E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kosova e Re" me probleme

Nga Express më 26 shkurt 2011 në ora 19:45

Për shkak të performancës jo të mirë financiare të kompanisë së sigurimeve Kosova e Re, Banka Qendrore e Kosovës ka caktuar këshilltarin Berat Begu nga BQK-ja me qëllim të ofrimit të këshillave për të tejkaluar problemet dhe vështirësitë financiare që ka kompania.

Zyrtarë të kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re” nuk janë shprehur shumë të disponuar për të folur lidhur me këtë çështje. Sipas tyre, BQK-ja është mbikëqyrëse financiare e “Kosova e Re”, sikurse për të gjitha institucionet financiare, duke mos pranuar faktin se BQK-ja ka emëruar këshilltar financiar për shkak të vështirësive financiare të kompanisë. Duke i konsideruar si çështje të ndjeshme problemet financiare të kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë të përgjigjen vetëm përmes postës elektronike.

Zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada, ka pranuar përmes email-it se BQK-ja ka caktuar këshilltarin Berat Begun për kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re” për t’i ofruar këshilla për performancë më të mirë financiare, pas konstatimeve se kjo kompani ka vështirësi financiare.

“Është dërguar një këshilltar që të ofrojë këshilla që Kompanisë (Kosova e Re) t’i ndihmojë në ngritjen e një performance më të mirë financiare. Kjo është bërë konform rregullativës ligjore. Në bazë të Rregullores 2001/25, çdo kompani e sigurimeve, të cilat hasin vështirësi financiare, pas mbikëqyrjes që i bëhet nga ana e Rregullatorit, në këtë rast nga BQK-ja iu caktohet këshilltari me qëllim të ofrimit të këshillave për të tejkaluar situatën, apo problemet financiare”, ka thënë Kada.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›