Pakti me OSSH, Prifti: Asnjë kufizim të energjisë elektrike për qytetarët
Rritja e çmimit të energjisë, Qeveria fond prej 1.7 miliardë lekësh për kompensimin financiar të 280 mijë familjeve Rritja e çmimit të energjisë elektrike me 13 për qind, nuk do të penalizojë familjet shqiptare në nevojë, pasi qeveria ka gati një fond prej 1.7 miliard lekësh, që do të rimbursojë 280 mijë familjet e prekura. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi se me fondin e qeverisë do të kompensohen pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, invalidët dhe jetimët, si dhe buxhetorët me pagë të ulët nën 350 mijë lekë të vjetra në muaj. Kreu i Energjetikës ka zbardhur detaje e skemës së subvencionimit të energjisë elektrike, nga e cila do të përfitojnë 280 mijë familje. “Kompensimi do të jetë i plotë, shkon deri në shifrën 960 lekë të reja në muaj për familjet që kompensohen sepse ruan të gjitha rritjet e çmimeve që janë bërë dhe nga vitet e tjera, përfshi rritjen që do të bëhet në vitin 2010”, tha Prifti.Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti i kërkoi kompanisë çeke, CEZ që është dhe pronari i ri OSSH-së që të mos bëjë kufizime të energjisë për qytetarët, ashtu siç po vihet re ditët e fundit në disa zona të vendit.Sipas tij, në kontratën me shtetin shqiptar, investitori ka marrë përsipër të furnizojë pa ndërprerje me energji qytetarët dhe në rastin e mos shlyerjes së detyrimeve, të bëjë ndërprerje individuale.“Nga informacionet që kam marrë ditët e fundit të cilat dhe i kam verifikuar më del që OSSH-ja në një mënyrë të padrejtë është duke bërë stakime dhe për zona të tjera në Shqipëri për të cilat nuk duhet të bëjë stakime. Ne kemi firmosur një marrëveshje me OSSH-në që të ketë furnizim 100 për qind për të gjithë konsumatorët, kemi një marrëveshje që nuk mund të ketë dënime kolektive. Edhe pse një pjesë e një lagjeje nuk paguan energji elektrike nuk mund të vuajë e gjithë lagja apo i gjithë qyteti. Në qoftë se kanë pakënaqësi në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë nuk mund të reagojnë duke ndërprerë energjinë elektrike sepse në këtë nuk do ta lejojmë”, u shpreh ministri Prifti. Ministri i Energjetikës i është përgjigjur dhe ultimatumit të kompanisë CEZ lidhur me vendosjen e afatit një javor për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të energjisë të institucioneve shtetërore, një borxh që sipas OSSH-së arrin në rreth 3 miliardë lekë. Sipas Priftit, qeveria është gati ta paguajë këtë shumë, pasi ajo të njihet nëpërmjet një rakordimi mes kompanisë dhe institucionit debitor....