Vjedhin pushues dhe banesa, pesë të rinj në pranga
Pesë persona kanë rënë nën prangat e policisë gjatë 24 orëve të fundit, pasi dyshohen se kanë grabitur disa pushues në plazhin e Velipojës dhe banesa në qytetin e Shkodrës. Personat ishin të organizuar në dy grupe që nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin, veç aktivitetit kriminal. Sipas policisë lokale, tre personat e arrestuar janë Valentin S., 17 vjeç, Besmir Gj., 17 vjeç, të dy të dënuar më parë për vjedhje. Ndërkohë në prangat e policisë ka rënë dhe 16-vjeçari Arbër N. Tre adoleshentët në bashkëpunim kanë grabitur dy pushues në plazhin e Velipojës. Ndërkohë policia ka prangosur dy persona të tjerë për veprën penale të vjedhjes. Personat janë Klodian Sinaj, 19 vjeç, dhe Abedin Bajraktari, 19 vjeç, pasi në bashkëpunim kanë vjedhur në një banesë në lagjen "Vojo Kushi" të qytetit Shkodrës, disa sende ari me vlerë rreth 1.2 milionë lekë të vjetra, një aparat telefoni celular dhe një sasi prej 15 mijë lekësh.