Sarandë, arrestohen pas 14 vitesh vrasësit e Jorgo Zisos
SARANDE- Prokuroria e rrethit gjyqësor Sarandë rihap dosjen për një ngjarje të rëndë të ndodhur në korrik të vitit 1996 në fshatin Dermish ku grabitësit qëlluan për vdekje me thikë Jorgo Zison, pronar i një lokali. 14 vjet pas vrasjes policia e Vlorës në bashkëpunim me atë të Sarandës kanë bërë të mundur arrestimin e 3 prej personave që grabitën dhe vranë në sy të gruas dhe vajzës Jorgo Zison. Mësohet se një tjetër person është ende në kërkim si bashkëpunëtor ndërsa sipas policisë grupi i vetëemëruar si ‘Grupi i zjarrit’ janë autorë dhe të veprave të tjera penale. Për ngjarjen e vitit 1996 nuk ka patur të dhëna për numrin e procedimit apo për persona të dyshuar në kryerjen e veprës penale, pasi për shkak të trazirave të ndodhura në muajin mars të vitit 1997, fashikulli i procedimit në prokurori dhe gjykatë janë djegur. Arrestimet vijnë pas dëshmisë së gruas së viktimës. Shahin Ismaili, Edvin Kamberaj dhe Metush Gushaj akuzohen për veprën penale të vjedhjes me pasojë vdekjen. (e.n/News24/BalkanWeb)