Pakti per ujrat me Greqine, vendimi i plote i Gjykates Kushtetuese
V E N D I M
“Në EMëR Të REPUBLIKëS Së SHQIPëRISë”
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga:
Vladimir Kristo, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese
Fehmi Abdiu, Anëtar i “ “
Kujtim Puto, Anëtar i “ “
Petrit Plloçi, Anëtar i “ “
Vitore Tusha, Anëtare e “ “
Sokol Berberi, Anëtar i “ “
Sokol Sadushi, Anëtar i “ “
Admir Thanza, Anëtar i “ “
Xhezair Zaganjori, Anëtar i “ “
me sekretare Blerina çinari, në datën 08.12.2009, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të hapura çështjen nr.37/24 Akti, që i përket:
K ë R K U E S: PARTIA SOCIALISTE E SHQIPëRISë, e përfaqësuar nga z.Saimir Tahiri, z.Damian Gjiknuri, z.Myslym Pashaj, me autorizim.
SUBJEKTE Të INTERESUARA:
PRESIDENTI I REPUBLIKëS, në mungesë.
KUVENDI I REPUBLIKëS Së SHQIPëRISë, i përfaqësuar nga z.Lulëzim Lelçaj, me autorizim.
KëSHILLI I MINISTRAVE, i përfaqësuar nga znj.Marsida Xhaferllari, me autorizim.
MINISTRIA E PUNëVE Të JASHTME, e përfaqësuar nga znj.Ledia Hysi, me autorizim.
MINISTRIA E MBROJTJES, e përfaqësuar nga Kundëradmiral Kristaq Gërveni, z.Rezart Tërshana dhe znj.Miranda Zeka, me autorizim.
O B J E K T I: Shqyrtimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.
BAZA LIGJORE: Nenet 131 shkronja “b”, 134 shkronja “f” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; neni 52 i ligjit nr.8577, dt.10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatorin e çështjes, Xhezair Zaganjori; përfaqësuesit e Partisë Socialiste të Shqipërisë, që kërkuan pranimin e kërkesës; përfaqësuesit e subjekteve të interesuara: Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes që kërkuan rrëzimin e saj, si dhe bisedoi çështjen në tërësi,
V ë R E N:
I
1. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë, nëpërmjet Ministrave respektivë të Punëve të Jashtme, më datë 27.04.2009, kanë nënshkruar Marrëveshjen “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Marrëveshja e lidhur i është dërguar Kuvendit për ratifikim, në përputhje me nenin 121 të Kushtetutës. Sipas relacionit që shoqëron marrëveshjen dërguar Kuvendit, lidhja e kësaj marrëveshje erdhi si nevojë jo vetëm e përcaktimit të kufijve detarë midis dy vendeve fqinjë por edhe e përdorimit dhe shfrytëzimit ekonomik të hapësirave detare nga ana e shtetit shqiptar. Pala shqiptare ka qenë e interesuar të lidhë këtë marrëveshje në kushtet kur marrëdhëniet midis dy vendeve zhvillohen në një klimë bashkëpunimi dhe të mbështetura në parimet e miqësisë së mirë. Të dy shtetet janë palë në konventën kuadër, Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit, e cila theksohet se ka shërbyer si bazë për lidhjen e marrëveshjes.
2. Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) iu paraqit një kërkesë nga disa parti politike, konkretisht: Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia Social-Demokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia Demokristiane, Partia “Ligj dhe Drejtësi” dhe Partia G 99, me objekt: “Shqyrtimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë i marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.
3. Gjykata, gjatë shqyrtimit paraprak të kërkesës, me vendimin e datës 26.11.2009, marrë në Mbledhjen e Gjyqtarëve, bazuar në nenin 52/3 të Ligjit nr.8577, dt.10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash 5 me 4, vendosi: a) kalimin në seancë të çështjes; b) legjitimimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, c) rrëzimin e kërkesës për subjektet e tjera kërkuese . Në zbatim të nenit 52/3 të këtij ligji, kur çështja kalon për shqyrtim në seancë, pezullohen procedurat për ratifikimin e marrëveshjes deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga kjo Gjykatë.
4. Kërkuesi, Partia Socialiste e Shqipërisë, pretendon se marrëveshja objekt kundërshtimi nuk është në pajtim me nenet 3, 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës, pasi:
4.1 Mungon plotfuqia nga ana e Presidentit të Republikës për negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes objekt shqyrtimi, gjë që vjen në kundërshtim me nenin 4 të ligjit nr.8371, dt.09.07.1998 “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare” si dhe me parimet dhe frymën kushtetuese të kooperimit institucional. Presidenti i Republikës, si përfaqësues i vetëm i unitetit të popullit, është organi që në bazë të ligjit duhet të japë autorizimin për negocimin e marrëveshjeve ku palë është shteti shqiptar.
4.2 Grupi negociator i palës shqiptare është ngritur me Urdhërin e Kryeministrit nr.135, dt.23.08.2007 “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje”, me qëllim përcaktimin e shelfit kontinental me Greqinë, ndërkohë që bisedimet janë zhvilluar përveçse mbi shelfin kontinental edhe mbi hapësira të tjera detare.
4.3 Titulli dhe përmbajtja e marrëveshjes janë të pazakonta. Titulli duhet të jetë i tillë që të pasqyrojë përmbajtjen e marrëveshjes, e cila mund të ketë për objekt përcaktimin e kufijve të ujrave territorialë, ose të shelfit kontinental, ose të zonës ekonomike ekskluzive apo të disa prej tyre. praktika ndërkombëtare nuk njeh raste ku titulli i marrëveshjes të jetë kaq i gjerë.
4.4 Nuk duhej të ishte zbatuar parimi i barazlargësisë strikte për përcaktimin e kufirit detar, i cili ka sjellë pasoja të disfavorshme për shtetin shqiptar duke humbur padrejtësisht sipërfaqe të konsiderueshme hapësirash detare, për shkak se dy brigjet kanë kushte gjeografike të ndryshme. Në vend të tij duhej zbatuar parimi i barazlargësisë i kombinuar me ekitene (frëngjisht equite ose anglisht equity), i cili bën të mundur arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndërshem.
4.5 Nuk është përcaktuar paraprakisht vija bazë nga shteti shqiptar, e cila ka rëndësi në përcaktimin e shelfit kontinental dhe zonave të tjera. Rëndësia e vijës bazë qendron kryesisht tek fakti se brigjet e Shqipërisë dhe Greqisë nuk janë të njëjta, gjë e cila ndikon edhe tek përzgjedhja e parimit që do të zbatohet për vendosjen e kufirit ujor. Kështu p.sh, ishulli i Korfuzit krijon rrethana gjeografike të përshtatshme për palën greke, pasi futet në hapësirën ujore që duhej t’i takonte shtetit shqiptar. Gjithashtu, ishulli Othonoi krijon një tjetër zgjatim verior të hapësirës ujore greke në disfavor të palës shqiptare.
4.6 Delegacioni shqiptar nuk ka treguar kujdesin e duhur për përcaktimin e statusit dhe shtrirjes së gjirit të Sarandës dhe nuk ka bërë përpjekje që të njëjtin status të fitonte edhe gjiri i Sarandës, ndërkohë që ka pranuar kërkesën e palës greke që gjiri i Korfuzit të trajtohet si gji me statusin e ujrave të brendshme. Kjo ka çuar në zvogëlimin e hapësirës dhe për pasojë edhe afrimin e pajustifikuar të vijës së kufirit detar në drejtim të bregut të Sarandës, pra në disfavor të interesave kombëtare.
4.7 Shkëmbi Barketa nuk duhet të shërbente si pikë skajore bazë prej të cilës ka filluar matja e vijës së barazlarguar nga pikat më të afërta të bregdetit shqiptar, por si vijë ndarëse e kufirit detar greko-shqiptar, sepse nuk është shkëmb por cekinë shkëmbore. Nuk ka motiv që Barketës t’i njihej dhe t’i akordohej e drejta e hapësirës ujore, pasi kjo cekinë shkëmbore duket dhe zhduket në varësi të fenomeneve baticë-zbaticë.
4.8 Nuk ishte i nevojshëm përcaktimi i kufirit të hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi ky kufi ka qenë i përcaktuar më parë. Në Protokollin e Firences 1913 është pranuar se kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë në zonën e kanalit të Korfuzit kalon përmes ngushticës, gjë e cila nuk është kontestuar asnjëherë nga palët. Gjithashtu, me ligjet e miratuara nga parlamenti shqiptar (ligji nr.8771, dt.19.04.2001 “Për kufirin shtetëror të RSH”, i shfuqizuar me ligjin nr.9861, dt.24.01.2008) janë parashikuar si pjesë të territorit shqiptar si ujrat territoriale ashtu dhe ujrat e brendshme.
4.9 Marrëveshja e nënshkruar nuk është shoqëruar me hartat përkatëse por vetëm me koordinatat e kufirit ndarës, gjë që e bën të paqartë pohimin se “vija e mesme që përcaktohet nga vija gjeodezike që bashkon pikat në tabelë (neni 1/2 i marrëveshjes) është vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e barazlarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë” (pika 1/1 e marrëveshjes). Mungesa e hartave lidhet edhe me parimin e transparencës që duhet të ishte zbatuar gjatë negocimit të marrëveshjes në fjalë.
4.10 Negocimi dhe hartimi i marrëveshjes është kryer në fshehtësi dhe në mungesë të transparencës. Qeveria ka detyrimin të bëjë publike të gjitha çështjet, të cilat kanë interes, sidomos ato lidhur me kufijtë e vendit dhe territorit të shtetit. Ky është një detyrim që rrjedh edhe nga neni 23 i Kushtetutës që garanton të drejtën e informimit. Nga ana e qeverisë nuk ka patur vullnet për të dhënë sqarime edhe kur u shfaq interesi i publikut për t’u informuar më shumë mbi këtë marrëveshje.
5. Presidenti i Republikës
5.1 Institucioni i Presidentit të Republikës, me shkresën nr.1976/1, dt.3.12.2009 drejtuar Gjykatës, shprehet se e lë në çmim të kësaj Gjykate vlerësimin lidhur me pajtueshmërinë me Kushtetutën të marrëveshjes objekt gjykimi.
6. Kuvendi i Shqipërisë
6.1 Kërkuesi nuk legjitimohet për arsye se partitë politike nuk janë subjekte të përgjithshme të parashikuara nga neni 134/1 i Kushtetutës. Vetëm subjektet e parashikuara në këtë dispozitë mund të fillojnë një kontroll abstrakt para Gjykatës Kushtetuese. Pavarësisht numrit të madh të votuesve të kësaj partie, ajo nuk legjitimohet në kërkesën e saj, pasi nuk arrin të justifikojë interesat që preken nga objekti i marrëveshjes. Partia Socialiste ka mundësi të shprehë kundërshtimet dhe rezervat e veta lidhur me marrëveshjen gjatë shqyrtimit të saj në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo në rrugën e kontrollit kushtetues. Mungesa e kësaj partie në Kuvend nuk mund të zëvendësohet me mjete të tilla juridike siç është ankimi kushtetues në një procedurë abstrakte kontrolli.
6.2 Nuk ka prova që të vërtetojnë se kufiri detar midis Shqipërisë dhe Greqisë ka ekzistuar. Për më tepër, nëse kufiri midis dy vendeve do të kishte ekzistuar, nuk do të kishte dalë nevoja e lidhjes së kësaj marrëveshjeje.
6.3 Mungesa e hartave shoqëruese është një çështje teknike që nuk mund ta bëjë marrëveshjen antikushtetuese, pasi koordinatat janë të mjaftueshme për të përcaktuar kufirin.
6.4 Marrëveshja e nënshkruar nga pala shqiptare dhe ajo greke ndodhet ende në fazat e shqyrtimit parlamentar në Kuvend, konkretisht në komisionet parlamentare. Në këto kushte, është e pamundur të paraqiten nga ana jonë parashtrime lidhur me disa aspekte të përmbajtjes së marrëveshjes.
7. Këshilli i Ministrave
7.1 Kërkuesi nuk legjitimohet për të iniciuar një gjykim të kontrollit abstrakt të normës ligjore, për shkak se subjekte të tillë kanë detyrimin të argumentojnë lidhjen e çështjes me interesat e tyre, gjë të cilën kërkuesi nuk rezulton ta ketë bërë përmes kësaj kërkese. Kërkuesi nuk ka dhënë asnjë argument që provon interesin e prekur nga ligji objekt shqyrtimi.
7.2 Shqipëria dhe Greqia nuk i kanë përcaktuar asnjëherë më parë kufijtë detarë ndërmjet tyre dhe për këtë arsye faktet historike të paraqitura nga kërkuesi nuk janë të sakta.
7.3 Konsultimi publik nuk është standard kushtetues por lidhet me vullnetin politik, prandaj nuk mund të jetë shkak i tillë që të mund ta bëjë marrëveshjen antikushtetuese. Ky pretendim mund të ngrihet në rrugën politike të shprehjes së mendimit, konkretisht gjatë procedurave parlamentare. Kërkuesi i ka të gjitha mundësitë që në rrugë parlamentare të realizojë procesin e konsultimit, i cili, sipas tij, ka munguar në lidhjen e kësaj marrëveshje.
7.4 Nuk qëndron pretendimi për mungesë informimi dhe transparence, pasi vetë kërkuesi nuk ka pranuar të marrë pjesë në punimet e parlamentit. është kjo arsyeja që ai nuk ka pasur mundësi të njihet nga afër me dokumentacionin lidhur me përgatitjen, negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes. Përveç kësaj, kërkuesi nuk paraqet asnjë provë që të vërtetojë se i është mohuar dhënia e informacionit pas kërkesës së bërë zyrtarisht prej tij.
7.5 Pretendimi për mungesën e hartave shoqëruese nuk është shkak për pavlefshmëri, pasi në periudhën e zhvillimit të teknologjisë dixhitale përcaktimi i koordinatave është më se i mjaftueshëm për të përmbushur funksionin e përcaktimit të kufirit.
7.6 Negocimi i marrëveshjes është shtrirë në një hark kohor prej 3 vitesh, megjithëse interesi i palës shqiptare për përcaktimin e saktë të kufijve ka qenë i dokumentuar që prej 1993. Nga ana e qeverisë janë bërë të gjitha përpjekjet që bisedimet të bëhen të njohura për publikun që prej momentit që ka pasur interesim për këtë çështje.
8. Ministria e Punëve të Jashtme:
8.1 Nuk qëndron pretendimi se negocimet janë bërë në kohë të shkurtër dhe në mungesë të plotë të transparencës. Bisedimet për lidhjen e kësaj marrëveshjeje kanë filluar që prej vitit 2006 dhe me Urdhërin e Kryeministrit nr.135, dt.23.08.2007, për këtë qëllim, u krijuar grupi ndërinstitucional i punës. Janë zhvillur mjaft raunde bisedimesh dhe e gjithë procedura e negocimit deri në përgatitjen përfundimtare të marrëveshjes është kryer në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe praktikën diplomatike. Megjithëse bisedimet diplomatike të kësaj natyre janë përherë të rezervuara për publikun, kur ka pasur kërkesë për informacion, ai është dhënë në përputhje me ligjin nr.8457, dt.11.2.1999 “Për klasifikimin e informacionit “sekret shtetëror”.
8.2 Nuk ka pasur më parë kufij detarë të përcaktuar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Protokolli i Firences i vitit 1925 përcakton vetëm kufirin tokësor. Edhe legjislacioni shqiptar në vite nuk ka pasur asnjëherë një përcaktim të qartë sa i takon kufirit detar me Greqinë. Pretendimi i kërkuesit se koncepti i përfshirë në vendimin e GJND se “kufiri është midis bregdetit shqiptar dhe atij grek deri përmes kanalit të Korfuzit”, nuk qendron pasi ky koncept juridikisht dhe gjeografikisht nuk përcakton qartë se ku ndodhet kjo vijë ndarëse.
8.3 Fakti që nuk ka harta analoge bashkëlidhur marrëveshjes nuk do të thotë se mungojnë të dhënat gjeografike. Marrëveshja shoqërohet nga 150 koordinata, bashkimi i të cilave formon vijën ndarëse të kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Neni 16 i Konventës së III të OKB-së për të Drejtën e Detit parashikon se: “Shtetet bregdetare do të bëjnë publikimin e duhur të hartave ose listave të tilla të koordinatave gjeografike dhe do të dorëzojnë kopje të tyre tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB”. Për këtë qëllim është vendosur dhe një numër maksimal koordinatash, gjë që rrit sigurinë dhe përpikmërinë në përcaktimin e vijës ndarëse.
8.4 Pretendimi se vendndodhja e ishullit Barketa kalon vijën e mesit në ujrat tona, - nëse kjo vijë mesi do të ishte ndërmjet dy brigjeve – nuk është i saktë. Koordinatat tregojnë se ishulli Barketa është në perëndim të vijës së mesit të ndërtuar midis dy brigjeve. Për këtë arsye, ky shkëmb është marrë si pikë referimi për përcaktimin e vijës bazë.
9. Ministria e Mbrojtjes:
9.1 Nuk ka pasur kufij të caktuar më parë midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi Protokolli i Firences ka përcaktuar vetëm kufirin tokësor dhe në këtë dokument nuk gjendet asnjë koordinatë që të përcaktojë vijën ndarëse të kufirit detar midis këtyre dy vendeve. Për rrjedhojë, nuk ka pasur ndonjë vijë tjetër ndarëse të përcaktuar më parë nga këto vende me marrëveshje, por kanë ekzistuar vija të përcaktuara në mënyrë të njëanshme nga secili vend.
9.2 Nuk qendron pretendimi se Shqipëria ka humbur territor, pasi vija ndarëse është e barazlarguar nga vijat bazë të vendeve respektive.
9.3 Mungesa e hartave analoge shpjegohet me faktin se sot përdoren më së shumti hartat dixhitale në përputhje me Sistemin Gjeodezik Botëror WGS84, sipas të cilit koordinatat pasqyrohen në rrugë elektronike dhe të saktë.
II
I. Lidhur me çështjen e legjitimimit të kërkuesit.
10. Subjektet e interesuar, Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave, pretendojnë se kërkuesi nuk legjitimohet, pasi ai është një parti politike, e cila, sipas nenit 134/2 të Kushtetutës nuk mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për një kontroll abstrakt të akteve. Sipas tyre, rastet kur partitë politike dhe subjektet e tjera të parashikuara në këtë dispozitë mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese janë të parashikuara shprehimisht në këtë dispozitë. Ato duhet të paraqesin argumente që justifikojnë cenimin e drejtpërdrejt dhe real të interesave të tyre, si rrjedhojë e veprimit të aktit që kundërshtohet.
11.çështjen e legjitimimit të kërkuesit, (locus standi) Gjykata e vlerëson si një ndër aspektet kryesore që lidhen me inicimin e një procesi kushtetues. Në gjykime të kontrollit të kushtetutshmërisë së normës, subjektet inicuese që parashikohen në nenin 134/2 të Kushtetutës mund të bëjnë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.
12.Pavarësisht se çështjen e legjitimimit të kërkuesit Gjykata e ka shqyrtuar paraprakisht dhe lidhur me të është shprehur me vendimin e ndërmjetëm të dt.26.11.2009 të Mbledhjes së Gjyqtarëve, me të cilin, me shumicë votash u vendos legjitimimi vetëm i Partisë Socialiste të Shqipërisë, për shkak të pretendimeve të paraqitura në seancën gjyqësore të zhvilluar për këtë qëllim, ajo e sheh të arsyeshme të ndalet më gjatë tek arsyet që çuan në legjitimimin e kërkuesit në këtë gjykim kushtetues.
13.Gjykata vlerëson se kërkuesi legjitimohet ratione personae në kuptim të rregullimit të parashikuar nga neni 134, shkronja “f” i Kushtetutës dhe neni 52/2 i ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (më poshtë: ligji për Gjykatën Kushtetuese). Partia Socialiste e Shqipërisë (PSSH) është një parti politike e regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe e krijuar me Urdhër të Ministrit të Drejtësisë, nr.36/1, dt.15.08.1991. Aktualisht ajo është partia më e madhe opozitare në vend. Në hyrjen e statutit të kësaj partie parashikohet se: “PSSH vepron në respekt të Kushtetutës, të ligjeve, të shtetit të së drejtës dhe të formës parlamentare të qeverisjes për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, rendit dhe drejtësisë....PSSH ndjek objektiva politikë përmes të cilave synon mbrojtjen dhe promovimin e vlerave dhe të interesave kombëtare...”.
14. Gjykata vlerëson se partitë politike janë organe kushtetuese në kuptim të nenit 9 të Kushtetutës shqiptare. Bazuar në nenin 1 të ligjit nr.8580, dt.17.02.2000 “Për partitë politike”, ato janë bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e ideve, të bindjeve e të pikëpamjeve ose të interesave të përbashkët politikë, të cilët synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit. Më tej, në nenin 2 të këtij ligji parashikohet se partitë politike “marrin pjesë në formimin e vullnetit politik të popullit në të gjitha fushat e jetës publike, kryesisht nëpërmjet ndikimit në krijimin e opinionit publik dhe të edukatës politike, nxitjes së pjesëmarrjes aktive të shtetasve në jetën politike dhe evidentimin e aftësimit të shtetasve për të marrë përsipër përgjegjësi publike dhe pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore.”
15. Partitë politike janë faktorë qendrorë të formimit të vullnetit politik të zgjedhësve duke marrë përsipër rolin ndërmjetës midis qytetarit dhe organeve shtetërore në një shtet demokratik. Ky rol realizohet jo vetëm nëpërmjet zhvillimit të fushatave zgjedhore për formimin e parlamentit nga i cili del edhe qeveria, por edhe gjatë gjithë periudhës së qeverisjes, sidomos nga partitë opozitare. Pra, partitë politike janë aktorë kryesorë të formimit të vullnetit të popullit, të cilin ato (partitë) përpiqen ta transformojnë në vullnet shtetëror, nëse fitojnë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Rezultatet e këtij procesi shfaqen kryesisht në zgjedhjet e lira dhe demokratike përmes të cilave, çdo qytetar voton sipas bindjeve dhe vullnetit të tij të pavarur politik.
16. Gjykata thekson se demokracia përfaqësuese nuk mjaftohet vetëm me mobilizimin e shtetasve për zgjedhje. Angazhimi i pandërprerë në procesin e krijimit të vullnetit politik dhe ruajtja e dinamikës së vetë demokracisë është detyrë e përhershme e të gjitha partive politike, si të atyre që janë në pushtet, ashtu dhe të atyre që janë në opozitë. Partitë politike opozitare luajnë një rol të rëndësishëm në kontrollin që ushtrojnë me mjetet e posaçme të parashikuara për këtë qëllim ndaj qeverisjes në përgjithësi. Ky kontroll realizohet nëpërmjet mjeteve të tilla si: pyetjet, interpelancat, komisionet hetimore, mocioni i mosbesimit, të cilat konsiderohen si mekanizma politikë të kontrollit. Gjithashtu, një mjet tjetër efikas konsiderohet edhe mundësia për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese me qëllim kontrollin e akteve normative nëse janë apo jo në përputhje me Kushtetutën.
17. Gjykata ka tashmë një praktikë të konsoliduar lidhur me çështjen e justifikimit të interesit të subjekteve që përfshihen ne nenin 134/2 të Kushtetutës. Interesi i një subjekti në një çështje në kuptim të shkronjave “dh”, “e”, “f” të nenit 134/1 të Kushtetutës quhet i justifikuar nëse arrin të provohet nga vetë kërkuesi se pasoja negative është e drejtpërdrejt, pra rrjedh direkt nga akti objekt shqyrtimi, është reale dhe, sipas rastit, është e lidhur ngushtë me funksionet e organizatës respektive .
18. Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se mundësia e partive politike për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese ekziston kur ato kundërshtojnë dispozitat e akteve normative, të cilat cenojnë statusin e tyre kushtetues dhe bashkë me të edhe pjesëmarrjen e tyre në ushtrimin e vullnetit shtetëror. Për këtë arsye, Gjykatës i takon të shqyrtojë nëse një organ kushtetues ka cenuar të drejtat e partive politike nëpërmjet aktit normativ të nxjerrë prej tij. Në këtë rast, partia politike legjitimohet në kërkimet e saj, nëse bëhet fjalë për respektimin nga ana e një organi kushtetues të statusit të saj që rrjedh nga Kushtetuta, gjatë procesit zgjedhor, si p.sh financimi i partive politike nga shteti, dhënia e shansit të barabartë të gjitha partive për të marrë pushtetin, etj .
19. Një mundësi tjetër e partive politike për të investuar Gjykatën lidhet me cenimin e të drejtave dhe lirive themelore që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen në formimin e vullneti politik të zgjedhësve edhe në rastet kur këto cenime vijnë nga gjykata, zyra të administratës, duke përfshirë këtu të gjitha subjektet e së drejtës publike të ngritura nga shteti si p.sh cenimin e të drejtave themelore të trajtimit të barabartë sa i përket tatimit të dhuratave të partive politike ose (mos)vënies në dispozicion të kohës së transmetimit radioteleviziv etj.
20. Për partinë politike, si subjekt i cilësuar nga dispozita e nenit 134/2, lidhen me interesat e tyre të gjitha ato akte përmbajtja e të cilave sjell pasoja negative për veprimtarinë e tyre kushtetuese në kuadër të formimit të vullnetit politik. Të tilla mund të jenë aktet që përcaktojnë deklarimin e pasurive, financimin e tyre nga shteti ose subjekte të tjera, mënyra e organizimit dhe ushtrimit të aktivitetit të tyre politik jo vetëm gjatë zgjedhjeve por edhe në periudhën midis tyre etj.
21. Gjykata, për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare para ratifikimit, sipas nenit 52 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, vihet në lëvizje edhe nga një ose disa parti politike, me kusht që çështja të lidhet me interesin e saj/tyre. Gjykata, për të vlerësuar interesin në çështjen në gjykim, nuk mbështetet vetëm në dokumentet e themelimit dhe statutin e partive politike, por edhe në shtrirjen e anëtarësisë, veprimtarinë dhe shkallën e përfaqësimit politik të tyre në organet e zgjedhura. Në këtë vështrim, si kriter referues, merret dhe e drejta që i është njohur nga kushtetutbërësi jo më pak se një të pestës së deputetëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese të pakondicionuar me një interes të veçantë.
22. Në çështjen në shqyrtim, Gjykata vëren se PSSH është një subjekt politik që në zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 qershorit 2009 arriti të siguronte 65 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Ky fakt e bën atë një subjekt të posaçëm midis partive të tjera politike. Bazuar në këtë nivel përfaqësimi, duke patur parasysh karakterin dhe rëndësinë e veçantë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, Gjykata çmon se PSSH ka interes legjitim në kuptim kushtetues për të kërkuar kontrollin e kushtetutshmërisë së kësaj marrëveshjeje.
23. Për sa më lart, Gjykata vlerëson se kërkuesi, PSSH, legjitimohet në kërkimet e tij për kontrollin paraprak të marrëveshjes së lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.
II. Lidhur me pretendimin për zhvillimin e bisedimeve pa pasur plotfuqi nga Presidenti i Republikës.
24. Kërkuesi pretendon se, grupi negociator shqiptar, gjatë bisedimeve dhe në momentin e lidhjes së marrëveshjes nuk ka qenë i pajisur me plotfuqi nga Presidenti i Republikës. Si rrjedhojë, grupi negociator nuk ka pasur autorizim nga organi kompetent për të hyrë në bisedime me palën greke dhe aq më pak për të lidhur marrëveshje mbi delimitimin e hapësirave detare. Mungesa e plotfuqisë, sipas kërkuesit, e bën marrëveshjen antikushtetuese në kuptim të neneve 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës dhe të paligjshme në kuptim të nenit 7 të ligjit nr.8696, dt.23.11.2000 “Për aderimin e Shqipërisë në Konventën e Vjenës për lidhjen e traktateve ndërkombëtare” dhe nenit 4 të ligjit nr.8371. dt.9.7.1998 “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”. Ky i fundit parashikon pajisjen e delegacionit me plotfuqi nga Presidenti i Republikës për marrëveshjet ku Republika e Shqipërisë është palë, pikërisht për të garantuar respektimin e parimeve kushtetuese që shërbejnë si bazë themelore për funksionimin e shtetit, siç është edhe ai i shprehur në nenin 3 të Kushtetutës që lidhet me paprekshmërinë e tërësisë territoriale. Mungesa e plotfuqisë, sipas kërkuesit, përbën cenim të një garancie kushtetuese.
25. Subjekti i interesuar, Ministria e Punëve të Jashtme, duke kundërshtuar pretendimin e kërkuesit, argumenton se plotfuqia është një dokument që i paraqitet palës tjetër negociuese, nëse të dyja palët bien dakort për shkëmbimin e plotfuqive, me qëllim bërjen e njohur të emrave të negociatorëve ose nënshkruesve të një traktati. Plotfuqia është një element i të drejtës ndërkombëtare dhe nuk ka rëndësi për procedurat e brendshme të lidhjes dhe miratimit të një traktati. Ai konfirmon vullnetin e plotë të shtetit për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga traktati, duke shërbyer si një element sigurie për palën tjetër negociuese. Paraqitja e plotfuqive ka qëllim njohjen me personat kompetentë të palëve në negociata. Konventa e Vjenës njeh mundësinë që palët të mos paraqesin plotfuqi, nëse është e qartë nga praktika e tyre ose me rrethana të tjera që këta përsona janë përfaqësues të shtetit. Mungesa e plotfuqive, sipas tij, nuk është element që prek përmbajtjen ose formën e një marrëveshje të negociuar dhe për këtë arsye nuk mund të ngrihet si pretendim për pavlefshmërinë e marrëveshjes ndërkombëtare nga asnjë palë.
26. Gjykata vlerëson se pretendimi i kërkuesit për mungesën e plotfuqisë së lëshuar nga Presidenti i Republikës për grupin negociator shqiptar gjatë bisedimeve dhe lidhjes së marrëveshjes për delimitimin e zonave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë është i bazuar dhe duhet pranuar.
27. Bazuar në materialet e paraqitura nga subjekti i interesuar, Ministria e Punëve të Jashtme, Gjykata vëren se, si rrjedhojë e shkëmbimeve diplomatike ndërmjet palëve (shqiptare dhe greke) në vitin 2006, u ra parimisht dakord që të fillonin bisedimet me qëllim lidhjen e marrëveshjes për ndarjen e shelfit kontinental. Me Urdhërin e Kryeministrit nr.135, dt.23.08.2007 “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje” u krijua grupi i punës në drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në vijim, u zhvilluan disa takime midis anëtarëve të grupit të punës, si rezultat i të cilave u hartua një plan-strategji negocimi si dhe u përgatit një projekt-marrëveshje.
28. Pas hartimit të strategjisë negociuese me palën greke, u krijua një komision i përbashkët shqiptaro-grek me përfaqësues të të dyja palëve dhe me ekspertë të fushës. Në reciprocitet me delegacionin grek, të njoftuar me anë të notës verbale nr.558, dt.26.03.2009, anëtarë të delegacionit shqiptar në komisionin e përbashkët ishin përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, Institutit të Gjeografisë Ushtarake dhe Ministrisë së Brendshme. Procedura e siglimit të marrëveshjes është bërë publike me dt.19.3.2009 nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.404, dt.22.04.2009 u miratua në parim kjo marrëveshje, duke i hapur rrugë nënshkrimit të saj. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrat e Punëve të Jashtme të të dy shteteve, me 27 prill 2009, në Tiranë. Pas nënshkrimit, me shkresën nr.7159, dt.2.6.2009, marrëveshja është depozituar pranë Kuvendit të Shqipërisë për të vazhduar me procedurën e ratifikimit të saj në përputhje me nenin 121/a të Kushtetutës.
29. Gjykata e çmon të nevojshme që, në funksion të arsyetimit të saj, të ndalet fillimisht tek analiza e kuadrit kushtetues, konkretisht të neneve 4 dhe 7 të Kushtetutës si dhe tek roli i Presidentit të Republikës si përfaqësuesi më i lartë i shtetit në marrëdhëniet me jashtë parashikuar nga neni 92/ë i Kushtetutës. Gjithashtu, Gjykata do të analizojë edhe dispozitat konkrete të Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve e 23 Majit 1969 dhe të legjislacionit të brendshëm lidhur me kriteret që duhet të plotësojnë delegacionet e shteteve përkatëse që duan të lidhin një marrëveshje ndërkombëtare.
30. Përgjithësisht pranohet se kryetari i shtetit përfaqëson shtetin si të tërë, pra unitetin e tij, duke përçuar këtë ide edhe jashtë vendit. Ky qendrim mbahet edhe nga Kushtetuta, e cila në nenin 92/ë parashikon kompetencën e Presidentit të Republikës për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, sipas ligjit. Duke iu referuar kësaj dispozite dhe kuptimit të nenit 86/1 të Kushtetutës, rezulton se Presidenti i Republikës ka kompetencë të përfaqësojë shtetin në marrëdhëniet me jashtë.
31. Nga ana tjetër, neni 100/1 i Kushtetutës parashikon se Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore. Pra, përcaktimi i thelbit të marrëdhënieve me jashtë bëhet nga ekzekutivi, i cili, në kuadër të realizimit të programit qeveritar, përcakton drejtimet kryesore të politikës së jashtme, përfshi edhe anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare apo lidhjen e traktateve dy ose shumëpalëshe . Ndërsa shfaqja e këtij vullneti jashtë vendit, në emër të Republikës, bëhet nga Presidenti, duke iu përmbajtur politikës së përcaktuar më parë nga qeveria dhe/ose parlamenti, sipas rastit.
32. Sa më sipër vlen vetëm në rastet kur bëhet fjalë për marrëveshjet me karakter politik, ndërsa për marrëveshjet e tjera të natyrës ekonomike, kulturore, të shkëmbimit tregtar etj, autoritetin e përfaqësimit dhe të lidhjes së tyre e ka qeveria. Kjo është dhe arsyeja që Ligji nr.8371, dt.09.07.1998 “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare” bën dallim midis marrëveshjeve ku palë është shteti shqiptar dhe marrëveshjeve ku palë është qeveria shqiptare. Në doktrinën kushtetuese, marrëveshje me natyrë politike konsiderohen të gjitha ato marrëveshjeve që sjellin pasoja për ekzistencën e shtetit, integritetin territorial, pavarësinë e tij apo pozitën e vetë shtetit në arenën ndërkombëtare. Veçanërisht, konsiderohen si marrëveshje politike ato që lidhen direkt me shpalljen, sigurimin apo zgjerimin e pozitës së një shteti ndaj një shteti tjetër . Të tilla janë: marrëveshjet për aleancë, marrëveshjet për bashkëpunim politik, pakte të mossulmimit reciprok, neutralitetit, çarmatosjes, përcaktimit të kufijve dhe të tjera të ngjashme me to . është kjo arsyeja që hyrja në fuqi e këtyre marrëveshjeve kondicionohet edhe me dhënien e pëlqimit nga ligjvënësi, pra ratifikimin, pasi të tilla marrëveshje duhet të jenë të mbështetura tek parimi i legjitimimit demokratik të organeve të brendshme të një shteti, në përputhje me parimin e demokracisë.
33. Gjykata thekson se e drejta e Presidentit të Republikës për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare është një funksion kushtetues dhe këtë ai e ushtron ose vetë, ose duke i dhënë plotfuqi qeverisë me qëllim përfaqësimin e shtetit sipas të drejtës ndërkombëtare. Duke iu referuar fakteve të bëra të njohura nga përfaqësuesi i subjektit të interesuar, Ministria e Punëve të Jashtme, rezulton të jetë bërë praktikë e vazhdueshme që edhe në raste të tjera të zhvillimit të bisedimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjeve me palë shtetin shqiptar, delegacioni shqiptar të mos ketë qenë i pajisur me plotfuqi nga ana e Presidentit të Republikës. Pra, është krijuar praktika e mospajisjes së delegacionit shqiptar me plotfuqi, nëse pala tjetër në marrëveshje nuk e kërkon një gjë të tillë. Gjykata vlerëson se ndjekja e një praktike të tillë rezulton të mos ketë bazë kushtetuese ose ligjore, pasi kemi të bëjmë me një veprim të paautorizuar nga organi, të cilit i takon kjo kompetencë. Kjo sjellje institucionale e kthyer në një praktikë bie ndesh jo vetëm me nenin 92/ë të Kushtetutës që parashikon rolin dhe kompetencën e Presidentit për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, por edhe me nenet 4 dhe 7 të Kushtetutës.
34. Parimi i shtetit të së drejtës i sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës nënkupton veprimin e të gjithë institucioneve shtetërore sipas së drejtës në fuqi si dhe supremacinë e Kushtetutës ndaj akteve të tjera normative. çdo organ në një shtet të së drejtës duhet të veprojë për aq sa i lejon Kushtetuta dhe ligji duke mos i tejkaluar kufijtë e përcaktuar prej tyre . Në këtë kuptim, çdo institucion shtetëror duhet të ketë të përcaktuar qartë fushën e kompetencave të veta brenda të cilave është i autorizuar të veprojë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore. Në zbatim të parimit të shtetit të së drejtës, në nenin 92 të Kushtetutës përcaktohen kompetencat e Presidentit të Republikës, një prej të cilave është dhe lidhja e marrëveshjeve ndërkombëtare sipas ligjit.
35. Gjykata thekson se kryetari i shtetit ka kompetencë që të ushtrojë ius repraesentationis omni modae, pra të bëjë të njohur ndërkombëtarisht vullnetin e brendshëm shtetëror dhe të përfaqësojë unitetin e shtetit në skenën ndërkombëtare. Mënyrat se si Presidenti e ushtron këtë funksion mund të jenë: me pjesëmarrjen e vetë Presidentit në bërjen të njohur të qendrimit politik të shtetit në marrëdhënie me jashtë, ose me anë të transferimit të autoritetit përfaqësues, nëpërmjet plotfuqisë, tek organet e tjera, kryesisht tek qeveria. Në lidhjen e marrëveshjeve ku palë është shteti shqiptar, si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, është e pashmangshme pjesëmarrja e Presidentit të Republikës, qoftë personalisht qoftë nëpërmjet plotfuqisë. Nga pikëpamja juridike, një përfaqësim i shtetit, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, në marrëdhënie me jashtë nga ana e qeverisë, pa autorizimin paraprak të Presidentit, kur bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare me natyrë politike, nuk është në përputhje me parimin e shtetit të së drejtës.
36. Presidenti i Republikës është përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar në marrëdhëniet me jashtë, në kuptim të nenit 86/1 të Kushtetutës dhe ka autoritetin për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare si përfaqësues legjitim i shtetit, sipas nenit 92/ë të Kushtetutës. Nga kjo rezulton se, ose ai vetë duhet të kishte marrë pjesë në lidhjen e marrëveshjes ose, nëpërmjet plotfuqisë, duhej të kishte autorizuar grupin negociator për këtë qëllim.
37. Gjykata çmon se qëllimi i plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e plotfuqisë. Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim. Në çdo rast, negocimi dhe lidhja e marrëveshjes duhet të bëhet brenda kufijve të përcaktuar në plotfuqinë e dhënë nga organi kompetent. Në këtë mënyrë, për çdo ndryshim, shtesë apo zvogëlim të objektit të negocimeve, përfaqësuesit e shtetit shqiptar janë të detyruar të kërkojnë marrjen e një plotfuqie të re ose ndryshimin, shtesën apo zvogëlimin e objektit të plotfuqisë së dhënë, duke respektuar parimin e shtetit të së drejtës.
38. Gjykata vlerëson se çështja e pajisjes së delegacionit shqiptar me plotfuqi nga organi kompetent me qëllim lidhjen e një marrëveshjeje, ndryshe nga sa pretendon subjekti i interesuar, Ministria e Punëve të Jashtme, pavarësisht se parashikohet edhe nga e drejta ndërkombëtare, është çështje e së drejtës së brendshme. Për t’i dhënë përgjigje argumentit të parashtruar nga Ministria e Punëve të Jashtme se mungesa e plotfuqisë nga Presidenti i Republikës nuk është element që prek përmbajtjen ose formën e një marrëveshje të negociuar dhe nuk mund të ngrihet as si pretendim për pavlefshmërinë e marrëveshjes ndërkombëtare nga asnjë palë, Gjykata e sheh të arsyeshme t’i referohet edhe kuadrit ndërkombëtar, konkretisht Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve e 23 majit 1969 (më poshtë: Konventa e Vjenës), palë në të cilën është dhe shteti shqiptar.
39. Në nenin 7 të Konventës së Vjenës, parashikohen si autoritete përfaqësuese të një shteti: kryetari i shtetit, shefi i qeverisë dhe ministri i jashtëm. Kjo Konventë konfirmon aftësinë e shteteve për të lidhur traktate. Traktatet i nënshtrohen negociatave mes palëve por kjo gjë nuk i ndalon sistemet e brendshme normative të shteteve të përcaktojnë rregullat e tyre lidhur me pëlqimin ose konsultimin nga organet e secilit shtet. Në kuptim të nenit 2/1a të Konventës së Vjenës, “traktat” do të thotë një marrëveshje e lidhur ndërmjet shteteve në formë të shkruar dhe e rregulluar nga e drejta ndërkombëtare nga personat që kanë autoritet të përfaqësojnë shtetin.
40. Në nenin 8 të Konventës është përcaktuar se “një akt që lidhet me përfundimin e një traktati, i kryer nga një përson, i cili nuk mund të konsiderohet në bazë të nenit 7 se është autorizuar për të përfaqësuar shtetin për këtë qëllim, nuk ka pasoja ligjore në qoftë se nuk konfirmohet më pas nga ai shtet”. Sipas nenit 7, “një person konsiderohet si përfaqësues i një shteti për qëllimin e miratimit ose sigurimit të tekstit të një traktati ose për qëllimin e shprehjes së pëlqimit të shtetit për të qenë i lidhur nga një traktat në qoftë se: (a) ai paraqet fuqitë e plota përkatëse; ose (b) bëhet e qartë nga praktika e shteteve të interesuar, ose nga rrethana të tjera, se ato e konsiderojnë atë si përfaqësuesin e tyre për këtë qëllim dhe të pajisur me fuqi të plota. Konsiderohen si përfaqësues të shtetit të tyre, në bazë të funksionit që ata kanë dhe pa qenë nevoja e paraqitjes së fuqive të plota, kryetarët e shtetit, kryetarët e qeverisë dhe ministrat e punëve të jashtme, me qëllimin e kryerjes së të gjithë akteve që lidhen me përfundimin e një traktati”.
41. Në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet shteteve, paraqitja e fuqive të plota, pra e dokumentit që rrjedh nga një autoritet kompetent i një shteti dhe që emëron një ose disa persona të cilët përfaqësojnë shtetin në zhvillimin e bisedimeve, miratimin ose sigurimin e tekstit të një traktati, për të shprehur pëlqimin e një shteti për të qenë i lidhur nga një traktat, ose për të përfunduar çdo akt tjetër që lidhet me një traktat, nuk është e detyrueshme për njohjen e përfaqësuesit të shtetit palë. Pra, dispozita përjashton vetëm paraqitjen e fuqive të plota ndaj palës tjetër në marrëveshje, por sipas të drejtës së brendshme kombëtare ajo nuk nënkupton edhe mënjanimin apo mosrespektimin e kërkesës ligjore të pajisjes me plofuqi për përfaqësuesin e shtetit.
42. Gjykata thekson se e drejta ndërkombëtare e rregullon institutin e plotfuqisë në aktet e saj, por njëkohësisht u krijon mundësi shteteve të rregullojnë në kuadrin e tyre të brendshëm çështjen e organit kompetent dhe procedurat e pajisjes me plotfuqi, sipas vullnetit të vetë shteteve. Zhvillimi i bisedimeve midis delegacioneve të shteteve të ndryshme përmendet në Konventën e Vjenës si fazë e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare, por procedurat dhe modalitetet për mënyrën se si formohet delegacioni i secilit shtet rregullohen nga e drejta e brendshme e çdo shteti. Përfaqësuesit e shtetit duhet të veprojnë në përputhje me plotfuqinë e lëshuar nga organet kompetente nëpërmjet të cilës përcaktohen personat që do të marrin pjesë në bisedime (të cilët mund të jenë ekspertë të fushës, nëpunës apo funksionarë të ndryshëm të shtetit), natyrën dhe hapësirën e çështjeve që do të negociohen. Pra, ky autorizim duhet të jetë i shprehur në çdo rast si deklarim i vullnetit shtetëror për të hyrë në negociata. Në këtë kuptim, Gjykata thekson se nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare plotfuqia i shërben parimit të mirëbesimit dhe vullnetit të lirë të çdo shteti për të lidhur marrëveshje, me qëllim që ajo të konsiderohet e lidhur nga përfaqësues të autorizuar duke mos vënë në dyshim plotësimin e angazhimeve që rrjedhin nga marrëveshja e lidhur.
43. Zhvillimi i bisedimeve midis delegacioneve shtetërore me qëllim lidhjen e një marrëveshjeje ka për synim hartimin e një teksti, i cili më pas kthehet në një instrument ligjor të detyrueshëm në këndvështrimin e së drejtës ndërkombëtare, vetëm nëse palët shprehin në nivel ndërkombëtar pëlqimin e tyre për të qenë të lidhur nga kjo marrëveshje. Kjo shprehje vullneti mund të bëhet me anë të: ratifikimit, nënshkrimit (kur nuk është i nevojshëm ratifikimi) dhe aderimit. Në secilin rast, shteti shpreh formalisht vullnetin e tij për të qenë i lidhur me marrëveshjen ose traktatin ku dëshiron të aderojë . Në rastet kur legjislacioni i brendshëm e kushtëzon hyrjen në fuqi të marrëveshjes me ratifikimin nga parlamenti i secilit shtet, ky proces (ratifikimi) nuk mund të konsiderohet si akt i thjeshtë formal. Ai përbën një proces esencial të lidhur ngushtë me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së nënshkruar. Shteti palë në marrëveshje është i lirë, nëpërmjet organeve të tij legjitime, ta ratifikojë ose jo marrëveshjen.
44. Gjykata e konsideron të nevojshme të theksojë se Konventa e Vjenës përcakton dy kritere kryesore në sferën e zbatimit të traktateve ndërkombëtare, parimin e pacta sunt servanda (neni 26), sipas të cilit çdo traktat në fuqi është detyrues për palët dhe duhet të kryhet prej tyre në mirëbesim, dhe parimin se një palë nuk mund të përdorë dispozitat e së drejtës së brendshme si justifikim për pamundësinë e tij për të zbatuar një traktat (neni 27). Ky rregull nuk cenon nenin 46 të Konventës që parashikon se, një shtet nuk mund të pretendojë faktin se dhënia e pëlqimit për të zbatuar një traktat është shprehur duke cenuar një dispozitë të së drejtës së tij të brendshme (p.sh duke cenuar kompetencën e organit konkret për të lidhur traktate). Një mungesë kompetence në aspektin e brendshëm të shtetit apo një antikushtetutshmëri për këtë shkak nuk prek detyrimet sipas së drejtës ndërkombëtare. është e qartë se kjo dispozitë i shërben vlefshmërisë së marrëveshjes midis palëve, por nga ana tjetër lidhja dhe nënshkrimi i marrëveshjes nga autoriteti kompetent ka rëndësi edhe për të drejtën e brendshme, pasi ka të bëjë direkt me zbatimin e parimeve të tilla kushtetuese si: parimi i demokracisë, i shtetit të së drejtës dhe i legjitimitetit të organeve për të përfaqësuar vendin në marrëdhënie me jashtë.
45. E drejta ndërkombëtare qëndron neutrale sa i takon çështjes se cili organ vepron në emër e për llogari të shtetit, si formohet dhe shprehet vullneti i brendshëm politik si dhe për më tepër si sillet një shtet në raport me të drejtën e brendshme apo në lidhje me normat e së drejtës ndërkombëtare për aq kohë sa zbaton të drejtat e detyrimet e marra përsipër prej tij. Për këtë të fundit është me rëndësi që shtetet me veprimet e tyre të mëpasshme të mos tërhiqen nga detyrimet e marra përsipër, gjë e cila i shërben stabilitetit ndërkombëtar dhe zbatimit të parimit pacta sunt servanta. Ky parim nuk do të thotë se shtete të ndryshme nuk mund të zgjedhin mënyra dhe forma të ndryshme të zbatimit të normave të së drejtës ndërkombëtare në sistemet e tyre të brendshme ligjore. Kjo është e drejtë sovrane e çdo shteti. Në bazë të këtij parimi, ligji nr.8371, dt.9.7.1998 “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare” në nenin 4 parashikon pajisjen me plotfuqi të rregullta të përfaqësuesve të shtetit, që ngarkohen të zhvillojnë bisedime dhe të nënshkruajnë traktate ose marrëveshje me përfaqësuesit e shteteve të tjera. Plotfuqitë lëshohen përkatësisht nga Presidenti i Republikës, kur si subjekt i traktatit ose i marrëveshjes është shteti shqiptar dhe nga Kryetari i Këshillit të Ministrave, kur si subjekt është qeveria shqiptare.
46. Gjykata rithekson se konstatimi i mungesës së plotfuqisë nga delegacioni shqiptar në procesin e lidhjes së marrëveshjes ndërkombëtare nuk bie ndesh me nenin 46 të Konventës së Vjenës për respektimin e detyrimeve të marra përsipër nga pala shqiptare, pasi në rastin konkret marrëveshja i nënshtrohet një kontrolli paraprak nga kjo Gjykatë, pra para se ajo të ratifikohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Për këtë shkak, sipas së drejtës së brendshme shqiptare, marrëveshja nuk ka hyrë ende në fuqi dhe për pasojë nuk ka filluar të japë efekte për sa kohë nuk është ratifikuar nga Kuvendi, sipas nenit 121 të Kushtetutës. Nisur nga ky fakt, në rastin konkret, nuk kemi të bëjmë me shmangie nga detyrimet që vijnë si pasojë e lidhjes së një marrëveshje ndërkombëtare në përputhje me rregullat e gjithpranuara të së drejtës ndërkombëtare publike, pra rrjedhimisht as të parimit pacta sunt servanta.
47. Gjykata vlerëson se mosmarrja e plotfuqisë nga Presidenti i Republikës për lidhjen e marrëveshjes ose dhënien e plotfuqisë, sipas ligjit, bie ndesh edhe me nenin 7 të Kus