Fier, katër lojtarë në Prokurori
Trukimet e ndeshjeve, pezullohen Kaçi, Grami, Hoti dhe Shoshi
Klubi i Apolonisë ka dërguar për ndjekje penale katër futbollistë të skuadrës, nën akuzën e “trukimit të ndeshjeve, me qëllim përfitimi”. Depozitimi i kësaj padie është bërë ditën e martë, kur drejtuesit e këtij klubi, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo, i cili mban edhe postin e presidentit të klubit, kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp. Ata bënë publike lëvizjet e klubit për të goditur të gjithë elementët që luajnë me fatin e ekipit, por dhe për të konfirmuar “luftën” e ashpër që stafi i ka shpallur pazareve. “Kemi siguruar prova që lojtari Albert Kaçi ka qenë i përfshirë në trukimin e ndeshjes të zhvilluar kundër Shkumbinit në Peqin”, pohoi drejtori i FK Apolonia sh.a, Andi Derhemi. Provat janë grumbulluar pas analizës së zhvilluar me urgjencë të hënën, ndërsa klubi pretendon se trukimi është pranuar edhe nga vetë lojtari, i cili mësohet të ketë thënë: “Unë një herë u përfshiva dhe ja ku jam, po të tjerët që e bëjnë gjithmonë këtë?”. Kaq ka mjaftuar për të vënë në lëvizje gjithë stafin, për të kërkuar lojtarë të tjerë, të cilët janë përfshirë në “pazare”, pasi vetë Kaçi ka mohuar t’i tregojë. Nga hetimet e drejtuesve fierakë, ditën e martë, është dorëzuar në Prokurori kallëzimi penal në ngarkim të lojtarëve Albert Kaçi, Elton Grami, Etjon Hoti dhe Maringlen Shoshi.
Të gjithë futbollistët janë pezulluar menjëherë, ndërsa sipas drejtorit të Apolonisë, Derhemi “klubi posedon dëshmitarë dhe prova ndaj lojtarëve të mësipërm për përfshirjen e tyre në fiksim rezultati. Klubi është duke u hetuar për lidhjet e këtyre lojtarëve me persona jashtë skuadrës, të ashtuquajtur tifozë, me të cilët kanë bashkëpunuar në vendosjen e basteve dhe i ka kërkuar prokurorisë dhe hetuesve të FSHF-së që të hetojnë rreth përfshirjes së tyre në krimin e paravendosjes së rezultateve”. Ai shtoi më tej: “Klubi ka ndërmarrë hapa seriozë për verifikimin e plotë të këtij fenomeni dhe është vendosur për zbulimin dhe eliminimin e plotë të tij”. Ndërsa shefi i klubit, Iljaz Haxhiu, ka mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen e drejtuesve të lartë të këtij klubi në këtë vepër penale. Ai tha se fjalët e përhapura, sipas të cilave të përfshirë janë edhe zyrtarë të Apolonisë, janë thjesht thashetheme dhe paragjykime që vijnë nga pseudotifozët. Sipas Haxhiut, tashmë situata në skuadër është bërë e padeshifrueshme, duke përdorur shprehjen se “nuk dihet se kush është engjëll dhe kush është djall”.
Ndërkohë, kreu i Bashkisë së Fierit, i cili mbron interesin e komunitetit fierak, duke mbajtur 25 për qind të aksioneve të klubit Apolonia, deklaroi se do të vazhdojë të mbështesë ekipin dhe këto nisma që pastrojnë radhët e kontingjentit. “Do të vazhdojmë të mbështesim Apoloninë, për të dhënë një model të mirë të saj. Nuk do të fal ata që bëjnë pazare në emër të klubit apo drejtuesve. Nuk është ky modeli që duam të krijojmë. Ka më se një vit që shkallët e stadiumit janë shëmtuar nga tifozë arrogantë, të cilët vetëm shajnë dhe fyejnë. Nuk është kjo tradita e futbollit fierak”, është shprehur Baftjar Zeqaj.
#