra publike, pacientët e qendrës spitalore më të madhe në vend, QSUT, vazhdojnë ti blejnë vetë pjesën kryesore dhe më të rëndësishme të ilaçeve. Edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar rimbursimin 100 % të ilaçeve, pacientët e pavijonit të kardiologjisë, ilaçet më të shtrenjta dhe të domosdoshme, i blejnë në farmacitë aty rrotull. Ndërkaq, në emër të reformave në shëndetësi dhe të ardhjes së ministres së re, Anila Godo, është deklaruar se në vitin 2009 nuk do të ketë më mungesë ilaçesh në spitale, duke i dhënë fund abuzimeve sistematike dhe zhvatjes së pacientëve. Megjithatë, realiteti flet ndryshe. Pacientët e QSUT tregojnë ilaçet që blejnë në farmaci të rekomanduara nga mjeku përkatës. Gjatë një vëzhgimi në disa pavijone të kësaj qendre, konstatuam se pacientët e shtruar në to, barnat e rekomanduara nga mjekët, i blejnë me shpenzimet e tyre jashtë spitalit, madje edhe shiringat dhe aspirinat. Ndërkohë, përsa i përket fenomenit të mungesës së barnave nëpër spitale dhe përgjegjësve për pajisjen e spitalit me medikamente, sipas mjekëve dhe infermiereve, nuk janë miratuar fonde të mjaftueshme nga buxheti i shtetit për të pajisur plotësisht me barna kapacitetin potencial të pavijoneve në QSUT. Kështu, barna të shtrenjta për të kuruar sëmundje të veçanta, janë të parimbursueshme nga ana e shtetit. Kam një muaj që jam shtruar në pavijonin e kirurgjisë dhe që atëherë i kam blerë vetë me shpenzimet e mija pothuajse më shumë se gjysmën e ilaçeve. Dhe pse nuk kam mundësi për ti përballuar financiarisht listën e ilaçeve të rekomanduara nga mjeku, më të cilat duhet të kurohem, jam detyruar që ti blejë se në spital nuk ka. Kjo është luftë për ekzistencë. Barnat që unë blej në farmaci janë më të shtrenjtat dhe pothuajse kryesoret si; "monocinque", "tulip", madje edhe "paracetamolin" e blej në farmaci. Kështu, në lidhje me cilësinë e shërbimit shëndetësor që ofrohet këtu, veç mund të them se, i mjeri ai që shtrohet në spital, u shpreh për gazetën SOT, Sulltan Sula nga rrethi i Kukësit. Ai ankohet me trishtim duke treguar recetën dhe faturat e barnave që ka blerë. Dhe pse ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo ka deklaruar se barnat për pacientët do të jenë objektivi themelor i për stafin e saj dhe se do të ushtrojë kontroll të rreptë pajisjen dhe përdorimin e tyre, aktualisht, mungesa e thellë dhe e përhershme e barnave në QSUT, është pranuar prej publikisht edhe nga drejtuesit më të lartë të këtij sektori. Siç duket problemi i mungesës së ilaçeve në QSUT, i ka rrënjët që nga mënyra e tenderimit, nga menaxhimi i fondit, listimi i laçeve etj. Mungesa e medikamenteve kryesore në QSUT, është evidente jo vetëm në pavijonin e sëmundjeve të brendshme, psikiatrisë, onkologjikut etj., por edhe në pavijonit e sëmundjeve të lëkurës (dermatologjisë). Pacientët e shtruar në këtë pavijon ankohen se i blejnë në farmaci ilaçet dhe për çmimet e papërballueshme të barnave për ekonominë e brishtë të tyre. Mjeku më ka këshilluar që barnat e rekomanduara duhet ti siguroj vetë, sepse sipas tij, këto ilaçe nuk gjenden në spital. Ndërkaq, kur pashë listën e barnave të rekomanduara, asnjëra prej tyre nuk gjendej në spital, madje as aspirina sipas mjekëve nuk ka. Po ti tregoj me çmime dhe artikuj barnat që kam blerë. "Mathotrexatin", "reumil" dhe "seven" nuk gjenden në spital, të cilat janë më kryesoret dhe të domosdoshme, pohoi Vera nga Erseka, e cila ishte shtruar në pavijonin e dermatologjisë. E megjithëse çdo qytetar gëzon të drejtën e shërbimit shëndetësor kombëtar në bazë të nevojave klinike, pa marrë parasysh aftësinë për ti paguar, pacientët e QSUT ende i blejnë barnat nëpër farmaci.
Ilaçet që mungojnë në QSUT
Barnat që mungojnë në pavijone të ndryshme të QSUT, të cilat Ministria e Shëndetësisë pretendon që i ka rimbursuar, që do të thotë se pacientët duhet ti marrin falas në spital, janë të shumta. Në pavijonin e sëmundjeve të lëkurës, pacientët vërtetuan se kanë blerë këto medikamente; "Belfast", "acido boriko", "methotrexat", "reumil", "seven" etj. Në pavijone të tjera mungonin barna të tjera si; "monocinque", "tulip", "hidroklortiazid", "antimykobakterialët", "antineoplazikët", "imunostimuluesit", "imunosupresivët", "lorazepam", "chlorazepatum", "cyclophosfanide", "mercaptopurinum", "clorambucil", "melphanum", madje edhe "aspirinën" dhe "paracetomoli". Pra, mungesa e barnave në QSUT, vihet re në përgjithësi, duke filluar që nga ato më elementaret deri të barnat e shtrenjta.  

Flasin pacientët
Sulltan Sula:                                                                                                                  
Kam një muaj që jam shtruar në pavijonin e kirurgjisë dhe, që atëherë i kam blerë vetë me shpenzimet e mija pothuajse më shumë se gjysmën e ilaçeve. Dhe pse nuk kam mundësi për ti përballuar financiarisht listën e ilaçeve të rekomanduara nga mjeku, më të cilat duhet të kurohem, jam detyruar që ti blejë se në spital nuk ka. Kjo është luftë për ekzistencë. Barnat që unë blejë në farmaci janë më të shtrenjtat dhe pothuajse kryesoret si; "monocinque", "tulip", madje edhe "paracetamolin" e blej në farmaci. Kështu, në lidhje me cilësinë e shërbimit shëndetësor që ofrohet këtu, veç mund të them se, i mjeri ai që shtrohet në spital. Kam ardhur nga Kukësi, ndërkohë pres që të bëhem operacion.                                                                                      

Hajrie Stafa:                                                                                                                    Bëra dy javë që jam shtruar dhe jam rrënuar ekonomikisht. Këtu në pavijonin e sëmundjeve të lëkurës, përveç infrastrukturës skandaloze të ambientit ku qëndroj, më duhet të përballem edhe me mungesën e ilaçeve. Barnat, siç e shikon i kam blerë vetë se nuk kisha rrugë tjetër. Kam blerë, "mathotrexatin", "telfost" i cili kushton 800 lekë një tabletë, kam blerë "reumil" dhe "seven". Natyrisht, deri më tani, se më vonë nuk i dihet se çfarë mund të më rekomandojë doktori. Të them të drejtën jam ankuar disa herë, por mjeku më ka thënë se spitali nuk i ka këto ilaçe.                                                            
Bardha Kola:                                                                                                                 
Mua jeta më ka shkuar më shumë në spital, ngaqë kam vuajtur prej kohësh nga zemra. Jam bërë operacion 3 herë. Për sa i përket çështjes së ilaçeve, megjithëse gëzoj statusin e invalides dhe jam e pajisur me librezë  shëndetësore, gjithmonë një pjesë i kam blerë vetë. Pothuajse gjysmën e barnave që më duhen i blej në farmaci, sepse në spital nuk gjenden.  

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›