Pajtohen Toure e Adebayor

Futbollistët e Manchester Cityt, Kolo Toure dhe Emmanuel Adebayor kanë ftohur gjakrat dhe janë pajtuar, pas përleshjes që patën të martën pasdite, në qendrën stërvitore të ekipit.
Vetëm ndërhyrja e bashkëlojtarëve ndau këta dy futbollistë.
Mirëpo, futbollisti nga Bregu i Fildishtë, Toure, thotë se kjo tashmë është e shkuar dhe e harruar. “Kishim një kacafytje pas një ndërhyrjeje të ashpër. Ne të dy e humbëm kontrollin, por më pas çdo gjë ra në vend të vetin. Lojtarët e tjerë dhe menaxheri erdhën për të na ndarë. Tashmë është një gjë e harruar”, deklaroi qendërmbrojtësi për The Sun.
Kjo nuk ishte hera e parë që këta dy futbollistë kanë mosmarrëveshje. “Nuk është hera e parë, e ndoshta as e fundit. Në Arsenal, ne shpesh kishim raste të tilla. E njohim njëri-tjetrin mirë, ndoshta shumë mirë. Me këtë rast, kjo tregon se ne kemi energji ndezëse. Nuk është dhe aq negative”, vazhdoi Kolo Toure, i cili tek Citizens luan së bashku me vëllanë, Yaya Toure.