E Diel, 1 Nëntor 2026

“Duam transparencë e pavarësi në Konferencën Gjyqësore”

11/11/2009  Gjyqtarët i drejtohen Ministrisë së Drejtësisë me 4 pikat kryesore

TIRANË – Konferenca Gjyqësore dhe projektligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë për këtë hallkë të drejtësisë në vend, ka mbledhur në një takim krerët e gjykatave në rrethe. Ky takim është drejtuar nga kreu i Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj. Projektligji duhet të ketë brenda edhe zërin e trupës gjyqësore me qëllim që të jetë sa më i besueshëm dhe më i zbatueshëm. Por nuk ka qenë vetëm kjo. Në takim është folur edhe për konferencën gjyqësore së cilës do t’i paraprihet me një takim të ët gjithë gjyqtarëve në datë 5 dhjetor. Takimi ka dalë në disa pika të përbashkëta, të cilat do t’i transmetohen Ministrisë së Drejtësisë. Ndërkohë që në takimin e datës 5 dhjetor do të flitet për pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe reformën e pushtetit gjyqësor, rritjen e transparencës dhe të besimit të publikut tek drejtësia. Por do të flitet edhe për pikën kryesore atë të mbledhjes së Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Takimi është parë si një domosdoshmëri për t’i dhënë zgjidhje të gjitha problemeve të ngritura në lidhje me sistemin gjyqësor. Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, mblodhi ditën e hënë në një tryezë të rrumbullakët konsultative, kryetarët e gjykatave të Republikës së Shqipërisë, shoqatat e gjyqtarëve dhe organizatat ndërkombëtare që operojnë në vendin tonë në sistemin e drejtësisë. Kjo tryezë e rrumbullakët, e cila mblidhet për herë të dytë, ka pasur në qendër të diskutimeve projektligjin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare të paraqitur nga Ministria e Drejtësisë. Gjatë këtij takimi u diskutua dhe u hodhën mendime mbi problemet dhe shqetësimet që janë aktualisht në fokus të sistemit gjyqësor shqiptar. Takimi i drejtuar nga Beçaj dhe që pati shumë debate lidhur me sistemin e drejtësisë dhe problemet e mëdha që e karakterizojnë doli edhe me një përfundim. Gjyqtarët firmosën të gjithë një deklaratë, të cilën ia nisën më pas Ministrit të Drejtësisë Bujar Nishani. Në takim ishin edhe përfaqësues të EURALIUS, USAID, të cilët kanë dhënë asistencën e tyre juridike.

I kërkojmë Ministrisë së Drejtësisë për të pasqyruar në draftin përfundimtar në mënyrë të detajuar, të gjitha rekomandimet e bëra nga trupa gjyqësore në tërësi, shoqatat e gjyqtarëve dhe misionit ndërkombëtar EURALIUS, në lidhje me projektligjin.

I kërkohet Ministrisë së Drejtësisë që në kohën më të shkurtër të përshtatshme, ky projektligj me rregullimet e bëra, të kërkuara më sipër, t’i dërgohet Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Shqipërisë, për miratim.

I kërkojmë të gjitha forcave politike që të shprehin vullnetin dhe të marrin përsipër përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese për arritjen me konsensus dhe në kohë rekord për kalimin e këtij projektligji, i cili do të bëjë të mundur mirëfunksionimin e Sistemit të Drejtësisë në tërësi dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti.

Nga kjo tryezë e rrumbullakët, në unanimitet u vendos që paralelisht me procesin ligjvënës trupa gjyqësore të vete administrohet në mënyrë të pavarur, duke thirrur në një takim të gjithë gjyqtaret e Republikës së Shqipërisë në datë 05.12.2009.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›