Palmeiras shkarkon Scolarin

Trajneri Luiz Felipe Scolari është shkarkuar nga detyra e tij në klubin brazilian Palmeiras.
Kontrata e tij është shkëputur në marrëveshje dypalëshe derisa skuadra vazhdon të vuajë në ligë. Palmeiras njoftoi për largimin e Scolarit nga posti i trajnerit pas humbjes 3-1 nga Vasco de Gama, rezultat që e zbriti ekipin në pozitën e parafundit në renditje.
Zëvendësuesi ende nuk është emëruar. Palmeiras, klubi më i titulluar brazilian, ka humbur 14 nga 24 duelet e deritashme në ligë dhe ka shtatë pikë më pak se zona e sigurisë. Deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe 14 xhiro.