E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti me Greqinë, afti i fundit për opozitën

09/11/2009  Skadon koha që Gjykata Kushtetuese la në dispozicion të partive për dokumentet shtesë

Asnjë parti nuk ka dorëzuar certifikatën dhe statutin e partisë

Partia Socialiste dhe pesë partitë e tjera që kanë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufijtë detarë kanë afat edhe ditën e sotme për t’iu përgjigjur kërkesës së Kushtetueses për të sjellë dokumentet shtesë. Sipas burimeve zyrtare, deri ditën e fundit zyrtare të javës që shkoi asgjë prej këtyre partive nuk kishte depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese certifikatën e regjistrimit të partisë në gjykatë dhe statutin e partisë. Nëse këto parti nuk do të dorëzojnë dokumentet e kërkuara brenda afatit të caktuar, pas kësaj date nuk do të pranohen, duke e rrëzuar automatikisht kërkesën ankimore të tyre. Në fillim të këtij muaji Gjykata Kushtetuese u kërkoi gjashtë partive ankimuese që kërkesës së tyre për interpretim të Kushtetutës lidhur me marrëveshjen e Shqipërisë me Greqinë për ujërat detare t’u bashkëngjitnin edhe statutet e partive dhe certifikatën e regjistrimit në gjykatë si forcë politike. Dokumentet plotësuese ato duhet t’i depozitojnë në Gjykatën Kushtetuese jo më vonë se data 9 nëntor. Pas kësaj date nuk do të pranohet asnjë dokument, dhe kjo situatë do ta vërë institucionin në kushte të reja për të marrë një vendim pa i hyrë gjykimit të çështjes në brendësi. Kërkesa e gjykatës për plotësim dokumentesh erdhi pas arritjes në përfundimin nga dhoma e këshillimit të këtij institucioni se partitë ankuese nuk kishin të drejtë të vinin në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Për t’u legjitimuar si kërkues këto subjekte politike duhet të kenë të përcaktuar në statutin e tyre se janë në mbrojtje të integritetit detar të vendit. Nga gjashtë parti mendohet se disa prej tyre nuk e kanë të parashikuar në statut këtë përcaktim, gjë e cila rrezikon shqyrtimin e çështjes nga Gjykata, duke e bërë kërkesën të pavlefshme. Pavarësisht asaj që do të vendoset, koha e gjykimit të marrëveshjes do të qëndrojë brenda dyerve të Gjykatës më gjatë nga ç’ishte menduar, gjithmonë nëse institucioni vendimmarrës do të respektojë të gjitha limitet kohore që parashikon ligji, mbi të gjitha nëse partitë do t’u përgjigjen detyrimeve ligjore.

Kushtetuta dhe ligji

Sipas Kushtetutës dhe ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare kjo e fundit vihet në lëvizje vetëm pasi bëhet kërkesë nga: a) Presidenti i Republikës; b) Kryeministri; c) jo më pak se një e pesta e deputetëve; dh) Avokati i Popullit; e) organet e qeverisjes vendore; ë) organet e bashkësive fetare; f) partitë politike dhe organizatat e tjera; për çështje që lidhen me interesat e tyre. Për sa i takon afatit të gjykimit, ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” në nenin 52 të tij përcakton se shqyrtimi i kërkesës përfundon brenda 1 muaji nga data e paraqitjes së saj, që sigurisht nuk do të jetë më 20 tetori.

Pensionet suplementare

Këtë javë, më 12 nëntor, Gjykata Kushtetuese do të nisë shqyrtimin e kërkesës ankimore të pesë subjekteve ndaj ligjit të qeverisë për pensionet suplementare të ushtarakëve. Avokati i Popullit dhe disa shoqata i kanë kërkuar Gjykatës shpalljen e papajtueshmërisë me Kushtetutën dhe shfuqizimin e këtij ligji. E parashikuar të shqyrtohej më 3 nëntor, gjykimi u shty me kërkesë të përfaqësuesve të qeverisë. Në këtë seancë Kushtetuesja rrëzoi kërkesën tjetër të shoqatave ankimuese: atë për pezullimin e zbatimit të ligjit deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas ankuesve, ligji s’përmirëson aspak situatën e ushtarakëve, por cenon përfitimet që rrjedhin nga zbatimi i tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›