E Shtunë, 31 Tetor 2026

Palermo mendon rikthimin e Ujkanit

Forma e shkëlqyer që Samir Ujkani po tregon gjatë këtij sezoni në Serinë A, ka bërë që drejtuesit e Palermos të mendojnë rikthimin e portierit shqiptar në radhët e klubit zi-rozë.
Siçilianët ishin skuadra që besoi te “gardiani”, duke e marrë nga Akademia e belgëve të Anderlehtit dhe afruar në kampionatin elitar në Itali gjatë vitit 2007. Por, për shkak të mungesës së hapësirave, Ujkani u transferua në formë huazimi te Novara, klub që ka në pronësi gjysmën e kartonit të tij, ku po zhvillon sezonin e tretë.
23-vjeçari ka qenë protagonist absolut te piemontezët, që me atë në portë janë ngjitur nga Liga Pro deri në Serinë A, ndërsa pavarësisht se skuadra po vuan në vendin e parafundit të klasifikimit, Ujkani ka treguar se meriton një skuadër më të madhe.
Konfirmimi erdhi në ndeshjen me Bolonjën, ku neutralizoi një 11-metërsh të Di Vaios dhe realizoi disa pritje të shkëlqyera. Ajo ishte penalltia e tretë që Ujkani priste në harkun e 4 ditëve, pas dy ekzekutimeve nga pika e bardhë në miqësoren e Shqipërisë në Gjeorgji dhe e dyta në Serinë A.
Forma e portierit shqiptar, i cili ishte edhe mes lojtarëve më të mirë në javën e 26-të të kampionatit Italian, nuk ka kaluar pa u vënë re nga presidenti I Palermos, Mauricio Xamparini. Kreu i klubit siçilian ka bërë të ditur se po ndjek me vëmendje paraqitjet e Ujkanit dhe gjatë sezonit të ardhshëm mund ta rikthejë “gardianin” në “Renco Barbera”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›