E Diel, 1 Nëntor 2026

Padi për piraterinë e “Toenës” dhe Rexhep Qoses

19/04/2005  Akademiku Hivzi Islami akuzon shtëpinë botuese “Toena” si dhe akademikun Rexhep Qosja për pirateri të botimit të tij, “Spastrime etnike-politika gjenocide serbe ndaj shqiptarëve”, botuar më 2003 nga shtëpia botuese “Dukagjini”, Prishtinë

Pas luftës në Kosovë, ndërsa në Shqipëri edhe më herët, sikur ishte bërë dukuri përvetësimi jo vetëm i ideve, por edhe i punës së tërësishme të autorëve dhe të shtëpive botuese nga matrapazë të ndryshëm. Pati edhe denoncime publike dhe ndjekje në gjykata, por kot – piratët vazhduan veprimtarinë e tyre për përfitime materiale, por edhe “patriotike”. Një sëmundje tjetër e shqiptarëve pas rënies së komunizmit ishte që secili “intelektual” shqiptar donte të shkruante së paku një libër; dolën edhe të tillë që me para, përmes shablloneve të dhunuesve të historisë, dëshironin t’i fusnin baballarët, gjyshërit apo stërgjyshërit në histori si patriotë të mëdhenj! Një mani tjetër viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, që gati më bëri të hiqja dorë nga puna ime hulumtuese shumëvjeçare, ishte se çdo i treti a i katërti shqiptar i moshës madhore në Kosovë donte të bëhej demograf dhe këtu sfera e migrimeve të popullsisë u bë më atraktivja, por edhe më e keqpërdorshmja. Erdhi puna deri aty sa edhe teneqexhinjtë u bënë ekspertë në këtë fushë!

Një mik imi një ditë më telefonoi dhe më tha se libri im “Spastrimet etnike – politika gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve”, që në vitin 2003 doli nga Shtëpia Botuese “Dukagjini” më është “ribotuar” këto ditë nga një shtëpi tjetër botuese, por me dikend tjetër si autor. Njëmend nuk e kuptova derisa nuk ma sqaroi: më tha gjeje librin dhe gazetën, ku ishte bërë një prezantim bombastik i botimit, siç di të bëjë autoreklamë vetë autori për botimet e veta.

I gjeta gazetën dhe librin e paturpësisë të shtëpisë botuese, që është “Toena” e F. Toçit nga Tirana dhe të autorit pa përgjegjësi profesionale e morale, Rexhep Qosjes.

Ka shumë vjet që te ne qarkullojnë dokumente, elaborate dhe tekste të ndryshme të qarqeve dhe regjimeve serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve. Disa prej dokumenteve dhe elaborateve ishin përkthyer në versione të ndryshme në gjuhën shqipe, por me shumë gabime sa lexuesi nuk mund as t’i kuptonte; disa ishin përkthyer dhe në gjuhë të huaja. Në vitet e 90-ta të shek. XX QIK-u kishte formuar edhe një redaksi dhe kishte distribuuar në anglisht me mija kopje të elaborateve të Çubrilloviqit, të Andriqit etj. Në kuadër të edicionit “Balkan Books” të Shtëpisë Botuese “Dukagjini”, Robert Elsie kishte bërë në anglishte përkthimin e dokumenteve kryesore. Dokumentet, natyrisht, nuk janë pronë e askujt, por përkthyesit e tyre kanë autorësinë; secili krijues e lexues mund t’i ketë në disponim dhe secili mund t’i shfrytëzojë nëse di t’i shfrytëzojë. Por nuk është e lejueshme të përvetësohet puna e të tjerëve pa lejen e autorëve të përkthimeve dhe pa lejen e shtëpive botuese. Ndër shembujt më drastikë të hajdutërisë është botimi i librit “Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe” të Shtëpisë Botuese “Toena” të Tiranës të autorit Rexhep Qosja.

Libri im “Spastrimet etnike”, që arrita ta botoj pas një pune disavjeçare, ishte ide dhe kërkesë e kahmotshme e Shtëpisë Botuese “Dukagjini”, por edhe imja, meqë jam anëtar i redaksisë. Faza e parë ishte mbledhja, zgjedhja dhe sistemimi i dokumenteve; disa prej tyre siguroheshin me lehtë, ndërsa disa më vështirë. Për përkthimin e tyre u angazhuan njerëzit më meritorë, siç janë Idriz Ajeti, Rexhep Ismajli, Vehap Shita, Eqrem Basha, Salih Maqedonci dhe Mimoza Dushi. Një pjesë të materialeve i përktheva unë vetë. Përkthyesve që bënë punën më të madhe u dedikova falënderimin më të sinqertë, sikundër edhe redaktorit gjuhësor Shefqet Riza, që bëri punën e vet me shumë korrektësi. Te çdo material, në fusnotë tregohet burimi prej nga është marrë materiali dhe shënohet emri i përkthyesit.

Kur u konsumua shumë shpejt me shkrimet nga fusha e letërsisë, ku pretendonte se ishte “I pari” me ato librat e njohur zhdanoviste, duke imituar “babain” e kombit serb, Dobrica Qosiqin“, dhe “ati” ynë i kombit, Rexhep Qosja, nisi të merrej me pamflete politike në kuadër të “studimit” të çështjes kombëtare. Nisi të bënte edhe libra historikë, që nuk ishin gjë tjetër pos një përvetësim i punës kërkimore të historianëve shqiptarë të bërë më se 50 vjet në arkivat e Evropës. Njeriu që kurrë nuk e kishte parë arkivin e huaj dhe që nuk di asnjë fjalë në asnjë gjuhë të huaj na bëhet edhe historian! Po të mos dështonte në votime në vitin 2000 (partia e tij si koalicion fitoi vetëm rreth 00,4%) deshi ta imponojë në krijimtari dhe në gjithë jetën shoqërore të Kosovës një kriter tjetër – LBD-izmin! Megjithatë, ka një mjeshtri në hartimin e pamfleteve: është vajtues i mirë, ndonëse edhe këtu bëhet i bezdizshëm me ato përsëritjet gramafonçe që vetëm letra e mjerë i duron. Është gjithashtu i njohur vajtimi i tij për vdekjen e Titos në vitin 1980!

I dështuar të paktën qe 25 vjet si krijues dhe intelektual, i degraduar si njeri dhe përçarës që shau çdo intelektual dhe politikan në botën shqiptare, i nxjerrë nga politika me votën e popullit, në emër të të cilit gjithë jetën manipuloi (kulmi ishte Rambujeja e vitit 1999) dhe ende manipulon -, tash me botimin “Shpërngulja e shqiptarëve...” do të merret me punë edhe më të pista – me piratëri! Nga prezantimi na del “demograf”, “gjeopolitikan”, “diplomat”, “historian” e çka jo tjetër! Vetë i përgatit reklamat për botimet e veta, të cilat përmes telallëve në redaksi të ndryshme i plason me moton: “i vetmi, i pari, më i madhi, më i dituri, çfarë denoncuesi i politikës serbe, çfarë patrioti”. Kështu ka vepruar gjithë jetën edhe me intervistat e veta nëpër media: të gjitha pyetjet dhe përgjigjet vetë i përgatit dhe pastaj ua servon gazetarëve! Te botimet ka edhe një mani: të ketë sa më shumë libra, në mos po arrin që të bëhet kryetar i Shqipërisë etnike! Nuk do të jetë çudi kur një ditë do të na del edhe me ndonjë libër për sidën!

Nuk turpërohet fare që e përvetëson jo vetëm idenë, por edhe krejt punën e të tjerëve pikë për pikë, i bindur se është e natyrshme që “I Madhi” të ketë të drejtën e monopolit në jetën tonë kulturore, shkencore, informative etj., ashtu siç kishte privilegje dhe pushtet përrallor në kohën e komunizmit. Dokumentet serbe me përmbajtje gjenocidale kundër shqiptarëve ekzistojnë. Ka mund t’i sigurojë dhe t’i botojë, nga “Naçertania” e I. Garashaninit (1844) e deri te projektet e Sheshelit të viteve të 80-ta e të 90-ta të shek. XX. Ky spekulant i përvetëson përkthimet e huaja, por për t’i mjegulluar gjurmët e hajnisë origjinalin e fut në redakturë të dhunshme gjuhësore. Kështu veproi me pjesën më të madhe të teksteve të botimit tim “Spastrimet etnike”.

Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve qarkullon ka shumë vjet, por kurrë nuk i shkoi mendja “babait të kombit” as ta komentojë e lëre më ta përkthejë dhe botojë. Pesë muaj u mora me përkthimin e tij, duke konsultuar ekonomistë, juristë, historianë etj. Gjithë ndryshimi midis versionit tim dhe versionit të ”Të Vetmit” konsiston në një lloj tautologjie të fjalëve: esenca - thelbi, kundërthënia – kontradikta, raporti – proporcioni, mjerisht – me keqardhje, sistemi – rendi, brengosje – shqetësim, eksperiencë – përvojë, planifikimi – planëzimi, shkatërrimi i vlerave – rënia e vlerave, fantazia – imagjinata etj. etj. Vetëqeverisjen socialiste (Socijalističko samoupravljanje) do ta quajë vetadministrimi socialist, ashtu siç e quante Enver Hoxha; Dhomën e Republikave dhe të Krahinave (Veće republika i pokrajina) e quan Këshilli (Veçe) e republikave dhe krahinave; Kuvendin e quan skupshtinë etj. etj. Dhe këto janë marifetet e tij.

Egocentristit të kompleksuar dhe narcisoidit nuk i duhet leja për asgjë. “I Madhi” dhe “I Vetmi” e vetësiguron lejen! Natyra e spekulantit shkon deri atje sa nuk u merr leje as atyre që ua shënon emrat si përkthyes në ballinë, si p. sh. Vehap Shitës, i cili ka bërë përkthimin e një pjese të madhe të dokumentave. Ka tekste, të cilat për çudi i shpëtuan redakturës së dhunshme gjuhësore dhe aty u lakuriqua hajduti. Shembulli më drastik është përvetësimi i tekstit të Programit të Partisë Radikale të Sheshelit, të cilin e merr germë për germë dhe askund nuk i referohet asnjë burimi; te pika 15 vetëm fjalën gjyqësi e ka zëvendësuar me fjalën gjyqtari! Këtë tekst gjatë kohë e pata kërkuar në origjinal, por nuk e pata gjetur. Përmes miqve nga bota e jashtme e gjeta në gjuhën angleze me titull “Program of the Radical Party”, Yugoslav Survey, XXXIV, 1, Belgrade, 1993, pp. 56-61. Tekstin e perktheu magjistrja e shkencave demografike Mimoza Dushi dhe në librin tim, në f. 374, siç shihet, jepet referenca e plotë. Sa për ilustrim po japim pjesë të faksimilit përmes të cilave lexuesi ka mundësi të gjykojë vetë. Mbetet që e gjithë çështja t’i përcillet gjykatës kompetente për shqyrtim.

Faksimil nga libri i Hivzi Islamit Faksimil nga libri i Rexhep Qosjes

“Spastrimet etnike” (2003): “Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe” (2005):

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›