Fati i Gjilanit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të caktojë sot (e hënë) orën se kur do të fillojnë hetimet dhe pastaj rinumërimet e rreth 130 kutive të votimit të Komunës së Gjilanit.
Ky proces, i cili pritet të zgjasë deri të martën, do të tregojë nëse ka pasur parregullsi të madha gjatë balotazhit të 13 dhjetorit. Ose mundësia tjetër është që ankesat e partive politike të hidhen poshtë dhe të konfirmohet Kryetari i ri i Komunës së Gjilanit për katër vitet e ardhshme.
Anëtari i KQZ’së nga PDK’ja, Xhelil Pajaziti, sqaron se ka shumë mundësi që verifikimi i votave të bëhet gjatë ditës së hënë, kurse rinumërimi të ndodhë të martën.
“Nesër (e hënë) KQZ’ja do të vendosë orën kur të fillojë hetimi dhe rinumërimi i votave të Gjilanit. Kohën duhet caktuar për shkak se shërbimet e Qendrës së Numërimit duhet t’i thërrasin vëzhguesit e tyre, sikurse edhe të partive politike”, ka bërë të ditur Pajaziti në një bisedë për Express të dielën.
Ky zyrtar i KQZ’së ka sqaruar se hetimet që do të bëhen për Gjilanin do të jenë vendimtare për vendimet e mëtutjeshme të institucionit që i organizon zgjedhjet.
“Hetimi nuk mund të bëhet vetëm me formularë. Hetimet nuk janë bërë si duhet më herët dhe tash do të dihet saktë se a ka pasur manipulime dhe prej kujt janë bërë”, ka thënë Pajaziti.
Por, si pritet të bëhet hetimi dhe rinumërimi i votave?
Anëtari i KQZ’së sqaron këtë proces dhe premton se do të jetë transparent para qytetarëve të Kosovës.
“Së pari shikohet se a përputhet numri i fletëvotimeve me nënshkrime, a ka fletëvotime më shumë në kuti sesa në procesverbale. Dhe pastaj bëhet rinumërimi i të gjitha votave”, shpjegon ai.
Ndryshe, KQZ’ja ditë më parë ka vendosur për hetime dhe rinumërimin e votave të Gjilanit, pas vendimit të KZAP’së për përsëritjen e zgjedhjeve edhe në këtë komunë. Vendimin e KQZ’së e patën përkrahur zyrtarët e PDK’së, kurse vendimin e KZAP’së e patën mbështetur ata të LDK’së.
Edhe Shefi i Ambasadës amerikane në Kosovë, Christophen Dell pati sugjeruar ditë më parë që edhe në Komunën e Gjilanit të përsëriten votimet, ashtu siç kishte udhëzuar KZAP’ja për rivotime në Prizren dhe Lipjan.
Dy kandidatët për Kryetar të Gjilanit kanë shprehur qëndrime të ndryshme sa i përket vendimeve që pritet të merret në KQZ.
Qemail Mustafa i PDK’së ka thënë se e pranon vendimin e KQZ’së, vetëm nëse ai mbështetet në argumente të fuqishme se ka pasur parregullsi dhe i zbulon shkelësit e ligjit.
Fatmir Rexhepi i LDK’së ka thënë se pret nga KQZ’ja korrigjimin e vendimit dhe marrjen e një vendimi të ri për rivotim në Komunën e Gjilanit.
Ndërkaq, të hënën pritet që KQZ’ja të vendosë për datën e “balotazhit të dytë”, për dy komunat që tashmë dihet se do të ketë zgjedhje të reja - Prizrenin dhe Lipjanin.
“Nëse Sekretariati e ka përfunduar planin deri kur mund të mbërrijmë me përgatitje dhe si ta shqyrtojmë atë plan, ne kalojmë në vendim”, ka paralajmëruar Pajaziti.
KQZ’ja ende nuk ka caktuar një datë për rivotim, por përgatitjet janë duke u bërë që ky proces të zhvillohet më 24 janar. Por në rast se procedurat e prokurimit kërkojnë kohë më shumë, KQZ’ja është duke ruajtur një datë tjetër, 31 janarin, si opsion tjetër për rivotim.