Pagat dhe pensionet, rritje nga 1 maji
Mësuesit, mjekët dhe infermierët, rritje pagash deri në 10%. Pagat e zyrtarëve të lartë nuk do të ndryshojnë
Kryeministri Berisha prezanton vendimin e qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve, nga muaji i ardhshëm
Emirjon Senja
TIRANË- Kryeministri Berisha konfirmoi edhe njëherë premtimin e tij për rritjen e pagave dhe pensioneve, duke filluar nga muaji i ardhshëm. "Qeveria ka përfunduar përllogaritjen e plotë të rritjes së rrogave dhe pensioneve.
Sipas kësaj përllogaritjeje, më datën 1 maj do të dyfishohen rrogat e mësuesve, të infermierëve dhe të mjekëve. Gjithashtu, do të rriten me 10 për qind pensionet e qytetit dhe me 20 për qind ato të fshatit", - tha mbrëmë Berisha, gjatë një konference për shtyp.
Me këtë dalje për mediat, Kryeministri i ka paraprirë vendimit që pritet të merret ditët në vazhdim, në lidhje me rritjen e pagave dhe pensioneve që do të bëhet muajin e ardhshëm. Në buxhetin e vitit 2009, është parashikuar për rritjen e pagave dhe pensioneve një fond prej 7.7 miliardë lekësh, ose rreth 77 milionë dollarë.
Rrogat
Gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit bëri të ditur faktin se, kategoritë që do të përfitojnë nga rritja e rrogave janë mësuesit, infermierët dhe mjekët.
Këtu bëjnë pjesë, kryesisht, ato kategori që kanë paga të ulëta, duke përjashtuar administratën e lartë shtetërore. Sipas Berishës, kjo bëhet në kuadrin e ngushtimit të hendekut midis rrogave të ulëta dhe atyre të larta.
"Në këtë rritje nuk përfshihen rrogat më të larta, domethënë të deputetëve, ministrave, Kryeministrit dhe zyrtarëve më të lartë.
Kjo bëhet, sepse ne jemi zotuar të ngushtojmë diferencën midis rrogave të ulëta dhe atyre të larta. Kështu, diferenca midis rrogës maksimale dhe minimale të administratës publike, zbret në 1 me 5 dhe ky është një raport tërësisht perëndimor", - tha ai.
Pagat e administratës do të rriten deri në 10%. Më tej, Kryeministri pohoi se, rritja që bëhet një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, nuk ka qëllime elektorale, pasi sipas tij, rritje rrogash dhe pensionesh është bërë edhe gjatë viteve të kaluara të qeverisjes së të djathtëve.
Pensionet
Pensionet do t'i nënshtrohen një rritjeje të re, ku ato të qytetit do të rriten me 10%, ndërsa ato të fshatit në masën 20%. Vendimi që pritet të hyjë në fuqi nga 1 maji, do të përfshijë rreth 530 mijë pensionistë në të gjithë vendin.
Sipas skemës së re të rritjes, pensioni i plotë minimal i qytetit do të rritet në masën 951 lekë në muaj, për të arritur në 10.466 lekë, dhe ai maksimal me 1900 lekë, për të arritur në 20.933 lekë.
Ndërsa në fshat, rritja e pensionit do të jetë me 1040 lekë në muaj dhe në total do të shkojë në 6240 lekë. Gjatë fjalës së tij, Berisha sqaroi se, kjo paketë rritjeje përfshin të gjitha llojet e pensioneve, ato familjare, invaliditetit, etj., dhe jo vetëm ato të pleqërisë.
Në këtë nismë për rritjen e pagave dhe pensioneve, qeveria ka pasur kundër Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili bashkë me Bankën e Shqipërisë, i kanë kërkuar që të tregohet e kujdesshme në lidhje me shpenzimet në këto kohë paqartësish ekonomike që po kalojnë një serë vendesh në botë.
Paralajmërimeve të FMN-së dhe BSH-së, Berisha u është përgjigjur se qeveria i ka mundësitë reale që e bëjnë të hedhë këtë hap. "Zakonisht, FMN-ja këshillon një rritje pagash dhe pensionesh në raport me inflacionin, por qeveria ime disponon çdo qindarkë për të përballuar koston e rritje së tyre", - përfundoi ai.
Pagat që rriten në administratë:
-Mësuesve
-Mjekëve
-Infermierëve
Rritja e re e pensioneve sipas kategorive:
1.
Të ardhurat minimale për pensionin e plotë të qytetit:
Është
9515 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 11275 lekë
Pritet të bëhet
10466 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 12226 lekë
2.
Të ardhur maksimale për pensionin e plotë të qytetit:
Është
19030 lekë + 350 + 150 = 19530 lekë
Pritet të bëhet
20933 lekë + 350 + 150 = 21433 lekë
3.
Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:
Është
5200 + 200 + 690 = 6090 lekë
Pritet të bëhet
6240 + 200 + 690 = 7130 lekë