Paloka: Kryeprokurori i ri, njeri i PD-së, jo nga LSI-ja. Duhet bërë pjesë e qeverisë
Deputeti demokrat, Edi Paloka, ka thënë se kryeprokurori i ri do të jetë një njeri nga ana e Partisë Demokratike. Ai ka hedhur poshtë mundësinë që kryeprokurori i ri të jetë nga LSI-së, pasi sipas Palokës, këtë gjë nuk e parashikon marrëveshja e 2009-s.
Po ta marrim nga ana morale i takon PD-së që të propozojë një emër. Në marrëveshjen që kemi me LSI-në nuk parashikohet Prokurori i Përgjithshëm, është shprehur deputeti demokrat.
Ai madje ka arritur deri aty sa është shprehur se, jo vetëm që kryeprokurori i ri duhet të jetë nga PD-ja, por ai duhet të ishte edhe pjesë e ekzekutivit. Kjo, pasi sipas Palokës mazhoranca ka marrë votat për të qeverisur dhe në këtë gjë nuk duhet të bëjë përjashtim as drejtësia.
Nëse do ta kisha në dorë do ta ndryshoja Kushtetutën dhe do ta bëjë Prokurorinë e Përgjithshme pjesë të ekzekutivit. Pasi përderisa një mazhorancë ka marrë votën e qytetarëve për të qeverisur, një nga pikat kryesore për të cilat duhet të japë llogari është edhe drejtësia, është shprehur Paloka për Mapo.