Shkëndija elektrike, digjet shtëpia dhe zyra
08/02/2005 Ka mjaftuar një shkëndijë elektrike që banesa e Afrim Krudos të përpihet totalisht nga flakët. Burime nga vendi i ngjarjes shprehen se, ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, në lagjen me shtëpi përdhese pranë "Profarmës". Zjarrfikësit kanë shkuar menjëherë për ndihmë pas telefonatës së alarmit, bërë nga të zotët e shtëpisë. Por ndërhyrja e tyre është vështirësuar shumë, pasi rrugicat që ndajnë shtëpitë në këtë zonë janë tejet të ngushta. Mësohet se 3 automjete zjarrfikëse arritën të shuajnë zjarrin që përfshiu totalisht katin e dytë. Flakët kishin rrëzuar sakaq çatinë e shtëpisë. Ka qenë e panevojshme një zjarrfikëse e katërt që u nis në vendngjarje, ku mbërriti edhe policia për të nisur hetimet mbi ngjarjen. Krudot, që tashmë kanë mbetur me një shtëpi të shkrumbuar, kanë dëshmuar për policinë se shkak për djegien e banesës ka qenë një shkëndijë elektrike. Sakaq, pak orë më pas, në afërsi të shkollës teknologjike shpërtheu dhe një zjarr tjetër. Mësohet se flakët u përhapën në një zyrë. Por policia nuk bën të ditur ndonjë detaj tjetër. Në të dy vatrat e zjarreve të djeshëm, nuk u shënuan viktima në njerëz. Pati vetëm dëme të konsiderueshme materiale.