E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Xhindi", policia shoqëron tre veta

Hetimet për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi kanë nisur të hënën me shoqërimin e tre personave. Qysh në orën 08:00 të mëngjesit të djeshëm, tri automjete policore mësohet se i janë drejtuar qytezës së Roskovecit dhe kanë marrë prej andej dy persona. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur për arsye hetimi, ndërkohë që burime nga grupi i hetimit tregojnë për gazetën "Shqip" se ata janë banorë të Roskovecit. Ata banojnë shumë pranë familjes së deputetit të ekzekutuar me kallashnikov dhe janë përafërsisht të moshës 35-40 vjeç. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se dy personat e marrë nga policia mëngjesin e së hënës nuk kanë dëshmuar asnjëherë më parë, por ka qenë vijimi i hetimeve ai që ka çuar grupin e ekspertëve drejt tyre. "Dëshmitë e siguruara nga persona të ndryshëm na çuan tek dy personat e marrë nga policia mëngjesin e së hënës. Ende nuk ka një status për ta, nëse do të cilësohen dëshmitarë apo persona që kanë dijeni për vrasjen, pasi provat dhe alibitë e tyre do të faktojnë statusin e të shoqëruarve", pohojnë për "Shqip" burime nga Policia e Fierit.

Ndërkohë që pak minuta pas këtyre dy shoqërimeve të zhurmshme, uniformat blu me urdhër të prokurorëve të grupit të hetimit, kanë sjellë në komisarit një 44-vjeçar me inicialet M.B, banor i lagjes "1 Maj" në qytetin e Fierit. Mësohet se M.B është pronari i lokalit, shumë pranë qendrës së qytetit të Fierit, ku është konfirmuar se deputeti Fatmir Xhindi ka pirë kafe ditën e shtunë, mbrëmjen e së cilës ai u ekzekutua me armë zjarri. Burimet zyrtare të Policisë së Fierit nuk e pohojnë statusin e shoqërimit, por deklarojnë se M.B. dhe dy të tjerët e shoqëruar para tij nuk do të lihen të lirë deri sa të zbardhet plotësisht pozicioni i tyre në lidhje me deputetin e vrarë si dhe informacionet që ata kanë për fatin tragjik të deputetit. Ndërkohë familjarët e tre të shoqëruarve nga policia janë paraqitur para Komisariatit të Fierit për të mësuar rreth fatit të të afërmve të tyre. Në fakt, grupi i hetimit ka provuar se një ndër ndalesat e pasdites së të shtunës së 2 majit, deputeti Fatmir Xhindi e ka kryer në lokalin e M.B. Madje pohohet se në këtë lokal deputeti ka pasur debate me disa persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk sqarohen për arsye hetimi. Skema e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi është pothuajse e ngjashme me atë të vrasjes së ndodhur 13 vjet më parë, po në qytezën e Roskovecit, ku mbeti i vdekur Ardian Isufaj, i cili njihej me pseudonimin "Qorri". Kjo ka dalë pas krahasimit të skenës së krimit të fundit me të gjitha ngjarjet e ndodhura ndër vite në zonë. Vrasja në fjalë nuk ka ende një autor, ndërkohë që prej 10 ditësh edhe vrasja e deputetit socialist rezulton e tillë. Mësoihet gjithashtu se njëri nga personat e shoqëruar, i cili ka inicialet I.Isufaj, është vëllai i të ashtuquajturit "Qorri".

Grupi i hetimit, i mbledhur mëngjesin e së hënës pas pushimit të së dielës, ka rimarrë në shqyrtim të gjitha dëshmitë që janë mbledhur gjatë javës së parë të hetimit dhe mësohet se do të vijohet me marrjen në pyetje të atyre personave, emrat e të cilëve do të dalin pas shqyrtimit të dëshmive të para. Të tre personat e shoqëruar të hënën dhe që nuk janë lënë ende të lirë, mësohet se kanë komunikuar në telefon me Fatmir Xhindin të shtunën, disa orë para vrasjes së tij. Pritet që gjatë kësaj jave të raportohet një pistë zyrtare ku është përqendruar hetimi, si dhe të mund të kristalizohet motivi i vrasjes me dy breshëri kallashnikovi të deputetit të Roskovecit, 49-vjeçarit, Fatmir Xhindi.

Një minutë heshtje

për Fatmir Xhindin

Në seancën e djeshme të Kuvendit të Shqipërisë, deputetët mbajtën një minutë heshtje për kolegun Fatmir Xhindi, i cili u vra më 2 maj në rrethana ende të paqarta. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ftoi deputetët të mbanin një minutë heshtje në kujtim të njeriut që përfaqësoi për tri legjislatura zonën e Roskovecit, ku edhe u vra dhjetë ditë më parë. Më pas, kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, kërkoi nga autoritetet shtetërore zbardhjen sa më parë të ngjarjes, pasi sipas saj, "në të kundërt, shteti do të marrë përsipër përgjegjësinë për këtë krim". Në të njëjtën linjë ishte edhe deputeti i PSD-së, Engjëll Bejtaj, "shok" tavoline me deputetin Xhindi. Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani, tha se vrasja e deputetit socialist do të zbardhet shumë shpejt.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›