E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pak lëvizje

Nga Express më 18 janar 2011 në ora 08:24

Të hënën ka përfunduar mini-afati kalimtar për hendbollistë dhe hendbolliste i Federatës së Hendbollit të Kosovës, ku pati pak lëvizje. Ky afat zgjati nga 10 deri më 17 janar dhe ishte njëri prej më të varfërve në vitet e fundit.

Kampioni vjeshtor në konkurrencën e meshkujve, Besa Famiglia angazhoi lojtarin e qendrës së KH Trepça dhe përfaqësueses së Kosovës, 22 vjeçarin Fidan Cimili, si dhe të rikthyerit nga KH Prishtina, Tafil Haxhiu.

Prishtina angazhoi shpresën e hendbollit kosovar, të riun nga Kosova e Vushtrrisë, Lindrit Fetahu, i cili nënshkroi kontratë trevjeçare, dhe Muhamet Dubovcin nga Drenica, i cili nënshkroi për gjashtë muaj si huazim.

Vëllaznimi i Gjakovës, pas konsolidimit të kryesisë së re, u përforcua me lojtarin me përvojë Ekrem Maloku, që arrin nga Prishtina, si dhe të riun korpulent Dardan Shala nga Liridoni.

Klubi i fundit, i cili u përforcua, ishte pikërisht Liridoni nga Deçani, që riktheu në radhët e veta lojtarin Bestar Selmanaj, i cili vjen nga Kastrioti. Skuadrat e konkurrencës së femrave nuk patën asnjë lëvizje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›