Pakistani nuk gjen qetësi
Numri i të vdekurve, si pasojë e sulmit vetëvrasës, të ndërmarrë kundër shiitëve në pjesën e Kashmirit të administruar nga Pakistani, është ngritur në tetë, kanë njoftuar sot zyrtarët.
Gjashtë persona, përfshirë këtu edhe tre policë, vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa dy persona tjerë kanë vdekur në spital, ka njoftuar policia.
Si pasojë e këtij sulmi u lënduan edhe 80 persona tjerë, 10 prej të cilëve kanë pësuar lëndime mjaft të rënda.
Shpërthimi në Muzaffarabad ndodhi në momentin kur shiitët po shënonin festivalin e Ashureve, për të kujtuar vdekjen e Imam Husseinit në shekullin e shtatë.
Atif Bashir, pronar i një dyqani në afërsi të vendit për lutje, në të cilin ndodhi sulmi, tha se shpërthimi ndodhi në momentin kur filloi procesioni i mëngjesit.
Muzaffarabadi për një kohë të gjatë ka qenë qendër e grupeve militante suite, të cilat e luftojnë pushtetin e Indisë, në pjesën e Kashmirit të administruar nga India.
Por është kjo hera e parë që është ndërmarrë një sulm kundër civilëve në këtë rajon. Me rastin e festivalit të Ashureve, forcat pakistaneze të sigurisë janë vënë në gjendje të shtuar gatishmërie, për shkak të frikës nga përleshjet e mundshme ndërfetare mes sunitëve dhe shiitëve.