E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushteti ekonomik zhvendoset drejt Lindjes

Krizat ekonomike të së shkuarës janë zgjidhur gjithmonë kur Shtetet e Bashkuara kanë filluar të rigjallërohen, pasuar nga Europa e më pas nga pjesa tjetër e botës. Por, për herë të parë, dalja nga kriza nuk po vjen nga SHBA-ja, por nga Kina e pjesa tjetër e Azisë, ku ekonomi shumë vitale po tërheqin pjesën tjetër të botës jashtë recesionit më të egër që nga Lufta e Dytë Botërore, raporton "New York Times".

Ekonomistët e kanë parashikuar prej kohësh se Kina po bëhet gjithnjë e më e fuqishme dhe se mund të arrijë dhe të kapërcejë Shtetet e Bashkuara në ndikimin ekonomik botëror. Megjithëse ekonomia amerikane është ende tri herë më e madhe sesa ajo e Kinës, rigjallërimi ekonomik i javëve të fundit duket se përforcon idenë se ndryshimi në fuqinë ekonomike mund të ndodhë.

"Qendra ekonomike e gravitetit ka qenë duke u zhvendosur shpesh për disa kohë, por recesioni aktual po shënon edhe një pikë kthese", komenton Neal Soss, ekonomist i lartë në bankën "Credit Suisse". "Është Azia ajo që po e nxjerr botën nga kriza dhe jo SHBA-ja dhe kjo gjë ndodh për herë të parë.

Ekonomia kineze e dominuar nga qeveria dhe e komanduar prej saj, po rritet me shpejtësi në këtë periudhë krize, kur bankat shtetërore hodhën në qarkullim kredi me vlerë të përgjithshme prej 1 triliard dollarësh vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ndërkohë që qeveria hapi një paketë ndihmash me vlerë 600 miliardë.

Megjithëse përfitimet nga këto lëvizje janë të dukshme, disa ekonomistë dyshojnë se Kina do t‘ia dalë të krijojë rritje të qëndrueshme ekonomike. Sipas tyre, programet nxitëse të qeverisë kineze thjesht sa po krijojnë kapacitete të reja eksportuese, ndërkohë që kërkesa për eksporte në botë nuk po rritet.

"Pyetja më e rëndësishme është se çfarë do të ndodhë pas kësaj", tha Kenneth S. Rogoff, profesor ekonomiksi në Harvard. "Nëse konsumi nuk rritet në SHBA dhe Europë, nuk jam i sigurt se Azia ka ndonjë rrugëdalje".

Por, nga ana tjetër, rritja e fortë e kërkesës nga konsumatorët kinezë është shkaku kryesor i dyfishimit të çmimit të naftës këtë vit në mbi 70 dollarë për fuçi. Nga ana tjetër, Kina u bë këtë vit partneri më i rëndësishëm tregtar i Japonisë, duke i zënë vendin SHBA-së, ndërsa vendet e tjera eksportuese si Gjermania, janë duke parë nga tregjet e Lindjes më shumë sesa në SHBA. "Atë që po e humbasim në tregtinë Transatlantike me SHBA-në, po e fitojmë në Kinë", tha Jens Nagel, kreu i Shoqatës së Eksportuesve Gjermanë.

Gjithsesi, tani për tani Shtetet e Bashkuara pritet të përfitojnë nga rigjallërimi ekonomik i Azisë, gjë që do të ndihmojë edhe rigjallërimin amerikan. SHBA-ja ka shërbyer si një lokomotivë botërore gjatë viteve ‘90. Por tani situata nuk është më njësoj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›