E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në psikiatri, pezullohen katër punonjës

Policia dhe prokuroria është duke hetuar ngjarjen e
fundit në spitalin psikiatrik të Elbasanit, ndërkohë
që drejtoria e këtij institucioni ka dalë me masat e para,
porse analiza e plotë pritet të bëhet pas konkluzioneve
të grupeve hetimore. Të paktën katër punonjës janë
pezulluar përkohësisht pas dy ngjarjeve të fundit në këtë
spital, kur një i sëmurë ka varur veten dhe një tjetër ka
gjetur vdekjen si rezultat i dhunës nga ana e shokëve
të dhomës. "Ne jemi duke hetuar mbi këtë ngjarje dhe
për këtë qëllim katër persona, dy infermierë dhe dy
kujdestarë janë pezulluar nga puna deri në daljen e
një konkluzioni zyrtar nga hetimet", ka pohuar drejtori i
spitalit psikiatrik të Elbasanit, Pjerin Xhuvani. Gjithçka ka
ndodhur në dhomën nr.2 të pavijonit nr.7 të këtij spitali,
ku gjashtë të sëmurë i janë përgjigjur me dhunë dhunës
së një shoku të dhomës. Sipas kreut të spitalit, shkaktar
i ndezjes së konfl iktit ka qenë vetë viktima, 45-vjeçari
Sajmir Kraja, i ardhur këtu nga spitali i rrethit të Shkodrës.
Ai, i njohur edhe si person agresiv, ka nisur të godasë
shokët e tij të dhomës, ndaj ata janë bërë të gjithë
bashkë për t‘iu përgjigjur dhe e kanë goditur me grushte
dhe shqelma deri sa e kanë lënë të vdekur. Ndërhyrja e
infermierit dhe kujdestarit të turnit ka qenë e shpejtë, por
ata kanë mbetur vetë viktima të dhunës së të sëmurëve.
Sipas burimeve policore, në spitalin kirurgjikal të Elbasanit
ende vazhdojnë të kurohen kujdestari i këtij pavijoni,
A.H., si dhe infermieri F.K., të cilët nuk kanë pranuar të
prononcohen publikisht për ngjarjen. "Sipas kartelës
përcjellëse, Kraja ka qenë person tepër agresiv, ndaj
dhe na është përcjellë tek ne në rrugë institucionale", ka
pohuar Xhuvani. Ai shpjegoi më tej se kjo ngjarje nxjerr
si nevojë ngritjen e një grupi të gatshëm për menaxhimin
e situatave të jashtëzakonshme në spital, sikundër
ka qenë praktika e viteve të shkuara, kur në këtë spital
izoloheshin me vendim të gjykatës të sëmurë mendorë
që kishin kryer krime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›