Rezoluta nuk i hap kutitë: “Hetimi sipas ligjit”
Autori i Lajmit: S.TAsambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi dje rezolutën për Shqipërinë të hartuar nga dy bashkëraportuesit, Jako Lakso dhe David Vilshire. Pas diskutimeve për më shumë se një orë, Asambleja e KE-së ka miratuar dhe disa amendamente të delegacionit shqiptar lidhur me këtë rezolutë. Por nga 10 rekomandimet e bëra prej tyre mundën të merrnin miratimin vetëm 3, të cilat zbutin termat e përdorura nga raportuesit lidhur me krizën në Shqipëri, por gjithashtu kufizojnë hetimin zgjedhor të kërkuar nga socialistët. Ndërkohë që nuk u miratua amendamenti që kishte të bënte me rolin e Presidentit. Rezoluta në tërësi mori 68 vota pro, ndërkohë që vihej re një prani e ulët e anëtarëve të Asamblesë së KE-së në seancën e djeshme.
Debatet
Raportuesi David Vilshire, gjatë prezantimit të draftrezolutës theksoi se më e mira për zgjidhjen e krizës në Shqipëri është diskutimi në Parlament. Ndërsa e ka konsideruar si të drejtë termin krizë, ai ka kujtuar eksperiencat negative të Shqipërisë në vitin 97, ndërsa ka theksuar dhe rolin e KE-së në atë rast. Duke sjellë si shembull dhe raste të tjera të ndërmjetësimit të KE-së, reporteri theksoi dhe nevojën e ndërhyrjes në Shqipëri edhe në këtë rast. Ndërsa socialdemokrati Gros i bëri thirrje opozitës ti jepte fund bojkotit. Sipas tij, duhet të bëheshin përpjekje serioze që të mos shkohej në dhunë.
“Duhet të përpiqemi të bëjmë çtë mundim, në mënyrë që të parandalojmë dhunën. Unë si socialdemokrat, mund të flas me liderin e PS-së dhe lideri i së djathtës në Asamble mund të flasë me liderin e së djathtës dhe të ketë një ndërmjetësim, liderët mund të bëjnë gjithçka vetë, por ne duhet ti mbështesim”, - tha ai. Ndërsa një tjetër anëtar i Asamblesë së KE-së, Zernovski, pohoi se duhet të vihet në vijë dialogu politik. Ai theksoi dhe rolin që duhet të marrin partitë e minoriteteve, të cilat duhet të jenë pjesë aktive e politikës. Bojkoti i opozitës u konsiderua si jo i drejtë dhe nga përfaqësuesi i së majtës evropiane, i cili këshilloi PS-në të marrë pjesë në Parlament, ndërkohë që Berishës i kërkoi që të merret me problemet reale të shqiptarëve dhe jo me akuzat ndaj opozitës.
Amendimet
Më pas e kanë marrë fjalën dhe përfaqësuesit e delegacionit shqiptar, Ilir Rusmali dhe Lajla Përnaska. Rusmali vuri theksin në korrektesën e zgjedhjeve, ndërsa akuzoi Ramën se është kundër institucioneve. Ndërsa Përnaska kërkoi ndryshimin e disa pikave të rezolutës duke pohuar se në Shqipëri nuk ka krizë. Rusmali ka marrë disa herë fjalën dhe gjatë mbrojtjes së 10 amendimeve të propozuara. Thelbi i këtyre amendimeve të propozuara ishte mënjanimi i rolit të Presidentit të Republikës, ndryshe nga sa propozonin raportuesit, çka nuk u pranua nga KE. Ndërkohë që mori votat pro mendimi për të ndryshuar fjalën krizë institucionale me krizë politike si dhe për të lejuar hetimin e zgjedhjeve, por të kushtëzuar nga vendimi i gjykatës. Pra i heq të drejtën PS-së të kërkojë hapjen e kutive të votimit, ndërkohë janë miratuar dhe disa të tjera, të cilat synonin kryesisht rregullimin apo zbutjen e terminologjisë së përdorur në rezolutë. Raporti që përmban 10 pika i bën apel politikës shqiptare të zhbllokojë në mënyrë urgjente krizën politike që ka bllokuar funksionimi normal i të gjitha institucioneve demokratike në vend. KE i kërkon qeverisë shqiptare dhe opozitës ti japin fund krizës politike dhe të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre për të thelluar reformat e mëdha në vend. KE i drejtohet me thirrje urgjente qeverisë që brenda pak ditëve të ngrejë një komision parlamentar hetimor për zgjedhjet e 28 Qershorit të vitit të kaluar. Një thirrje e drejtpërdrejtë i drejtohet opozitës, e cila duhet të kthehet në Parlament dhe të kontribuojë për ecurinë e reformave.
Ky lajm është publikuar: 29/01/2010