E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicra ndihmon ndërtimin e pendës në Binqë

Qeveria zvicerane do të investojë edhe disa miliona euro në sektorin e ujit të pijes, u tha në Viti, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, për ndërtimin e një pende të ujit në grykën e lumit Morava afër fshatit Binqë të Vitisë.

Nga ky projekt do të përfitojnë komuna e Vitisë dhe ajo e Gjilanit.

Marrëveshja për ndërtimin e kësaj pende, e cila do të kushtojë rreth 30 milionë euro, u nënshkrua nga përfaqësuesi i kompanisë zvicerane VDS marketing L.T.D Edgard Van Sel, kryetari i Vitisë, Nexhmedin Arifi dhe ai i Gjilanit, Qemajl Mustafa, raporton KosovaLive.

Udhëheqësit e dy komunave thanë se nënshkrimi i kësaj marrëveshje, është faza e parë e realizimit të këtij projekti kapital për dy komunat, projekt që është mbështetur edhe nga Qeveria e Kosovës dhe do të mbështetet nga dy komunat përfituese.

Kryetari i Vitisë, Nexhmedin Arifi, shpjegoi se penda do të ndërtohet në grykën e Moravës, te Binqa. Sipas tij, ky projekt kapital në vlerë rreth 30 milionë euro, do të shërbejë për prodhimin e energjisë elektrike dhe për furnizim me ujë të pijshëm dhe për ujitje.

Edhe kryetari gjilanas, Qemajl Mustafa, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm projektin, duke i ditur nevojat e mëdha për ujë për dy komunat.

Në marrëveshjen e nënshkruar, janë të definuara të gjitha detajet, që nga faza e parë, e cila përmbledh dizajnimin, kalkulimin dhe planifikimin e projektit përfundimtar. Projekti do të realizohet gjatë katër viteve të ardhshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›