E Diel, 1 Nëntor 2026

Paguajnë para nga xhepi, kthehen në Shqipëri 180 turistët e bllokuar në Egjipt

TIRANE- Pas peripecive të gjata, 182 turistët shqiptarë në Sharm el Sheik arritën të ktheheshin sot në orët e para të mëngjesit në aeroportin e Rinasit. Të gjithë këta pasagjerë paguan vetë udhëtimin e kthimit pasi agjencia turistike që i kishte çuar në Egjypt, shpalli falimentin. 9 turistë mbetën pa hipur në avion për shkak se u plotësua numri që mund të mbajë çarteri. Këta pritet të kthehen sot në atdhe. Sekretari i përgjithshëm i MPJ-së, Gazmend Turdiu. Ndërkohë para se të zgjidhej çështja, policia egjiptiane mbajti ‘peng’ 15 nga turistët shqiptarë, të cilët u braktisën në mëshirën e fatit nga agjencia turistike “Pasha Holiday” duke mos u kthyer në Shqipëri. Turistët u bllokuan në një hotel në Sharm El Sheik, për shkak se nuk kanë paguar biletat e hotelit. Dori H., një prej turistëve që janë bllokuar në hotel tha se në mesin e tyre ndodhen dhe pesë fëmijë. Sipas gruas, policia egjiptiane i mban peng për 5 mijë euro që llogariten shpenzimet e hotelit për katër ditët e qëndrimit jashtë afatit. “Ne i detyrohemi hotelit 5 mijë euro dhe nuk lejohemi të lëvizim, pasi jemi bllokuar në hotel nga policia. Ndërkohë që rrezikojmë të humbasim avionin e linjës ‘Bel Air’, që do të na sjellë në Shqipëri. Biletat e avionit i kanë paguar familjarët tanë në Shqipëri”, tha gruaja. Sipas turistes, nuk ka pasur asnjë interesim për fatin e tyre as nga ambasada në Egjipt, as nga autoritetet shqiptare. “Nuk do t’ia dijë askush për ne. Nuk është interesuar asnjë nga autoritetet shtetërore, veç familjarëve tanë”,- tha Dori H. 

Braktisja
Mospagesa e 5 mijë eurove, ka bërë që në një hotel në Sharm El Sheik të mbahen peng 15 nga 180 turistët shqiptarë që u braktisën në Egjipt nga agjencia “Pasha Holiday”. Kur dukej se pas një kalvari të gjatë vuajtjesh, makthi për të braktisurit do merrte fund, gjithçka nisi nga e para për 15 prej tyre, mes të cilëve ndodhen dhe pesë fëmijë. Turistët mbahen peng, pasi nuk kanë mundur të paguajnë faturën e hotelit, duke rrezikuar të humbasin dhe avionin e “Bel Air”-it, që do t’i kthente në vendlindje. Ata thonë se askush nga shteti nuk është interesuar për ta, duke i lënë në mëshirë të fatit për shkak të pamundësisë së tyre për të përballuar shpenzimet e mëdha që u nevojiten për t’u kthyer në Shqipëri. 

Mashtrimi
Prej 13 ditësh 180 turistë shqiptarë ndodhen në Egjipt të braktisur nga agjencia turistike “Pasha Holiday”, e cila, pasi mori prej tyre paratë për paketën e plotë turistike, nuk e përmbushi detyrimin e saj. Për kthimin në vend turistët po vetorganizohen dhe po paguajnë biletat e avionit, në një kohë që 15 prej tyre duket se rrezikojnë të mos kthehen në vendlindje të paktën edhe mbrëmjen e së hënës, kur është planifikuar udhëtimi i tyre, pasi nuk kanë shlyer detyrimet në hotel. Pronarja e agjencisë “Pasha Holiday”, Arselina Kërthoci, e cila është shoqëruar në ambientet e policisë së Tiranës, u ka thënë hetuesve se ka shpallur falimentin, ndaj për këtë shkak nuk siguronte dot kthimin e turistëve në Shqipëri. Kërthoci po hetohet në gjendje të lirë për mashtrim. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›