Barcelona e rekordeve

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, beson se ekipi i tij i rekordeve duhet të përsërisë formën e vet të pjesës së parë të sezonit, nëse dëshiron të fitojë titullin e tretë me radhë në La Liga.
David Villa shënoi dy herë për gjigantin katalan – Andres Iniesta dhe Pedro ishin po ashtu në listën e realizuesve – derisa Barcelona mposhti Malagan 4-1 dhe arriti rekord të pikëve për pjesën e parë të sezonit.
Pas 19 ndeshjeve, Barcelona ka 52 pikë, duke mposhtur rekordin e saj të kaluar prej 50, të vendosur në sezonin e parë nën drejtimin e Guardiolas. Kësaj radhe, Barcelona ka fituar 17 prej 18 ndeshjeve të saj në ligë – përfshirë 13 të fundit – dhe është e pamposhtur në 28 ndeshje në të gjitha garat.
“Është një total impresionues”, tha Guardiola. “Kur kemi arritur në 50 pikë dy vite më parë, nuk kam pritur se do ta mposhtim atë rekord, por këta futbollistë e bënë këtë, ata janë të shkëlqyeshëm”, shtoi ai.
Barcelona përcolli rivalin për titull Real Madrid, duke barazuar 1-1 me ekipin e fundit në tabelë Almerian, dhe me fitoren e tyre krijuan epërsi prej katër pikëve ndaj skuadrës së Jose Mourinhos.
Por, Guardiola thotë se kjo ka pak rëndësi në këtë fazë. “Është ende herët. Reali humbi pikë, por kjo mund të na ndodhë edhe neve. Ne mund të humbim pikë në çdo fushë, mund të na ndodhë në ndeshjen e ardhshme kundër Racing Santanderit ose me Herculesin. Është një rrugë e gjatë dhe katër pikë nuk janë asgjë sepse Real Madridi është një ekip shumë i fortë”, theksoi ai.
Barcelona ende duhet të takohet me Realin në udhëtim dhe Guardiola është i vetëdijshëm për udhëtimet e vështira te Villarreali, Valencia dhe Sevilla.
“Ne duhet të shkojmë në Santiago Bernabeu, në Villarreal, në Valencia dhe Sevilla. Do të jetë shumë vështirë, por varemi nga vetja dhe nëse arrijmë të luajmë me intensitet të njëjtë që kemi treguar në pjesën e parë të kampionatit, kemi gjasa të mira. Ka qenë një pjesë e parë e sezonit e shkëlqyeshme”, vazhdoi strategu i gjigantit katalan.
Kundër Malagas, Barcelona ishte në kontroll. “Ne luajtëm një pjesë të parë shumë të mirë kundër një ekipi të mirë. Krijuam shumë raste dhe duhet të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjet tjera”, përfundoi Guardiola.