E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, sa do paguhen komisionerët

TIRANË- Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, përveçse ka sjellë një thjeshtësim të procesit të administrimit të zgjedhjeve, ka ndikuar pozitivisht edhe në buxhetin e shtetit. Në ndryshim nga 4 vjet më parë, zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do t'i kushtojnë shtetit shqiptar më shumë se 2 miliardë lekë më pak.


Kështu, nga 936,426,045 lekë, të shpenzuara për zgjedhjet e 2005-ës, këtë vit do të zbritet në shifrën e 714,611,652 lekëve, dhe kjo falë shkurtimit të numrit të anëtarëve të të gjitha komisioneve zgjedhore në të gjitha nivelet, si dhe të përdorimit të disa orendive dhe pajisjeve të tjera që janë gjendje në magazinat e KQZ-së nga zgjedhjet e shkuara.


Kjo shifër do të ishte edhe më e ulët, po të kihet parasysh se në këto zgjedhje, për herë të parë, do të përdoret sistemi i monitorimit të numërimit të votave me kamera, që, siç edhe mësohet nga relacioni i buxhetit të detajuar dhe të miratuar dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të kushtojë afro 203 milionë lekë të rinj.


Pagat dhe Shpërblimet


Ulja e shpenzimeve vërehet qartë edhe tek fondi i përcaktuar për shpërblimin e anëtarëve të komisioneve zgjedhore në të gjitha nivelet, përveç KQZ-së, pra, në KQV-të, KZAZ-të, GNV-të, si dhe për trajnuesit e tyre.

Në total, fondi i përcaktuar për këtë zë është 202, 999, 000 lekë të rinj, ose 30 milionë lekë të rinj më pak se katër vjet më parë. Nga këto është parashikuar që të shpërblehen 198 kryetarët dhe nënkryetarët e KZAZ-ve me nga 65 mijë lekë, për një periudhë kohore, nga konstituimi i këtyre komisioneve, deri në shpalljen e rezultatit.

Ndërsa 330 anëtarët e tjerë të këtyre komisioneve, do të paguhen me nga 60 mijë lekë, po për të njëjtin afat kohor. Në buxhet është përcaktuar edhe shpërblimi për 38400 anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit (KQV) dhe 28016 anëtarët e grupeve të Numërimit të Votave (GNV), që do të punojnë vetëm ditën e zgjedhjeve.

Kryetari dhe zëvendëskryetari dhe sekretari i KQV-së, do të paguhet 4 mijë lekë të rinj, ndërsa anëtarët me nga 3.5 mijë lekë. Duke u nisur nga tensioni që mund të shkaktohet në GNV-të, gjatë procesit të numërimit, KQZ-ja ka parashikuar që t'i shpërblejë ata me nga 6 mijë lekë secilin.

Në total fondi i pagave për më shumë se 66 mijë komisionerë do të jetë 245 milionë lekë të reja. Nga këto 202 milionë lekë do ti marrin personat që do të punojnë në qendrat e votimit dhe numëruesit e votave ndërsa 47 milionë do ti marrin punonjësit e përkohshëm të KQZ-së.


Dietat


Për të patur një proces zgjedhor sa më të arrirë, për sa i përket zbatimit të rregullave që përcakton Kodi Zgjedhor, KQZ-ja ka menduar që të zhvillojë një fushatë të gjerë trajnuese për të gjithë anëtarët e të gjitha komisioneve zgjedhore në nivel të dytë, të tretë si dhe të GNV-ve.

Për të gjitha ditët e trajnimit, anëtarëve të këtyre komisioneve, u është përcaktuar shpërblim si dietë një vlerë, përcaktimi i së cilës ka shkaktuar jo pak debate në mes anëtarëve të institucionit të KQZ-së, pasi anëtarët demokratë kanë kërkuar me ngulm kufizimin e saj, por pa mundur që të ndikojnë me votën e tyre në këtë drejtim.

Kështu, për zërin e shpenzimeve për dieta dhe udhëtime, është përcaktuar një fond prej 32 milionë lekësh të rinj. Të 528 anëtarët e KZAZ-ve do të marrin një dietë prej 900 lekësh, për secilën nga katër ditët e trajnimit, nga të cilat 300 janë përcaktuar për udhëtim.


Të 38400 anëtarët e KQV-ve do të marrin po 9 mijë lekë, por vetëm për një ditë trajnim, po aq do të marrin edhe të 2816 anëtarët e GNV-ve. Ndërsa nga 4.5 mijë lekë në ditë do të paguhen trajnuesit e anëtarëve të këtyre komisioneve. Një tjetër zë i përcaktuar në këtë buxhet, është edhe ai për marrjen me qira të ambienteve gjatë periudhave të trajnimit, si dhe gjatë procesit të votimit.


Kështu, është parashikuar që të merren 30 ambiente me qira, për 10 ditë, për GNV-të, me një vlerë prej 3 mijë lekë dita. Është parashikuar që të merren 30 ambiente të tjera me qira, për dy muaj, për KZAZ-të, me një vlerë prej 30 mijë lekë muaji. Gjithashtu, janë parashikuar që të merren dhe 700 ambiente të tjera me qira për një ditë, me vleftë 10 mijë lekë.

KQZ-së i ofrohet një kompani spanjolle, e cila në shkëmbim ka kërkuar 5 milionë euro.



Vendimi, 2 mln dollarë për kamerat


TIRANË- Pavarësisht se nuk ka përcaktuar ende nëse do të blejë shërbimin apo kamerat, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje fondin që do të përdoret për realizimin e monitorimit të procesit të numërimit të votave.

Në dispozicion për këtë qëllim janë vënë 203 milionë lekë të rinj, ose thënë ndryshe, afro 2 milionë dollarë, të cilat KQZ-ja është e gatshme t'i përdorë, qoftë për të blerë 450 kamera, ekrane dhe servera, përfshi këtu ato që do të përdoren në Qendrat e Numërimit të Votave dhe në KQZ, qoftë për të blerë shërbimin nga ndonjë kompani private e specializuar në këtë fushë.


Por, duket se arritja e realizimit të një procesi të tillë me kaq para, do të jetë e pamundur.

Për këtë arsye, përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, duke argumentuar se një praktikë e tillë aplikohet për herë të parë në Shqipëri, ka propozuar që ky fond të lihet në masën e 5 milionë eurove, propozim i cili është hedhur poshtë nga anëtarët e KQZ-së.


Edhe përfaqësuesit e drejtorisë së teknologjisë dhe Informatizimit në KQZ, kanë argumentuar se nga studimi dhe testimi i tregut për përllogaritjen e vlerës limit të kontratës për kamerat regjistruese dhe monitorë, rezulton se çmimet e parashikuara në buxhetin e detajuar të zgjedhjeve, janë në përputhje me çmimin e tregut kombëtar dhe atij ndërkombëtar.

Ndërkohë, Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke iu referuar projektit të vendosjes së sistemit të monitorimit me kamera, ka bërë të ditur se tashmë është paraqitur një ofertë nga një kompani spanjolle, e cila në shkëmbim ka kërkuar 5 milionë euro.

"Kam një ofertë në zyrë nga INDRA spanjolle për ofrimin e shërbimit, e cila është më e madhe se 5 milionë euro", - u shpreh Ristani. Ndërkohë që, 10 për qind e fondit të përcaktuar për realizimin e sistemit të kamerave është lënë rezervë, për shkak të të panjohurave që mund ta shoqërojnë këtë proces, pasi, siç dihet, ai zbatohet për herë të parë në vendin tonë.


 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›