E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pako mirëseardhjeje, për të gjithë vogëlushët e porsalindur në vend

Foshnjat që do të lindin në Shqipëri, në të gjitha maternitetet e vendit do të kenë një "dhuratë mirëseardhje". Duke nisur nga viti i ardhshëm, një pako me produkte për bebe do t‘u jepet nënave të reja. Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria "Zero Pozitiv Publik" kanë nënshkruar dje një marrëveshje bashkëpunimi për t‘i sjellë një ndihmë të vogël dhe një urim mirëseardhjeje fëmijëve të sapolindur. Dhurata do të përmbajë produkte të nevojshme për mirërritjen e fëmijëve, si dhe një paketë informative të nevojshme për kujdesin ndaj foshnjës.

Dje, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, dhe përfaqësues të shoqërisë kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit në ndihmë të nënave të reja. Ky projekt ka të bëjë me përgatitjen e një "pakoje mirëseardhjeje" për çdo fëmijë që vjen në jetë, e cila do t‘u jepet nënave në maternitetet e Shqipërisë apo qendrat e tjera analoge. "Kjo do të jetë një pako mirëseardhjeje për të sapolindurit, që janë rreze drite në çdo shtëpi dhe gëzim për të tërë ne. Kjo pako do të ketë broshura informative aq të dëshiruara për nënat e reja, si edhe produkte të domosdoshme për foshnjën, si: peceta të lagura, vaj, krem pudër, shampo, sapun e shumë të tjera", tha ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo.

Ajo referoi se sipas statistikave, në vendin tonë ka 35 mijë lindje në vit dhe këto pako do të jenë 2500 deri në 3 mijë në muaj. Këto do të shpërndahen për çdo foshnje të lindur, nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ofrimi i ‘pakos së mirëseardhjes‘, synon rritjen e njohurive të nënave të reja, prindërve, kujdestarëve të fëmijëve për mirërritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të foshnjave, si shprehje e kujdesit dhe vëmendjes së shoqërisë ndaj nënës dhe fëmijës, sipas projektit në fjalë. Pakot do të shpërndahen gjatë gjithë vitit dhe në baza mujore, të shoqëruara me dokumentacionin për evidenca të sakta të pranim-dorëzimit, duke mbuluar të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo do të shoqërohet me fletoren e shëndetit të fëmijës dhe materiale të tjera promocionale të përgatitura nga Ministria e Shëndetësisë. Dikasteri i shëndetit angazhohet që nëpërmjet sektorit që mbulon shëndetin riprodhues të ofrojë informacionet e nevojshme lidhur me numrin e lindjeve në territorin e Shqipërisë, të ofrojë informacione dhe dokumente për politikat, strategjitë dhe rregulloret e ndryshme në këtë fushë. Këta sektorë duhet të përcaktojnë mënyrat dhe përgjegjësitë e shpërndarjes së materialeve në institucionet e kujdesit shëndetësor publik, që ofrojnë kujdes në lindje, si edhe të ofrojë mundësi për dorëzimin e ‘Pakos së mirëseardhjes-Foshnjës time‘ në maternitetet dhe institucionet shëndetësore në mbarë territorin e Republikës së Shqipërisë. Bashkë me pakon e mirëseardhjes, nënat e reja do të vazhdojnë të marrin edhe shpërblimin prej 5 mijë lekësh të reja, kursimet e para në emër të fëmijëve. Sipas një propozimi të bashkisë dhe një vendimi të Këshillit të Ministrave çdo foshnjë që lind ka të drejtën për t‘u shpërblyer nga shteti me 5 mijë lekë të reja


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›