E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia e institucioneve, Arvizu te Nishani e Berisha

Takimi vjen pak ditë pas shkarkimit të kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, dhe emërimit në vend të tij, të Visho Likës, deri para pak ditësh zv/ministër në Ministrinë e Inovacionit. Gjatë takimit në Presidencë, Nishani i ka theksuar ambasadorit amerikan dëshirën e Shqipërisë për të vijuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera.

“Presidenti i Republikës e garantoi Ambasadorin Arvizu për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve si dhe për kontributin e Tij në forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Presidenti Nishani, në përgjigje të interesimit të Ambasadorit Arvizu vuri në dukje se ndër prioritetet e presidencës së Tij do të jenë pavarësia e sistemit gjyqësor dhe rritja e besimit të gjyqtarëve tek sistemi i drejtësisë. Kreu i Shtetit u shpreh më tej, se promovimi i gjyqtarëve do të realizohet duke u bazuar në merita, nëpërmjet një procedure të hapur dhe transparente me kritere të përcaktuara qartë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas deklaratës, zoti Arvizu ka shprehur vlerësimin e tij për zgjedhjen e Presidentit Nishani në krye të shtetit dhe vlerësoi qasjen e Presidentit në lidhje me reformimin e sistemit të drejtësisë dhe fuqizimin e rolit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.  Ambasadori amerikan garantoi gjithashtu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Presidentin Nishani dhe veçanërisht në përpjekjet e Tij për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Berisha: Marrëdhëniet tona të thellohen më tej

Ambasadori Arvizu ka zhvilluar edhe një takim me kryeministrin Sali Berisha në Kryeministri. “Në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, forcimin dhe intensifikimin e tyre në të gjitha fushat, me interes të ndërsjellë. Në takim u shpreh kënaqësia për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve. Kryeministri Berisha ritheksoi angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare që këto marrëdhënie të çohen përpara dhe të njohin zhvillime të mëtejshme pozitive për të dyja vendet”, thuhet në njoftimin e shkurtër të Kryeministrisë.

Rama: Asnjë fije besimi për pavarësinë e institucioneve

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi në Twitter për takimet e diplomatit amerikan, duke theksuar se Nishani nuk mund të provojë pavarësinë e institucioneve, kur ai vetë është i varur nga kryeministri.

“Asnjë fije besimi në çka deklaron Presidenti... S'mund te promovoje gjyqtare të pavarur një President i varur koke e këmbë nga Kryeministri! S’mund të promovoje pavarësinë e institucioneve një institucion qe varet nga qeveria siç është Presidenca e Nishanit, një ministri si te tjerat! S’mund të promovoje as shkëlqimin e marrëdhënieve me SHBA një President qe përzgjedh drejtorin e Shish pa asnjë konsulte me aleatin e madh!”, shkruan Rama. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-08-17 14:15
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›