E Diel, 1 Nëntor 2026

Pak: Politikanët shqiptarë nuk dinë ç'të bëjnë me pushtetin

11/02/2005  "Shqipëria mos ta mendojë të anëtarësohet në BE me zgjedhje të manipuluara"

Eurodeputetja gjermane Doris Pak ka thënë, në një prononcim për median, se Shqipëria nuk mund të pretendojë të anëtarësohet në BE, në rast se nuk zhvillon zgjedhje të lira dhe të ndershme. "Shqipëria nuk mund të aspirojë për anëtarësim në BE kur në vend, ndryshe nga sa ndodh në Kosovë e Bosnjë, prej 13 vjetësh suksesi në zgjedhje sigurohet përmes manipulimeve", tha Pak. Sipas anëtares së Komisionit Evropian, për Shqipërinë, Kroacinë dhe Serbinë-Mali i Zi, në Shqipëri janë të pakët politikanët që mendojnë për vendin, pasi të gjithë aspirojnë pushtetin, pa e ditur se ç'të bëjnë me të. "Të gjithë politikanët shqiptarë mendojnë të ruajnë, apo të fitojnë pushtet pa ditur se për çfarë mund ta përdorin. Është e mjerueshme të shikosh se në Shqipëri ka pak njerëz në politikë që kujdesen për fatet e vendit", u shpreh Pak. Eurodeputetja gjermane ka këmbëngulur shpesh për domosdoshmërinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, duke e cilësuar këtë proces si kushtin kryesor për integrimin e vendit në BE. Madje, mund të thuhet se Doris Pak është në radhën e deputetëve të BE-së që është marrë gjerësisht me problemin e zgjedhjeve në vendin tonë. Në deklaratat e saj Pak, jo pak herë ka kërkuar nga politika shqiptare të jetë më e përgjegjshme në vendimmarrjet e rëndësishme që kanë të bëjnë me fatet e vendit. Vitin e kaluar, kur probleme të ngjashme u vunë re në hartimin e kodit zgjedhor, Pak mbajti thuajse të njëjtin qëndrim, kur deklaroi se "më ka ardhur në majë të hundës duke dëgjuar gjithmonë disa nga politikanët shqiptarë që sulmojnë vazhdimisht Komisionin, ndërkombëtarët dhe evropianët, për reagimet e këtyre të fundit. Nuk e kuptoj se si Shqipëria, politikanët, qeveria, nuk janë të aftë të kryejnë reformën zgjedhore. Nuk e kuptoj se si edhe një çështje të tillë, si zgjedhjet, e përdorin për interesa të ngushta të partive politike. Unë mendoj se ka ardhur koha ta mbyllin këtë problem, dhe i bëj thirrje me të vërtetë: qeverisë, partisë që ka mazhorancën, por edhe parlamentarëve të tjerë, opozitës, që të gjejnë një kompromis".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›