E Diel, 1 Nëntor 2026

Posteri; Edi Rama si Mona Liza



Me sytë që rrudhen pa asnjë vështirësi në cepat e tyre prej makijazhit të tepruar si për të mbuluar pasigurinë e reflektuar përmes celuloidit. Është kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. I tensionuar jo aq nga blici bombardues me dritë në fytyrë, sesa nga ajo që e pret më 28 qershor. Është sikur të dokumentosh frikën. I vendosur kudo në rrugët e Tiranës, posteri i kryetarit të PS-së, Edi Rama, kishte ngacmuar kureshtarët. Tre mesoburra që prisnin autobusin në stacion, i thoshin njëri-tjetrit gjithë habi: “Po ky ore që paska dalë si Mona Liza...”

I fiksuar me buzëqeshjen e mbërthyer e të panatyrshme. Krejt statikë. Brenda kornizës, e mbërthyer edhe frika e humbjes. Me sytë që rrudhen pa asnjë vështirësi në cepat e tyre prej makijazhit të tepruar si për të mbuluar pasigurinë e reflektuar përmes celuloidit. Është kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. I tensionuar jo aq nga blici bombardues me dritë në fytyrë, sesa nga ajo që e pret më 28 qershor. Është sikur të dokumentosh frikën. Me një sfond të stisur prej një logoje të kuqe, duart qëndrojnë të lidhura, të rënda, që u duhet të mbajnë peshën e njëra-tjetrës. Për dreq, trëndafili i kuq, simbol i PS-së, është vënë pranë rripit të pantallonave më shumë për admirim sesa për vlerësim. Është Edi Rama i vendosur në poster. I vendosur kudo në rrugët e Tiranës, posteri i kryetarit të PS-së kishte ngacmuar kureshtarët. Tre mesoburra që prisnin autobusin në stacion, i thoshin njëri-tjetrit gjithë habi: “Po ky ore që paska dalë si Mona Liza...” Duke u bazuar në teknologjinë më të re, një prej shkencëtarëve francez ka vërtetuar që Gioconda ishte femër. Madje edhe rrobat të cilat i posedon ishin karakteristike për femrat shtatzëna. Emri i saj i vërtetë është Liza Gerradini, gruaja e një tregtari nga Firencja të quajtur Francesco del Giocondo. Tre mesoburrat ndanë bisedën pasi autobusi ndaloi në stacion. Ikën, por të tjerë zbritën dhe sytë ngulën mbi posterin që nuk kishte vetëm pak orë që ishte vendosur në atë vend. Zakonisht, posterat lajmërojnë gjëra të rëndësishme. Fshehtësia e Mona Lizës tashmë është zbuluar. Po e Edi Ramës në poster? Në këtë rast, askujt nuk i vjen në ndihmë as ironia e ish-kryetarit të Partisë Socialiste, z. Fatos Nano, kur në një dalje të fundit televizive tha se socialistët janë një gra dhe një grua... Merak për mungesën e burrave në PS. Në politikë gjëra të tilla janë trazuese për popullatën, sidomos atë shqiptare. Nëse Leonardo da Vinci, Monën e tij e kishte pikturuar mbi një dërrasë plepi, Rama e vendosi veten në anë të rrugëve, poshtë plepave, pranë semaforëve e pranë kujt të mundet... Ndoshta kështu ia do politika e re. Të personalizojë veten dhe jo partinë që ai drejton. Të kërkojë votat e shqiptarëve në emër të tij paçka se në mënyrë të verbër pa ditur se cili është projekti i tij, me të cilin synon të marrë pushtetin. Ai thotë shpesh se është një njeri i thjeshtë dhe jo politikan. Rama ankohet se Shqipëria nuk është as si gjithë Evropa, as aq pranë Evropës sa ç’do të dëshironim dhe për më tepër nuk ngjan as fare me Shqipërinë. Rama ankohet edhe sot pas dy muajsh që Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s dhe ka aplikuar për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. U ankua dhe për rrugën kombëtare që bashkon shqiptarët, Durrës-Kukës-Prishtinë. S’do mend, edhe për reforma të tjera të suksesshme të qeverisë “Berisha” të vlerësuara në mënyrë të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar në sajë të të cilave shqiptarët shumë shpejt do të lëvizin pa viza në mbarë botën. Por kryetari i PS-së nuk ka çfarë të parashtrojë tjetër para shqiptarëve, të cilëve as vetë nuk e di se çfarë t’u premtojë, pasi ato të shumtat nevoja që kishin, ua realizoi qeverisja e djathtë e Kryeministrit Berisha. Kritikon çdo gjë dhe s’do mend, edhe më të mirën. Të jetë thua xhelozi... I turbullt, i hallakatur dhe mbi të gjitha i tensionuar. Këtë s’e ka shmangur dot as në posterin e vënë në çdo cep të Tiranës, diku-diku pranë pinjollit të G 99-s. Nuk është aq e vështirë ta shohësh posterin në mënyrë kritike, por ta injorosh atë siç po bëjnë qytetarët sapo përballen me të, është si të zbulosh fshehtësinë e Mona Lizës. Ndoshta, ngaqë natyra e imazhit ka qenë gjithmonë subjekt diskutimesh. Jo sepse pagoi për të bërë portretin e tij por se Gioconda e Da Vincit, në frëngjisht njihet si La Joconde, në italisht - La Gioconda, ndërsa në shumicën e gjuhëve të tjera të botës njihet si Mona Lisa. Në gjuhën shqipe, dreqi ta hajë njihet si Edi Rama...

Pak psikologji për buzëqeshjen e Ramës

Askush nuk ka nevojë më shumë për një buzëqeshje sesa ai që nuk mund ta japë dot atë... Sikur Edi Rama të ketë mundur të lirojë sasi të mëdha energjie nervore, përmes fotografisë që u bë poster. Thonë se qeshja i zbut pasojat e stresit çfarëdo lloji qofshin ato. Por Rama përmes posterit të ri, ndonëse ka tentuar të bëjë përshtypje të mirë, reflekton qartë një buzëqeshje djallëzore, sigurisht pa lëvizje trupi, ku kollarja dhjetëra ngjyrëshe rrethon këmishën e bardhë dhe tendoset nën duart e kryqëzuara si të Mona Lizës. Sinjali i parë se Rama nuk mund të jetë fitues, është edhe buzëqeshja frikësuese në poster. Ai ka frikë të buzëqeshë, ndaj dhe buzëqeshja duket e deformuar.

Por nëse dikush dëshiron të arrijë përshtypje të mirë te pala tjetër, duhet të mësojë se kjo në masë të madhe varet nga buzëqeshja si dhe nga mimika. Të dyja duket se janë problematike për Edi Ramën. Ata që merren me studimin e mimikës, kanë bërë të ditur se ekzistojnë disa tipa të buzëqeshjes dhe secila e ka domethënien e vet. Ajo mjaft mirë mund të na e zbulojë karakterin e një njeriu. Për shembull, shumë njerëz buzëqeshjen e përdorin si maskë për t'i fshehur emocionet e veta. Raste kemi plot në jetën tonë të përditshme, të thjeshtë dhe politike. Kur i parashtrojmë dikujt ndonjë pyetje dhe si përgjigje marrim buzëqeshjen dhe ndërrimin e temës, kjo tregon se kemi ngacmuar fuqishëm emocionet e personit dhe për ta mbajtur kontrollin na është përgjigjur me buzëqeshje. Por kur personat qeshin edhe atëherë kur nuk kanë arsye për një gjë të tillë, me këtë tregojnë se nuk kanë siguri në vete.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›