Qeveria, ndihmë për komunitetin serb në Kosovë
Zëvendëskryeministri Ilir Meta takohet me kreun e Partisë Liberale Serbë në Kosovë, Sllobodan Petroviç Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta priti dje në një takim përfaqësues politikë të komunitetit serb në Kosovë, të kryesuar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, njëherësh, Kryetar i Partisë Liberale Serbë në Kosovë, Sllobodan Petroviç. Gjatë takimit Meta pasi vlerësoi se komuniteti serb në Kosovë përbën një vlerë shumë të rëndësishme për një Kosovë demokratike, përshëndeti rritjen e pjesëmarrjes së këtij komuniteti në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, shprehje e qartë kjo e ndërgjegjësimit të tyre se vetëm në këtë mënyrë ata do të marrin në dorë fatet e tyre dhe do të bëhen pjesë e proceseve integruese evropiane. Meta ripërsëriti premtimin se dhe Qeveria e Shqipërisë do të japë kontributin e saj për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit dhe për ndërtimin e objekteve social-kulturore në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Më tej Meta rikonfirmoi mbështetjen maksimale për institucionet kosovare, në ndërtimin e një shoqërie demokratike, në forcimin e së drejtës dhe zbatimin rigoroz të ligjit, ku, pavarësisht nga përkatësia etnike, çdo banor i saj ta ndjejë veten qytetar të lirë në shtëpinë dhe pronën e tij. Ministri Meta ndër të tjera tha se ne mendojmë që të gjithë vendet e rajonit dhe të BE-së, që janë të interesuara për Kosovën duhet të japin ndihmën e tyre për Kosovën dhe në mënyrë të veçantë për integrimin e komunitetit serb atje dhe në këtë drejtim, ne duam të japim një shembull të qartë e të spikatur. Ndërsa Petrovic, lidhur me këtë çështje u shpreh se: “ajo që është me rëndësi është që Ministri Meta e ka ofruar mbështetjen e tij. Kjo ka rëndësi të madhe në shumë aspekte. Siç e dini, për qytetarët shqiptarë të Kosovës, shteti i Shqipërisë ka një autoritetet me rëndësi të veçantë. Ne mendojmë se një vizitë e tillë, do të ketë një ndikim të rëndësishëm dhe në përmirësimin e marrëdhënieve midis dy komuniteteve. Ajo që është e rëndësishme, është që kjo vizitë do të jetë një shembull shumë i mirë dhe për vendet e tjera, për më tepër që do të jetë dhe një garanci më e sigurt për Qeverinë e Kosovës, me të cilën kemi marrëdhënie mjaft korrekte”. I Pyetur që media ka komentuar një ditë më parë si një harresë për Shqipërinë deklaratën e djeshme të Karl Bildt në mbyllje të Presidencës suedeze, Meta u shpreh se jemi shumë mirënjohës presidencës suedeze për atë ndihmë të jashtëzakonshme që i dha Ballkanit Perëndimor gjatë presidencës së saj. “Një nga rezultatet shumë të rëndësishme të kësaj presidence ishte miratimi i aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe njëkohësisht dorëzimi i pyetësorit, ashtu sikurse një sukses tjetër i padiskutueshëm ishte dhe liberalizimi i vizave për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Të jeni të bindur se mjaft e suksesshme ka qenë kjo periudhë edhe për plotësimin dhe realizimin e të gjitha standardeve që janë kërkuar nga udhërrëfyesi i BE-së për liberalizimin e vizave,” tha ndër të tjera Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta. Duke bërë të ditur se Shqipëria pothuajse i ka plotësuar të gjitha standardet, Meta rikonfirmoi se viti 2010 do të jetë viti i liberalizimit të vizave për Shqipërinë....