“Vizat hiqen brenda këtij viti”
Kryeministri Sali Berisha tha dje se Bashkimi Evropian do të heqë vizat me Shqipërinë në verën e këtij viti. Duke folur nga Preza, ku mori pjesë në përurimin e rrugës që lidh këtë zonë me rrugën kombëtare, kreu i shtetit tha se "ne do të vazhdojmë projektin tonë dhe ky projekt është ai i ndryshimit vendimtar të Shqipërisë, e shndërrimit të saj në një vend të vërtetë evropian, është projekti me të cilin shqiptarët do ta ndjejnë veten qytetarë evropianë, së pari, me heqjen e vizave brenda këtij viti, siç është premtuar, me rritjen e vazhdueshme të rrogave e pensioneve", tha Berisha. "Ne e kapërcyem me sukses të madh dhe mbetëm një nga 3-4 vendet në botë për rritjen ekonomike të ndjeshme, sepse ne, siç ju jeni dëshmitarë, e kemi shndërruar vendin në një kantier", theksoi më tej kreu i Qeverisë.