E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakistan hetime per jetesen 7- vjecare te Bin Ladenit

Pakistani do të hapë hetimet sesi mundi Osama Bin Laden të jetojë i qetë në Pakistan, për gati shtatë vjet me radhë dhe jo në ndonjë krahinë të humbur malore, si thuhej më parë, por në një qytet të qetë dhe të vogël si ai i Abotabadit. Dhe fakti më impresionues në këtë histori është mënyra sesi ai mundi të kalonte ashtu pa u vënë re, as nga agjentët e shërbimeve sekrete, as nga vetë banorët e qytetit, kryesisht ish-ushtarakë të pensionuar.

Hetimet i ka deklaruar të hapura vetë kryeministri pakistanez,  Yusuf Raza Gilani gjatë një fjalimi në parlament, e gjithsesi, paraprakisht, ai ka hedhur poshtë çdo aludim për bashkëpunim apo paaftësi nga ana e autoriteteve të Pakistanit, duke i cilësuar absurde akuza të tilla.

Në fakt, ishte presidenti Barak Obama që i kërkoi Pakistanit të hetojë në lidhje me rrjetin ku mbështetej strehimi i sigurtë i Bin Ladenit. Presidenti amerikan kërkoi me ngulm të hetohej nëse ndonjë zyrtar i qeverisë kishte dijeni për vendndodhjen e kryeterroristit më të kërkuar në botë.

Njoftimet thonë se kanë qenë burime brenda shërbimit të brendshëm pakistanez që drejtuan CIA-n të përdorë asetet e saj të teknologjisë së lartë dhe të fokusohej në Abotabad, në kërkin të Bin Laden.

Zyrtarët amerikanë vazhdojnë ndërkohë të kontrollojnë arkivën sekrete të sekuestruar në strehën sekrete ku jetonte lideri i Al Kaedës. Bëhet fjalë për materiale në përmasat e një biblioteke shkolle, tha një zyrtar i CIA-s.

Të shtunën, Pentagoni publikoi pesë video që tregonin Bin Laden, duke regjistruar mesazhe propaganduese dhe duke parë një lajm për veten në TV. Agjentët thonë se Abotabadi nuk ishte vetëm banesa e kreut të al Kaedës, por edhe truri prej nga ai vinte në lëvizje organizatën.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›