Pakti i ri detar me Greqinë, PS apel Presidentit për transparencë
Ndërsa Tirana zyrtare ka pranuar se ka nisur përgatitjet për të negociuar për herë të dytë me Greqinë, marrëveshjen e ujrave detare, opozita ka ngritur sirenat e alarmit për fshetësinë e këtij procesi në dëm të interesave të vendit. Në emër të grupit parlamentar socialist, nënkryetari Sajmir Tahiri i ka kërkuar Presidentit të Republikës Bujar Nishani të bëjë menjëherë publike plotfuqinë me anë të të cilit ka autorizuar grupin negociator për paktin e ri.
Kjo kërkesë e socialistëve i referohet një nga pikave te vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e marrëveshjes së 2009 mes dy shteteve. Në vendim thuhej se ekipi negociator do të duhet që të paiset me plotfuqi nga Presidenti i Republikës për të nisur negociatat. Por deri më sot, kjo nuk ka ndodhur. As nga Presidenti Bamir Topi, i cili ishte në detyrë deri më 24 korrik, e as nga Presidenti aktual i Republikës, Bujar Nishani.
“Pa u tharë mirë boja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria Shqiptare duket se po nxiton të përfundojë një marrëveshje të re me shtetin fqinj për ndarjen e detit, Ndaj i kërkojmë Presidentit të Republikës të bëjë menjëherë publike Plotfuqinë me anë të së cilës ka ose do të autorizojë objektin dhe grupin negociator e të ekspertëve për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, duke i bërë thirrje që të përjashtojë të gjithë ata persona që u përfshinë në negocimin e marrëveshjes së parë e që u rrëzua unanimisht nga Gjykata Kushtetuese. Marrëveshja e re nuk mund të negociohet përsëri nga Gerveni e shokë, të njëjtët që nuk patën pikën e ndërgjegjes profesionale dhe kombëtare kur hartuan qorrazi marrëveshjen e pare” u shpreh Tahiri.
PS ka kërkuar zbatimin e vendimit të Kushtetueses për përshirjen e ekpertëve të pavaruar e shoqërisë civile perkrah grupit negociator të qeverisë, duke theksuar se opozita do të monitorojë hap pas hapi procesin.
Pak ditë më parë, kryedoplomati Edmond Panariti konfirmoi se Shqipëria dhe Greqia janë në fazën e rinegocimit të marrëveshjes detare, ceshtje që me siguri do të zërë edhe vendin kryesor në axhendën e tij të bisedimeve në vizitën e tij te shtatorit në Athinë.