E Diel, 1 Nëntor 2026

Padia e Vokshit, Braçe: Vendim politik që synon ti mbyllë gojën opozitës

Deputeti socialiste Erion Braçe e ka cilësuar vendim të pastër politik e që synon ti mbyllë gojën opozitës vendimin e dhënë një ditë më parë nga Gjykata e Tiranës lidhur me padinë e ngritur ndaj tij nga deputetja demokrate Albana Vokshi.

Braçe u shpreh para mediave se vendimi i dhënë ndaj tij bie në kundërshtim me hetimin e kryer nga prokuroria.  Në asnjë rresht nuk thuhet se faktet e depozituara janë të pavërteta. Do kërkoj ndihmën e ekspertëve juridikë për të ballafaquar këto dy hetime, tha ai.

Sipas deputetit socialist, ky është një nga rastet e panumërta  që vërteton se sistemi i drejtësisë në vend është i kapur  politikisht dhe kjo është arsyeja kryesore që e mban vendin larg integrimit në BE.

Pas kësaj bindja ime është akoma më e thellë që në sistemin gjyqësor është krijuar një kastë e kapur politikisht.  Unë jam një nga viktimat e panumërta, të cilëve ju merret çdo ditë liria e fjalës, liria e pronës e liria për të jetuar. Kjo kastë ka instaluar sistemin e padrejtësisë. Nëse nuk shpërbëhet kjo kastë, do të ketë një pakicë që përfiton në kurriz të shumicës. Kjo kastë fillon nga nivelet më të ulëta deri në Gjykatën e Lartë. Ky sistem drejtësie e mban Shqipërinë jashtë Europës, tha Braçe.

Ai shprehu vendosmërinë për të vazhduar më tej, duke theksuar se nafta e nëntokës shqiptare nuk mund të përfundojë as në duart e Berishës, as në duar e Albana Vokshit apo ndonjë klienti grek a të çfarëdo nacionaliteti tjetër.

Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë vendosi një ditë më parë që Braçe të dëmshpërblejë deputeten Vokshi me 10 milion lekë të vjetra, për shpifje. Deputetja Vokshi nga paditë e saj të bëra në Gjykatë, deri më tani ka fituar karshi deputetëve Artan Gaçi, Saimir Tahiri dhe Eduart Shalësi.

Në ditët në vazhdim, pritet shqyrtimi dhe vendimet për padit që deputetja Vokshi ka bërë edhe ndaj deputetëve të tjerë të Partisë Socialiste si deputetes Mimi Kodheli, Taulant Balla, Vasilika Hysi, Eltar Deda e Olta Xhaçka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›