E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakujdesia, polici i burgut plagos veten

Plagoset me armën e shërbimit polici i burgut të sigurisë së lartë në Korçë. Lajmi konfirmohet nga burime të policisë së këtij qyteti, të cilat bëjnë të ditur se rreth orës 22:30 të së dielës, Olsi Fejzollari është transportuar nga të afërmit e tij për në spitalin civil të qytetit, sepse ishte plagosur me armë zjarri. Pas sinjalizimit, policia ka nisur menjëherë hetimet lidhur me këtë rast. Fillimisht është dyshuar për një tentativë vetëvrasjeje, por nga veprimet hetimore dhe nga plaga që ka marrë në trup polici korçar, ky dyshim ka rënë menjëherë. Ngjarja ka ndodhur në banesën private të policit të burgut, kur ai ka qenë jashtë shërbimit. Burime të policisë kanë thënë se ngjarja ka ndodhur nga pakujdesia, nga një shkrepje e pavullnetshme e armës. Sipas të dhënave zyrtare të policisë, polici 38-vjeçar ka marrë një plagë në pjesën e shpatullës së majtë dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e bluzave të bardha. Lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje, konfirmohet se gjithçka ka ndodhur pasi 38-vjeçari ka lënë detyrën dhe është kthyer në shtëpinë e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›